Kërko

Më 16 maj kalendari kujton të Lumin Vladimir Gjika, martir

Kalendari kishtar, më 16 maj, përkujton të Lumin Vladimir Gjika, martir nën regjimin komunist në Rumani, me origjinë shqiptare. I Lumi imzot Vladimir Gjika, lidhet drejtpërdrejt edhe me Kombin shqiptar, sepse me gjak ishte shqiptar, e sipas kardinalit Anxhelo Amato, ky i Lum, i përket sa Rumanisë, aq edhe Shqipërisë

R.SH. - Vatikan

Kalendari kishtar, më 16 maj, përkujton të Lumin Vladimir Gjika, martir nën regjimin komunist në Rumani, me origjinë shqiptare.

Vladimir Gjika, meshtar rumun, me origjinë shqiptare, u shpall i Lum më 31 gusht 2013.  Ai u lind në Stamboll më 1873 nga një familje shqiptaro-rumune dhe u kthye nga ortodoksia në katolicizëm, më 1902, në Romë, gjatë studimeve për filozofi dhe teologji. Deshi të shugurohej meshtar ose murg, por Papa Piu X e këshilloi t’i kushtohej apostullimit si laik.

Pas shumë shërbimesh të çmueshme për Kishën si besimtar laik, u shugurua meshtar në vitin 1923. Nga ky vit, u dërgua nga Selia e Shenjtë në Sidney, Budapest, Dublin, Buenos Aires, ku mori pjesë në kongreset eukaristike ndërkombëtare.

Kreu misione apostolike edhe në Japoni, Kinë e Ceylon. Vdiq ndër torturat e sigurimit, në një burg komunist në Rumani. Ndër provat e shumta, paraqitur nga dioqeza e Bukureshtit për lumnimin e tij, janë edhe dokumentet, që u gjetën në arkivat e ish policisë politike të regjimit dhe dëshmitë e shokëve të burgut.

Pra, me 31 gusht 2013, në Bukuresht, në pavionin qëndror të Romexpo, në orën 11.00, u kremtua një Meshë solemne me ritin e Lumnimit të imzot Vladimir Gjikës. Më pas u nderuan edhe reliket e të Lumit të ri, Meshtar e Martir. Kremtimin e kryesoi i dërguari i Papës Françesku, kardinali Anxhelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve.

Atë Gjika u arrestua në vitin 1952, vetëm e vetëm pse nuk pranoi t’i shkëpuste lidhjet e Kishës katolike në Rumani me Selinë Apostolike të Vatikanit. Pastaj, erdhi burgimi i gjatë e i mundimshëm. Pas një vit vuajtjesh e torturash, vdiq si martir në burgun e Zhilavës, pranë Bukureshtit, më 16 maj 1954.

Imzot Vladimir Gjika lidhet me Kombin shqiptar

I Lumi imzot Vladimir Gjika, lidhet drejtpërdrejt edhe me Kombin shqiptar, sepse me gjak ishte shqiptar, e sipas kardinalit Anxhelo Amato,  ky i Lum, i përket sa Rumanisë, aq edhe Shqipërisë.

Nga familje fisnike, me origjinë shqiptare, Vladimir Gjika i përdori talentet e shumta, që i kishte dhuruar natyra e hiri i Zotit, gjithnjë në shërbim të të varfërve. I kthyer në vitin 1902 në fenë katolike e i shuguruar meshtar në Paris, më 7 tetor 1923, në moshën 50-vjeçare nisi apostullimin e përkushtuar në shërbim të më të vegjëlve, më të varfërve. Në vitin 1939 vendosi të mbetej në Rumani, për të përballuar nevojat e refugjatëve polakë, pas pushtimit nazist të Polonisë.

Besnik ndaj teologjisë së tij të nevojës (théologie du besoin) ai ndihmoi me të gjitha forcat të sëmurët, të plagosurit e robërit e luftës. E vijoi këtë udhë edhe më 1948 kur, pas abdikimit dhe largimit të mbretit Mikel, regjimi komunist nisi sulmin sistematik kundër katolikëve, me synim, asgjësimin e tyre.

Martirizimi tij

Imzot Gjika, më 18 nëntor 1952, u burgos në Zhilavë, një nga kampet më të tmerrshme të shfarosjens në Rumani. Dinjiteti, falja e persekutuesve, ndihma shpirtërore ndaj të burgosurve, që vuanin përkrah tij, jeta e thellë e lutjes, e bënë shembull tepër të lartë dëshmie ungjillore. Më 16 maj 1954 u shua, pas torturave mizore në kthetrat e sigurimit të shtetit. Njeri me përshpirtëri të thellë, ithtar i ekumenizmit, dëshira më e madhe tij ishte ta shikonte të bashkuar Kishën Katolike me atë Ortodokse.

Rëndësia e Lumnimit të Vladimir Gjikës

Janë tre, mesazhet e tij. I pari, dëshira ekumenike. Ëndërronte unitetin e Kishës. Propozonte shenjtërinë, si mjet i domosdoshëm për të çuar përpara bashkimin e të krishterëve. Në martirizimin e miliona të krishterëve ortodoksë të persekutuar posaçërisht në Rusi e në Evropën e Lindjes nga regjimet komuniste, shikonte garancinë e një rilindjeje të vërtetë që, në logjikën e misterit të Pashkëve, duhet të sillte bashkimin e dëshiruar.
Aspekti i dytë ka të bëjë me impenjimin konkret të dhimbsurisë ndaj refugjatëve, të plagosurve të luftës, të sëmurëve, të cilët i mirëpriti, i vizitoi, i ndihmoi.
Aspetki i tretë lidhet me dëshminë e tij të martirizmit, nën regjimin çnjerëzor të stalinizmit. U detyrua t’i nënshtrohej hetimeve torturuese, ditë-natë, shoqëruar me rrahje pa pikë mëshire, aq sa t’i rrezikohej dëgjimi e shikimi, e me tipe të ndryshme varjesh. I duroi të gjitha me fe e guxim e, sidomos, me ndihmën e lutjes.

Lumnimi duhet parë si shenjë profetike pajtimi e paqeje, si kujtim i një të kaluare të trishtuar, që nuk duhet të përsëritet në asnjë mënyrë, e si impenjim për të ndërtuar ardhmërinë plot shpresë, bashkim vëllazëror, liri e gëzim.

                                                                       ******

Familja e Vladimir Gjikes, e mirënjohur në Shqipëri, e ka origjinën nga Përmeti, nga ku është larguar në vitet 1500-1600 për t’u vendosur në lagjen Fanar të Kostandinopojës. Gjatë sundimit të perandorisë osmane, të ndihmuar nga pashallarë shqiptarë në oborrin e Sulltanit, anëtarët e kësaj familjeje qeverisën si princa, për vite me radhë Moldavinë dhe Vllahinë. Por i dhanë botës edhe njerëz të kulturës, si për shembull, Elena Gjikën, apo Dora d’Istria. Nga kjo familje rrjedh edhe mons. Vladimir Gjika, i cili lindi si princ ortodoks, për t’u shuguruar meshtar katolik, në moshën 50-vjeçare. Deri atëherë, ai mori pjesë aktive në jetën shoqërore e politike të Rumanisë gjatë Luftës I Botërore e punoi shumë për bashkimin e vendit, në Paris, Romë e Vatikan, si delegat i Këshillit Kombëtar Rumun.

Pas vitit 1923, kur u shugurua meshtar, Vladimir Gjika u dërgua nga Kisha Katolike në Sidnej të Australisë, në Budapest, në Dublin e Buenos Aires, ku mori pjesë në kongrese eukaristike ndërkombëtare. Gjithashtu, ndërmori misione kishtare në Japoni, Kinë e në Cejlon. Bekonte gjithnjë me një nga gjembat e kurorës së Jezusit e ndër mrekullitë, që i atribuohen ndërhyrjes së tij, është shërimi i shumë njerëzve dhe lindja e trashëgimtarit të fronit japonez. U shua, në vitin 1954, në një burg komunist të Rumanisë, për shkak të torturave të “Securitate”-s, dokumentuar nga vetë martirizuesit e regjimit, por edhe nga dëshmitë e shokëve të burgut.

Është jashtëzakonisht i njohur dhe i marrë si shembull për frymën e tij ekumenike. Thoshte se ishte bërë katolik, për të qenë ortodoks më i mirë. Dëshironte me gjithë shpirt bashkimin e Kishës Katolike me Kishën Ortodokse. Papa Piu XI, pasi e pati emëruar “protonotar apostolik” në vitin 1931, duke bërë shaka me të, por duke vënë në dukje impenjimet e tij të shumta ungjillëzuese në të gjithë botën, e quante “vagabondi i madh apostolik i shekullit XX”.

Fillimisht në Paris, ku ndenji në një barakë të vetmuar, në mes të të varfërve, duke fituar shpirtra për Zotin e pastaj, në rektoratin për të huajt, që i ofroi kryeipeshkvi i kryeqytetit francez, mons. Gjika dinte t’u fliste e të ndihmonte si më të ligështit e shoqërisë, ashtu edhe më fatlumët e pasur, tek të cilët shihte nevojën që kishin për t’i dhënë kuptim jetës. Zhak Mariten, Pol Klodel, Henri Bordò, Fransua Moriak, njerëz të tjerë të kulturës e të artit qenë miqtë e tij, së bashku me refugjatët politikë, të persekutuarit e të mënjanuarit. Shkruan e lexohet, flet e dëgjohet nga ata, që mahniten me katolicizmin e tij, vërtet i madh, sublim, hyjnor; mrekullohen nga Jezusi, që nuk u paraqitet si përrallë fëmijësh, por si e Vërteta Absolute dhe e amshuar.

Në vitin 1939 kthehet në Rumani për t’u takuar me të afërmit e vendos të qëndrojë aty, pasi sheh sprovat, që i duhet të kalojë vendi, fillimisht për shkak të luftës e pastaj, për shkak të komunistëve. Në vitin 1948, mbreti i ri Mihail dëshiron ta marrë me vete, në Evropën e lirë, larg persekutimit, por ai nuk pranon, i bindur se po shkonte nën kudhrën e hekurt të drapërit e çekanit.

Policia e Çausheuskut i hoqi së pari, të drejtën për t’u larguar nga shtëpia, sepse “ajo që bënte e predikonte, ishte shumë e rrezikshme për revolucionin”, e pastaj e arrestoi më 19 nëntor 1952. Gjykata e të pafeve, megjithëse ishte tashmë 80 vjeçar e dënoi me 30 vjet burgim. Kështu, mbërriti ora e flijimit suprem: më 17 maj 1954, pas shumë torturash të tmerrshme, siç mund të ishin të aftë vetëm komunistët, Imzot Vladimir Gjika u dha fund vuajtjeve për të shkuar tek Ati Qiellor. Zhak Mariten pati thënë për të: “Princ në botë e për një thirrje më të lartë, Meshtar i Krishtit”. Tani martir, në nderimet e elterit!

16 maj 2022, 09:54