Kërko

Papa Françesku takon Paolo Palumbo, i sëmurë me SLA, 2020 Papa Françesku takon Paolo Palumbo, i sëmurë me SLA, 2020

Çelësi i fjalëve të Kishës: të vizitojmë të sëmurët

Këto ditë, Papa Françesku ndodhet në spitalin Gemelli të Romës, pas operacionit të së dielës për divertikulit. Ati i Shenjtë ka folur shpesh për sëmundjen e për të sëmurët, duke i takuar edhe personalisht, sidomos gjatë audiencave të përgjithshme në Vatikan. Vizita tek të sëmurët është vepër mëshire për të krishterët, pasi i bën ata ta ndjejnë ngrohtësinë e afërsinë e dashurisë së të afërmve. Në emisionin e sotëm, do të flasim pikërisht për këtë vepër mëshire.

R.SH. - Vatikan

Në Besëlidhjen e Vjetër dëshmohet qartë rëndësia e vizitës tek i sëmuri dhe këshillohet të zbatohet gjithnjë kjo vepër mëshire: “Mos përto të shkosh t’i shohësh të sëmurët, sepse prej tyre do të jesh i dashur” (Sir 7,39). Kjo nxitje për të vizituar të sëmurët, “bikur cholim” në hebraisht, do të përmendet edhe më tej në letërsinë rabinike. Sipas Talmudit (tekst i shenjtë i hebrenjve, pas Biblës), vizita e të sëmurëve i sjell gjithë botës hir hyjnor, ndërsa “ai, që e viziton të sëmurin, i heq atij një të gjashtëdhjetën e dhimbjes” (Nadarim 39b).

         Por gjithçka, duhet shoqëruar nga dhembshuria, siç na kujton Papa Françesku në mesazhin për Ditën XXII Botërore të të Sëmurit: “Duhet ta shtojmë dhembshurinë, bamirësinë plot respekt dhe delikatesë, duke e ngulitur vështrimin mbi Marinë, Nënë e Krishtit dhe e të gjithë të vuajturve… brenda vuajtjes sonë është vuajtja e Jezusit, i cili e mbart këtë peshë bashkë me ne dhe na zbulon kuptimin e saj. Kur Biri i Zotit u gozhdua në kryq, i dha fund vetmisë së vuajtjes dhe e shndriti errësirën e saj. Në këtë mënyrë qëndrojmë para misterit të dashurisë së Zotit për ne, që na dikon shpresë e guxim: shpresë, sepse në planin e dashurisë së Zotit, edhe nata e dhimbjes hapet para dritës së Pashkëve; e guxim, për të përballuar çdo problem në shoqërinë e Tij, të bashkuar me Të”.

         Për të krishterin, dhembshuria për të sëmurin është dhembshuri për Krishtin, që vuan në kryq e që e ndan atë dhimbje me të sëmurin. Ky i fundit përmbledh në vetvete një mister, siç na e kujton enciklika “Salvifici Doloris” (n.4), ku shkruhet: “Vuajtja njerëzore shkakton dhembshuri, shkakton edhe respekt e, në mënyrën e saj, frikëson. Vërtet, në të përmbahet madhështia e një misteri të veçantë. …Rreth temës së vuajtjes, dy arsye duket se afrohen ndërmjet tyre e bashkohen: nevoja e zemrës, që na nxit të fitojmë mbi frikën dhe, detyrimi për hir të fesë, që na jep përmbajtjen, në emër e për forcën e së cilës guxojmë të prekim atë, që çdo njeriu i duket e paprekshme: sepse njeriu në vuajtje mbetet mister i paprekshëm”.

Vuajtja evokon situata, rrethana, përvoja të dhimbshme, sëmundje e vdekje, të cilat duam shpesh, vetëm t’i harrojmë, por, njëkohësisht, na kujton edhe fitoren e Krishtit mbi vdekjen. Prandaj, përmasa e krishterë e vizitës tek i sëmuri nuk mund t’i lihet improvizimit apo ndjetit të mirë. Ajo kërkon një punë të thellë me vetveten që të jemi të gatshëm t’i përgjigjemi thirrjes së të sëmurit, e cila na nxit të bëjmë pjesë në atë situatë të caktuar, të ndajmë kohën e impenjimin me të, të jemi bujarë, të flijojmë diçka nga vetvetja, pra, ta kapërcejmë vetveten.

Në Ungjillin sipas Lukës, samaritani i mirë na ofron një shembull për t’u ndjekur. I afrohet të plagosurit, i jep ndihmën e parë, e çon në bujtinë dhe i paguan ai shpenzimet për ta mbajtur e për ilaçet. Ai i jep gjithçka mundet këtij të sëmuri: që nga ndihma praktike e deri në ngrohtësinë njerëzore (shih Lk 10,29-37). Prandaj, vepra e parë e mëshirës ndaj të sëmurit është të impenjohemi që të ketë ndihmë shëndetësore të përshtatshme, duke ia plotësuar edhe nevojat ekonomike, nëse është i varfër. Por, i sëmuri ka nevojë sidomos për dashuri, sepse vetë gjendja e tij e varfëron nga kjo pikpamje. E këtu ka hapësirë të madhe për mëshirë, sidomos për ata të sëmurë, që jetojnë vetëm, ose janë larg nga të dashurit e tyre.

Kjo mund të na duket një vepër shumë e vështirë, por na inkurajon ç’na thotë Shën Pali: “Gjithçka mundem me ndihmën e Atij, që më jep fuqi” (Fil 4,13). Duke imituar Jezu Krishtin, që shkon të vizitojë të sëmurët - ashtu siç bëri me vjehrrën e Shën Pjetrit, të cilën e shëroi - secili prej nesh është i thirrur të impenjohet në këtë vepër mëshire për çdo të sëmurë.

08 korrik 2021, 08:36