Kërko

Mons. Eleuterio Fortino, një jetë në shërbim të bashkimit të të krishterëve e të shqiptarëve

Papas Eleuterio Fortino, një jetë në shërbim të bashkimit të të krishterëve e të shqiptarëve. Prifti i shquar arbëresh mons. Eleuterio Fortino qe urë lidhëse mes Kishës Katolike Romake e Kishave Ortodokse e atyre Lindore në përgjithësi, aq sa të quhet kujtesa dhe “shpirti i arkivit” të çështjes ekumenike. Nga pikëpamja kulturore e kombëtare shqiptare, ai qe hallkë mes botës arbëreshe e botës shqiptare

R.SH. - Vatikan

Si sot, më 22 shtator 2010 ndërronte jetë  në Romë arkimandriti mons. Eleuterio F. Fortino, prift arbëresh, teolog, gjiganti i ekumenizmit, bir i ndritur i Arbëreshëve.

Po kujtojmë përvjetorin e ndarjes nga jeta të Arkimandritit arbëresh mons. Eleuterio Francesco Fortino, arbëresh, që jetoi në Romë e Vatikan prej vitit 1965. Funerali i tij u kremtua në kishën e Shën Athanasit në Romë, më 25 shtator e, më pas, trupi u çua në qytetin e tij të lindjes, San Benedetto Ullano, në Kalabri. 11 vjet pas vdekjes, kujtimi i tij mbetet i pashlyeshëm, për punën si teolog, liturgjist, ekumenist, sidomos për shërbimin 40 vjeçar si zv.Sekretar i Këshillit Papnor për Bashkimin e të Krishterëve, me përgjegjësi të veçantë për marrëdhëniet me Kishat e Lindjes.

Figurë poliedrike, mons. Fortino meshtar i ritit bizantin, gëzoi nderimin dhe respektin e të gjithëve pa dallim, pa përjashtim. Njohës i thellë i teologjisë, i spiritualitetit e i kulturës, predikatar e komunikues i jashtëzakonshëm, i përzemërt e mikpritës, kultivues e urë lidhës i marrëdhënieve mes njerëzve, Kishave e kulturave, mons. Fortino gjatë veprimtarisë së tij të shkëlqyeshme që zhvilloi në Romë e në Vatikan, dha një kontribut prej protagonisti tejet të rëndësishëm për dialogun ekumenik të Kishave, për mbarë komunitetin e Arbëreshëve të Italisë si dhe për popullin shqiptar në përgjithësi.

Vetëdija në rritje se të krishterët, megjithëse nuk janë në bashkim të plotë, i përkasin Kishës së vetme të Krishtit, i dha mundësi lëvizjes ekumenike, në periudhën pas Koncilit II të Vatikanit, të bëjë hapa, që më parë s’mund të imagjinoheshin. Njëri prej tyre ishte veçanërisht i dashur për mons. Fortinon: afrimi ndërmjet Kishës Katolike dhe Kishës Ortodokse e ai u bë protagonist i tij. Gjithashtu, mons. Eleuterio Fortino ka theksuar gjithmonë se qendra e ekumenizmit është ekumenizmi shpirtëror, kthimi i zemrave, lutja e përbashkët, dëshmia dhe shenjtërimi i jetës.

Falë punës e largpamësisë së tij, themeloi në Romë rrethin kulturor të Arbëreshëve të Italisë “Besa” duke e bërë Kishën e Shën Athanasit, ku shërbente, pikë referimi për të gjithë besimtarët e krishterë arbëreshë të Romës e për të shqiptarët pa dallim. Shtëpia e tij ishte gjithmonë e hapur. Edhe pse prej vitesh nuk jetonte më në vendet arbëreshe, diti ti mbante të gjalla marrëdhëniet me Eparkinë e Ungros e me Horën e Abëreshëve, si dhe me Kishën Katolike e me atë Ortodokse të Shqipërisë, me Kosovën e me diasporën shqiptare.

Gjatë veprimtarisë së tij të frytshme, ka botuar shumë shkrime teologjike, kulturore, kombëtare dhe shoqërore, ndër to po përmendim qarkoren “Besa” dhe pesëdhjetë “Sussidi catechetici” – “Libra katekizmi”, pastaj librin “Kisha bizantine arbëreshe e Kalabrisë”. Tema e njërit prej vëllimeve të fundit të kësaj serie, “Epèktasis” – “gjithmonë të prirë përpara”, thirrja e krishterë sipas Shën Gregorit nga Nisa, është njëkohësisht sintezë e modus operandi i Arkimandritit Fortino dhe një mesazh drejtuar komunitetit të arbëreshëve e të gjithë shqiptarëve që kanë për detyrë ta ruajnë kujtimin e tij të përjetshëm si thirrje për të “qëndruar të fortë gjatë udhës” drejt amshimit.

Papas Eleuterio Fortino, një jetë në shërbim të bashkimit të të krishterëve e të shqiptarëve

Arkimandriti i shquar arbëresh mons. Eleuterio Fortino qe urë lidhëse mes Kishës Katolike Romake e Kishave Ortodokse e atyre Lindore në përgjithësi, aq sa të quhet kujtesa dhe “shpirti i arkivit” të çështjes ekumenike. Nga pikëpamja kulturore e kombëtare shqiptare, ai qe hallkë mes botës arbëreshe e botës shqiptare. Një jetë e tërë në shërbimi të bashkimit të të krishterëve e të të gjithë shqiptarëve.

Pavarësisht nga angazhimet në nivelin e Kishës Universale, mons. Eleuterio Fortino, me bashkëpunimin e tij të çmuar, ka nderuar e pasuruar edhe Programin Shqip të Radio Vatikanit, që ruan në arkiv biseda e intervista të tij me vlerë. Megjithëse i lodhur prej vuajtjeve fizike shkaktuar nga sëmundja, atij nuk i mungonte kurrë buzëqeshja, fjala e ngrohtë dhe e përzemërt me këdo që takonte.

Mons. Eleuterio Fortino është ndër ata autorë, që shkroi në gazetën e Selisë së Shenjtë “L’Osservatore Romano” për të gjitha ngjarjet madhore që karakterizuan jetën, kulturën dhe zhvillimet shoqërore e politike të shqiptarëve. Shkrimet e tij, gjithmonë të përpikta e kuptimplote, pasqyronin çdo ngjarje me vlerë që përjetonin shqiptarët, duke njoftuar Selinë e Shenjtë dhe botën perëndimore për ecurinë e Atdheut të tij të dashur.

Figura e priftit arbëresh mons. Fortino rrëfehet në dëshminë e njëri prej bashkëpunëtorëve e miqve të tij të ngushtë, prof. Domenico Morelli, arbëresh, president i komitetit kombëtar italian për pakicat gjuhësore e protopslates (kreu) i korit të Kishës së Shën Athanasit në Romë, koordinator i rrethit kulturor të arbëreshëve “Besa”. Ta dëgjojmë në mikrofonin e Radio Vatikanit:

nons. Fortino në dëshminë e prof. Domenico Morelli
22 shtator 2021, 15:08