Kërko

Flamuri shqiptar Flamuri shqiptar

28 Nëntori festë e të gjithë shqiptarëve: Gëzuar!

Më 28 nëntor 1443 i madhi Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ngriti flamurin kombëtar në kalanë e Krujës. Më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë dhe shpalli pavarësinë e Shqipërisë. Redaksia shqipe e Radio Vatikanit - Vatican News, të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen, nga zemra u uron “gëzuar festën e pavarësisë”!

R.SH. - Vatikan

Më 28 Nëntor, të gjithë shqiptarët, në trojet e tyre dhe kudo jetojnë e punojnë nëpër botë, kremtojnë me krenari dhe emocion, Ditën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë nga perandoria otomane turke më 28 Nëntor 1912 nga Ismail Qemali me ngritjen e flamurit shqiptar në Vlorë. 28 Nëntori për të gjithë shqiptarët kudo ndodhen njihet e kremtohet si Dita e Flamurit.

Më 28 nëntor 1443  i madhi Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ngriti flamurin kombëtar në kalanë e Krujës. Kjo ditë shënon pavarësinë e kombit shqiptar. Pavarësia e Shqipërisë nga perandoria turke, mjerisht jo e të gjitha trevave shqiptare, pra, u përgatit me vite e vite kryengritjesh, që filluan në viset e ndryshme Arbënore nga Malësia e Mbishkodrës, Mirdita dhe vende e vise tjera, për të përfshirë më vonë krejt Shqipërinë e atëhershme. U desh fillimi i Luftës së Parë Botërore dhe shkatërrimi i perandorisë së xhonturqve, që shqiptarët të kurorëzonin ëndrrën e viteve për një Shqipëri “më vehte, të lirë e të mosvarme”.

Kështu, si sot, më 28 nëntor tё vitit 1912, në Vlorë, u ngrit Flamuri dhe u hap Kuvendi historik Kombëtar me 37 delegatë, por u deshën vite të tjera dhe përfaqësi në Kongrese e në kancelaritë e vendeve perëndimore, që Shqipëria të njihej si e tillë nga fuqitë e Shtetet e kohës. Prandaj, më 28 nëntor shqiptarët kujtojnë ngjarjen e 1912-tës qё ndodhi në Vlorë, ku u ngrit Flamuri Kombëtar i Kastriotëve, simbol i lirisë, i pavarësisë, i ëndrrave për një ardhmëri më të mirë të kombit shqiptar në gjirin e kombeve të përparuara të botës.

Pra, Dita e shpalljes së Pavarësisë, që përkujtohet çdo 28 Nëntor, na nxit të meditojmë për fatet historike të Kombit shqiptar, me të cilat lidhen në mënyrë të pazgjidhshme edhe jeta e çdo shqiptari dhe vlerat që përmban e rrezaton Flamuri Shqiptar. Kështu, kujtimi që sot na çon sa në 28 Nëntorin e 1912-tës, na sjell në mendje e në zemër edhe rrugën e përshkuar gjatë vjetëve e shekujve nga ata shqiptarë, që pa asnjë dallim e me përkushtim, bindje punuan dhe flijuar gjithçka, madje edhe jetën për Atë Ngjarje dhe për vlerat e patjetërsueshme që simbolizon Flamuri Kuq e Zi. 

Një kontribut domethënës që çoi deri në shpalljen e pavarësisë së shqiptarëve nga pushtuesi otoman, dhanë edhe katolikët shqiptarë.

Uroj që shqiponja të cilën e shikojmë në flamurin e vendit tuaj, t’ju kujtojë gjithnjë shpresën për ta mbështetur përherë besimin tuaj në Hyjin, që nuk zhgënjen, por është gjithnjë përkrah nesh, posaçërisht në çaste të vështira. Shqiponja nuk e harron folenë po fluturon gjithnjë lart”, pati thënë Papa Françesku në Tiranë më 21 shtator 2014

Redaksia shqipe e Radio Vatikanit - Vatican News, të gjithë patriotëve shqiptarë, që me Ismail Qemalin në krye ngritën Flamurin Shqiptar në Vlorë, e të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen, nga zemra u uron “Gëzuar Festën e Pavarësisë” !

28 nëntor 2022, 09:27