Kërko

Imzot Matthew Kukah, Iepeshkëv i dioqezës së  Sokotos-,Nigeri Imzot Matthew Kukah, Iepeshkëv i dioqezës së Sokotos-,Nigeri 

Nigeri, një studente mbytet me gurë. Prijësit fetarë kërkojnë vërtetësi e drejtësi

Myslimanë e të krishterë dënojnë njëzëri aktin mizor dhe u bëjnë thirrje autoriteteve të shtetit të Sokotos për të sqaruar shkaqet, duke u përpjekur të ruajnë qetësinë në vend.

R. SH. - Vatikan

Dhunë e pajustifikuar e krim i dënuar nga krerët fetarë myslimanë dhe të krishterë në të gjithë Nigerinë, duke përfshirë edhe autoritetin më të lartë, Sulltan Saad Abubakar, ndërsa ipeshkvi i Sokotos, vend i ngjarjes, nuk resht së bëri thirrje për qetësi. Imzot Mathew Hassan Kukah, i tronditur thellë nga krimi i shëmtuar, kërkon të zbatohet drejtësia për këtë akt “kriminal e çnjerëzor, që nuk ka të bëjë fare me fenë. Të krishterët dhe myslimanët - shton ai në mesazhin e publikuar në faqen e Dioqezës - jetojnë gjithnjë së bashku, e gjithnjë në paqe”.

Çmenduri kolektive

Sipas dëshmive, botuar nga mediat lokale, dyshohet se një student e akuzoi të renë Deborah Samuel, studente në Fakultetin e Ekonomisë, për postimin e fyerjeve kundër Profetit Muhamet, gjatë bisedës me një grup studentor. Prej këndej, në Kolegjin e Arsimit ShehuShagari të shtetit të Sokotos, në verilindjen nigeriane, shpërtheu çmenduria kolektive. Shokët myslimanë të studentes së re të krishterë e nxorën zvarrë nga shkolla, ku kërkoi, pa sukses, strehë e mbrojtje. Dhe e mbyten me gurë! Si mijëra vjet më parë! E, duke mos u kënaqur me kaq, i vunë zjarrin trupit të saj. Autorët u identifikuan menjëherë falë një videoje, dëshmitare për vdekjen e tmerrshme, të konfirmuar nga policia e Sokotos, ndërsa Instituti u mbyll me urdhër të qeverisë, për një periudhë të pacaktuar.

NDKV në Nigeri: një akt barbar që të lë pa fjalë

Fondacioni Papnor Ndihmë për Kishën që Vuan në Vendin Afrikan, e vërteton thellësisht i tronditur këtë “fund të tmerrshëm”. “Ekstremizmi dhe persekutimi në vend vitet e fundit kanë qenë të tmerrshëm, rrëqethës. Pothuajse çdo javë këtu ka rrëmbime dhe dhjetëra vdekje, por ky akt barbar na lë pa fjalë” - pohon Thomas Heine-Geldern, president ekzekutiv i Fondacionit. Më pas, mendimi i familjeve dhe i bashkësisë së krishterë dhe kërkesa “për dënimin e njëzëshëm të të gjitha formave të ekstremizmit”.

Situata e vështirë në Nigeri

Në deklaratë, Fondacioni gjithashtu kujton se “që nga viti 1999, dymbëdhjetë shtete të Nigerisë veriore miratuan kode penale të Sheriatit, paralelisht me gjykatat laike dhe zakonore. Shumë ligje të Sheriatit në Nigerinë veriore parashikojnë masa shumë të rënda dënimi për blasfemi, deri në dënim me vdekje. Megjithatë, sheriati garanton të paktën një gjykim të drejtë, pa përdorur linçime dhe ekzekutime të menjëhershme, si në rastin e tmerrshëm të Sokotos. E ky akt barbar, nuk është i pari në vend. Sipas raportit të fundit të Fondacionit të NDKV(Ndihmë për Kishën që Vuan) pas 20 vitesh të sundimit të Shari’as, situata në Nigerinë veriore është keqësuar. Etnia dhe feja janë bërë mjet i frytshëm për sigurimin e pushtetit, parave, privilegjeve. Sipas raportit të NDKV “Sheriati vijon ta përçajë më tej vendin”.

15 maj 2022, 11:34