Taxas: ndihma për të dëmtuarit Taxas: ndihma për të dëmtuarit 

Stuhi polare në SHBA: Ipeshkvijtë ftojnë për lutje e solidaritet

Prelatët e SHBA-ve i nxisin besimtarët të luten “për të vdekurit e të plagosurit”- lexohet në një notë - e posaçërisht për ata, që mbetën pa elektricitet e pa ngrohje, në mes të ngricave të papara.

R. SH. - Vatikan

Temperatura polare në SHBA-të ku, prej ditësh, stuhia vijon të godasë Midwest dhe gjithë zonën në jug të vendit. Termometri ka zbritur 28° e, në Texas, më se 5 milionë vetë nuk kanë energji elektrike, as ujë, për shkak të ngrirjes së sistemeve të furnizimit. Të shumtë, të vdekurit, e edhe viktimat e helmatisjes nga gazi i autove, ndezur për t’u ngrohur sadopak. Situatë dramatike, që i shtohet një fakeqësie tjetër: pandemisë së Covid -19, duke ndikuar në ngadalësimin e fushatës së vaksinimit.

Thirrja e ipeshkvijve të SHBA-ve

Përballë këtyre vështirësive, Konferenca ipeshkvnore amerikane (Usccb) i nxit besimtarët të luten e të jenë solidarë, edhe përmes donacioneve për  Karitasin. Në një notë, nënshkruar nga kryetari i Usccb, kryeipeshkvi i Los Angeles, Josè Gomez, Kisha katolike “i inkurajon të gjithë të shpresojnë e të mbështesin bujarisht njëri-tjetrin” , “posaçërisht gjatë periudhës së Kreshmëve”. 

“Të lutemi për të gjithë ata, që vdiqën a mbetën të plagosur – lexohet në notë - e posaçërisht për ata, që  mbetën pa dritë, pa ujë e pa ngrohje. Por edhe për ndihmësit e parë, që po punojnë pranë të dëmtuarve në këto çaste kaq të shqetësuara. Në lëmoshën tonë kreshmore, të gjejmë mënyra konkrete për t’i ndihmuar vëllezërit tanë” - bëjnë thirrje ipeshkvijtë. Dokumenti përfundon duke ia besuar të gjithë Zemrës së Papërlyer të Zojës, që të mund t’u nxjerrë nga Zoti hirin e ngushëllimit e të paqes”.

21 shkurt 2021, 11:57