Kërko

Të mitur, punëtorë në minierat e Filipineve Të mitur, punëtorë në minierat e Filipineve 

2021, Vit i OKB-së për zhdukjen e punës së të miturve

Në botë numërohen 152 milionë të mitur, të detyruar të punojnë. Viktima të shfrytëzimit, shpesh detyrohen të merren me veprimtari të lodhshme e të rrezikshme. Gjysma janë në Afrikë. Këto, të dhënat e këtij fenomeni, në vitin që OKB-ja ia kushton zhdukjes së punës të të miturve: të shumta, fytyrat që i përkasin këtij realiteti dramatik, për të cilin flet atë Filippo Ivardi, drejtor i revistës Nigrizia.

R. SH. - Vatikan

Fëmijë në moshën ndërmjet 5 e 17 vjetëve, të detyruar të punojnë në vende tejet të vështira, t’i nënshtrohen punëve të rënda, të shfrytëzohen deri në palcë e shpesh, deri në frymën e fundit. Të dhënat e organizatave ndërkombëtare flasin qartë për një fenomen shumë shqetësues. Sepse ata që vuajnë nën barrën e një pune të padrejtë e të padurueshme janë 152 milionë. Të gjithë të mitur! Të gjithë pa shkollë. Të gjithë në punë të detyruar. Të përjashtuar nga lojrat fëminore, nga veprimtaritë  sportive, nga shëtitjet, nga festat gazmore, sepse gjithnjë të zënë me punë të detyruar. Fenomeni ndjehet më fort sidomos në Kontinentin Afrikan, ku punojnë gjysma e skllevërve të vegjël. Ky realitet pasqyrohet posaçërisht nga revista e përmuajshme e misionarëve kombonianë “Nigrizia”. Sidomos në këtë vit, të cilin OKB-ja ia kushton zhdukjes së punës të të miturve. Sipas drejtorit, atë Filippo Ivardi, situata nuk duhet nënvleftësuar. Përkundrazi, duhet vënë gjithnjë më shumë në dukje. Aq më tepër, duke pasur parasysh se pandemia nuk e ka pakësuar aspak punën e të miturve, përkundrazi, e ka shtuar me ritme edhe më të padurueshme.

Një jetë e re, për të miturit!

Shumë nga të miturit detyrohen të përballojnë punë krejt të papërshtashme për moshën e tyre. Punojnë në thellësitë e minierave. Punojnë ndër ara. Bëjnë punë shtëpije, deri në raskapitje. Sidomos vajzat, të cilat shpesh u nënshtrohen edhe shpërdorimeve të të gjitha natyrave, duke përfshirë edhe ato seksuale. Pas gjithë kësaj tragjedie - pohon atë Ivardi - është sistemi ekonomik botëror, që e bazon zhvillimin mbi shfrytëzimin  e vendeve, ku ka më shumë lëndë të para. Po kujtojmë Coltanin e çmuar, mineral i domosdoshëm, i përdorur në telefonat celularë, për nxjerrjen e të cilit, posaçërisht në Kongo, shfrytëzohen pikërisht të miturit. Po plagë mbi plagë janë sidomos të miturit, që detyrohen të rrokin armët e të shndërrohen në ushtarë, pa dashje.

Françesku: të rinjtë duhet të mësojnë, jo të luftojnë!

Në zona të ndryshme afrikane - nënvizon akoma atë Ivardi - fëmijët detyrohen  jo vetëm të punojnë, por edhe të rrokin armët e të marrin pjesë në konfliktet, që në Afrikë shpërthejnë pambarimisht në të katër anët: që nga Libia, në Kongo e aktualisht dhe në zonën e Etiopisë veriore, ku vijojnë ndeshje gjakatare. Të miturit, që e kanë jetuar përvojën shkatrrimtare të luftës, kur kanë fatin të dalin gjallë prej saj, rikthehen në shtëpitë e tyre të tjetërsuar e është tejet e vështirë ta rimarrin veten e të rikthehen në gjendje normale. Sepse, siç kujton shpesh Papa Françesku, ata janë në një moshë kur duhet të ulen në bankat e shkollës, e jo të rrokin armët, për vrarë njeri-tjetrin!

03 shkurt 2021, 15:51