Kërko

Corona Avvento 1 domenica Corona Avvento 1 domenica

Shenjtorët e javës 27 nëntor - 4 dhjetor

E diel 27 nëntor, Kisha kremton të dielën e Parë të kohës liturgjike të Ardhjes, ciklit të parë ‘A’. Me këtë të diele fillojmë kohën e Ardhjes, shkojmë drejt takimit me Krishtin që vjen. Ungjilli i së dielës na thërret t’ia përgatisim rrugën Zotit në shpirtin tonë, të rrimë në pritje vigjilente, të ushqyer nga lutja de nga impenjimi i dashurisë. Liturgjia na përsërit shpesh e na siguron, si të donte ta davariste dyshimin tonë, se Zoti vjen të rrijë me ne në çdo situatë

R.SH. - Vatikan

E diel 27 nëntor, Kisha kremton të dielën e Parë të kohës liturgjike të Ardhjes, ciklit të parë ‘A’. Me këtë të diele fillojmë kohën e Ardhjes, duke shkuar drejt takimit me Krishtin që vjen. Gjithnjë më 27 nëntor, kalendari kishtar përkujton edhe shën Virgjilin, ipeshkëv i Salcburgut.

Ungjilli i së dielës na thërret t’ia përgatisim rrugën Zotit në shpirtin tonë! Në të Dielën e parë të Ardhjes, Kisha nënvizon se kjo është koha e shpresës dhe i nxit besimtarët të rrinë në pritje vigjilente, të ushqyer nga lutja e nga impenjimi i dashurisë. Liturgjia na përsërit shpesh e na siguron, si të donte ta davariste dyshimin tonë, se Zoti vjen: vjen të rrijë me ne në çdo situatë. Zoti vjen të banojë mes nesh, të jetojë me ne e në ne; vjen t’i zhdukë distancat që na ndajnë e na veçojnë; vjen të na pajtojë me Të e me njëri-tjetrin. Për këtë t’i lirojmë zemrat nga gjithçka i rëndon e pengon për të takuar Zotin në jetën tonë e t’i themi: eja o Zot Jezus

Të hënën më 28 nëntor, kalendari kishtar përkujton shën Jakun e Markeve, meshtar françeskan. Në Ungjillin e ditës, Jezusi na mëson të përgatitemi për ta pranuar farën e Jetës Hyjnore. Rëndësi ka të jesh me Zotin; rezultatet e frytet, të cilat nuk janë në dorën tonë njerëzore, nuk i mungojnë njeriut, që jeton me bindjen se shpëtimi vjen nga Zoti.

Më 28 nëntor bie përvjetori i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë nga perandoria osmane më 28 nëntor 1912. Shqipëria e të gjithë shqiptarët kudo në botë janë në festë për këtë ngjarje të madh kombëtare e shoqërore, me mirënjohje nga Zotit dhe të të parëve, për këtë dhuratë tejet të çmuar, që është pavarësia. Zoti e bekoftë Shqipërinë! Zoti e bekoftë popullin Shqiptar!

Të martën më 29 nëntor, kalendari përkujton shën Saturninin, martir, shën Frederikun e të Lumin Dionizi të Lindjes së Krishtit. Liturgjia e ditës na kujton thirrjen e psalmistit: Eja o Zot Jezus! T’i lirojmë zemrat nga gjithçka i rëndon!

Të mërkurën më 30 nëntor, kalendari kishtar përkujton festën e shën Andreut, apostull. Sipas ungjilltarëve, Andreu është i pari i thirrur nga Jezusi, së bashku me të vëllain, Simon Pjetrin. E kujtojmë se shën Andreu Apostull është edhe njëri ndër ungjillëzuesit e shqiptarëve, pra njëri prej atyre, që solli Ungjillin në trevat shqiptare. Shenjti na mëson se bashkimi i plotë me Krishtin arrihet vetëm duke ecur në rrugën e kryqit, që përfundon me ringjalljen.

Të enjten më 1 dhjetor, kalendari kishtar përkujton shën Eligjin, ipeshkëv i Lionit e  shën Naumin, profet. Liturgjia e ditës që na kujton se Jezusi vjen për çdo njeri, për çdo popull: të përgatitemi, prandaj, për ta takuar me gëzim.

Të premten më 2 dhjetor, kalendari kishtar përkujton shën Bibianën, matronë romake, shën Pimenin, martir e shën Silvestrin, papë. Liturgjia e ditës na sjell thirrjen e Psalmistit drejtuar Hyjit: ‘Eja, o Zot, mbret i drejtësisë e i paqes”.

Të shtunën më 3 dhjetor, kalendari përkujton shën Françesk Saverin, meshtar jezuit, apostull i Indisë, pajtor i misioneve. Liturgjia e ditës na kujton se kumtimi ynë i krishterë bëhet i besueshëm, kur e dëshmojmë Krishtin në çdo çast të jetës sonë. Dëshmi, jo fjalë, kërkon nga ne Zoti që vjen!

Të dielën e ardhshme më 4 dhjetor, Kisha katolike do të kremtojë të Dielën e 2-të të Ardhjes, ciklit të parë ‘A’. E gjithnjë më 4 dhjetor, kalendari përkujton edhe shën Gjon Damashenin, meshtar e dijetar i Kishës e shën Barbarën, martire. Liturgjia e ditës na fton jo vetëm t’i dëgjojmë fjalët e Jezusit, por sidomos t’i zbatojmë në gjestet e jetës së përditshme

27 nëntor 2022, 09:07