Kërko

Riti i bekimit të grykës Riti i bekimit të grykës 

Pse për Shëna Vlash bëhet “kryq nën fyt”?

Sot Kisha katolike kremton Shëna Vlashin, Pajtorin e të sëmurëve që vuajnë nga sëmundjet e fytit a të grykës.

R. SH. - Vatikan

Sot Kisha katolike kremton Shëna Vlashin. E besimtarët  shkojnë në Kishë për të bërë atë që njihet “Si kryq nën fyt”. Është fjala për dy qirinj të lidhur në formë kryqi me fjongo të kuqe apo të një ngjyre tjetër, që meshtari i vë nën fytin e besimtarit duke iu lutur Zotit për të. Prej këndej shprehja “kryq nën fyt”. Meshtari ua bën besimtarëve në përfundim të Meshës, duke shqiptuar formulën: Me ndërmjetësinë e Sh’na Vlashit, Ipeshkëv e Martir, Zoti të çliroftë nga sëmundjet e fytit e nga çdo e keqe tjetër. Në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt. Amen".

Sh’na Vlashi është një nga katërmbëdhjetë shenjtorët, të cilëve besimtarët u luten për shërimin e sëmundjeve të rralla, posaçërisht atyre të grykës. Kremtohet sidomos në Laç të Kurbinit ku, pranë e pranë me Kishën e Shëna Ndout të Padovës, ndodhet shpella që mban emrin e tij.

Besohet të jetë martirizuar në këtë vend por, pastaj emri Albani u ngatërrua me Armeni e sot shumëkush nuk i di hollësitë e kësaj ngatërrese që ndodhi në shekuj. Kush dëshiron të dijë më shumë, mund të shfletojë veprën e Atë Shtjefën Gjeçovit, edhe ai martir, që u mor  hollësisht me këtë çështje.

03 shkurt 2021, 16:27