Kërko

Më 11 maj kalendari kujton Shën Anthimin me shokët e tij martirë

Me që nuk pranuan të flijonin për nder të idhujve, u mbyten me gurë nga populli i tërbuar kundër tyre. Kёshtu shën Anthimin dhe shokët e tij martirë: Maksimin, Basin, Fabin, Sisinin diakon, Dioklecianin, Fiorencin, Faltonin Piniano e Aniçia Lucinën, shenjtër, e dëshmuan fenё në Krishtin

R.SH. - Vatikan

Më 11 maj, kalendari kishtar përkujton Shën Injacin prej Lakonit e Shën Gualtierin, si dhe Shën Anthimin dhe shokët e tij martirë: Maksimin, Basin, Fabin, Sisinin diakon, Dioklecianin, Fiorencin, Faltonin Piniano e Aniçia Lucinën, shenjtër e dëshmitarë të Krishtit. Këta martirë, të martirizuar e të nderuar në vende të ndryshme, lidhen ndërmjet tyre përmes Akteve të Anthimit.

Falton Piniani, bashkëshort i Aniçia Luçinës, stërnip i Perandorit Galieni, qe dërguar nga Diokleciani e Maksimiliani si prokonsull në Azi. I tronditur thellë nga fundi i këshilltarit të tij, Keremonit, persekutues i të krishterëve, që vdiq nga një sëmundje e tmerrshme, u sëmur edhe ai vetë. E shoqja, si e pa se mjekimet nuk kishin asnjë rezultat, iu lut të krishterëve që ishin akoma në burg, të ndërmjetësonin për shërimin e të shoqit. E në burg ishin Anthimi, diakoni Sisini, Maksimi, Basi, Fabi, Diokleciani e Fiorenci. Anthimi e siguroi gruan e dëshpëruar se i sëmuri do të shërohej në se do kthehej në fenë e krishterë. E kështu edhe ndodhi.

Atëherë Piniani i liroi të gjithë të krishterët që ishin nën kontrollin e tij, duke i fshehur në pronat që kishte në Sabinë e në Piceno. Një prej trojeve të tij ia fali Sisinit, Dioklecianit e Fiorencit, të cilët pas tri vjetësh, me që nuk pranuan të flijonin për nder të idhujve, u mbyten me gurë nga populli i tërbuar kundër tyre. 

Anthimi, i fshehur në një vilë të Pinianit në rrugën romake Salaria, pasi shëroi e ktheu në fe një adhurues të flaktë idhujsh dhe shkatërroi gjitha hyjnitë që ai mbante në shtëpi, qe paditur tek Prokonsulli Prisku; i hedhur në lumin Tiber me një gur të lidhur në qafë, doli mrekullisht shëndosh e mirë nga ujërat. Atëherë Prisku ia preu kokën e qe varrosur në Uratoren ku lutej.

Pas tij iu pre koka edhe Maksimit e u varros në të njëjtën Uratore. Basi, që u jepte zemër besimtarëve për t’i përballuar provat e reja, u arrestua e, me që nuk pranoi të flijonte për Bakun e Cereren, u masakrua nga populli në tregun e Forum Novum. Fabi u kap dhe, si u torturua në të njëjtin vend, iu pre koka. Piniani e Lucina vdiqën nga vdekje natyrore në Romë. 

Mësimi ungjillor qё kemi nga prifti i shenjtë Anthimi, tё cilit iu pre koka më 11 maj 305, përgjatë rrugёs romake Via Salaria, ёshtё me vlerё edhe për njeriun bashkëkohor. Megjithatë, Anthimi nuk duhet të konsiderohet si hero. Heronjtë gjykohen, nga njё herë, për një gjest të vetëm që bënë, për një ndërmarrje e një ndërhyrje të vetme vendimtare në të cilën morën pjesë. Për Kishën, edhe Anthimi është një lloj heroi, por ai nuk i përket tipologjisë së heroit klasik.

Ai ishte në fakt një hero për pjesën më të madhe të jetës së tij. Anthimi ka qenë një njeri i Zotit, besnik vetëm ndaj Tij, që kur hyri në sferën e Shpirtit, dhe kёtё për tёrё pjesën tjetër të jetës së tij. Atij i duhej një forcë jo më pak se ajo e heronjve, por gjatë gjithë periudhës së persekutimit ndaj tё krishterëve tё kohёs, ishte mbi të gjitha ai që mundi të jepte dëshminë e tij të përulur dhe të vuajtur për Krishtin edhe përtej aftësive të tija njerëzore. Kёshtu, dёshminё e fesё nё Jezu Krishtin e dha deri nё martirizim.

Të dhënat e hollësishme për martirët, të cilët kremtohen në data të ndryshme i gjejmë në Martirologun Romak dhe në Martirologun Jeronimian. Prej tyre më 11 maj kremtohen Sisini, Diokleciani e Fiorenci. Më i përhapur është kulti i Shën Anthimit, të cilit iu kushtuan shumë Kisha.

11 maj 2022, 09:54