Kërko

Takim me martirët: i Lumi Fran Mirakaj, bashkёshort, martir

Frani për Kishën e enë qe i gatshëm të ofrohej si fli e papërlyer. Burgimi edhe për të qe një hetuesi sfilitëse shoqëruar me tortura çnjerëzore. Frani i pranoi të gjitha vuajtjet e torturat në emër të Zotit dhe për dashuri të Krishtit e Kishës. U dënua dhe u pushkatua nga regjimi komunist prapa varrezave katolike të Rrmajt në Shkodër. Edhe me gjakun e tij të derdhur atje për koherencën e tij të krishterë, ai vend i atëhershëm është bërë tokë e shenjtë e martirëve të fesë.

R.SH. – Vatikan

Vazhdojmë me ciklin radiofonik tё redaksisë shqipe të Radio Vatikanit - Vatican News “Takim me martirët”. Sot nё pjesën e 36-tё  dom Gjovani Kemal Kokona, na njeh nga afër me figurën, shembullin, porosinë dhe lutjen e tё Lumit Fran Mirakaj, bashkёshort, martir i Kishës katolike në Shqipëri në kohën e diktatures komuniste. 

Kishte një formim të krishterë të qëndrueshëm dhe parime të forta demokratike. Ishte shumë i dashur, i gëzueshëm dhe njeri i paqes. Vuajtjet e jetes do ta burrërojnë Franin dhe do ta bëjnë të jetojë fenë dhe vlerat e krishtera më me intensitet. Sigurimi komunist filloi shpartallimin me terror të këtij grupi e kështu i vjen radha edhe Franit, të cilin e arrestojnë në shtëpinë e tij natën e Krishtlindjes.

Regjimi mendoi të shfrytëzonte autoritetin e Franit kundër Kishës dhe meshtarëve të saj. Me sa duket i kishin bërë llogaritë gabim, sepse Frani për Kishën dhe për fenë qe i gatshëm të dënohej e të ofrohej tamam si fli e papërlyer. Burgimi edhe për të qe një hetuesi sfilitëse shoqëruar me tortura çnjerëzore. Frani i pranoi të gjitha vuajtjet dhe torturat në emër të Zotit dhe për dashuri të Tij dhe të trupit mistik të Krishtit, që është Kisha.

U dënua dhe u pushkatua nga regjimi komunist prapa varrezave katolike të Rrmajt në Shkodër. Edhe me gjakun e tij të derdhur atje për koherencën e tij të krishterë, ai vend i atëhershëm është bërë tokë e shenjtë dhe shenjtërore e heroizmit të martirëve të fesë të Shqipërisë. Dëshmia e Fran Mirakajt qe një dëshmi besnikërie ndaj Ungjillit dhe Papës. Flija e tij ka dhënë portretin e formimit të tij të krishterë, e në emër të Krishtit luftoi dhe vdiq në moshën 30-vjeçare, duke pësuar tortura çnjerëzore. Ra, pra, si martir i Krishtit dhe Kishës.

Po mё tepër mbi figurën dhe shembullin e këtij martiri të Kishës katolike tё dëgjojmë dom Gjovani Kokona:

Tё dëgjojmë dom Gjovani Kokona:

I lumi martir Fran Mirakaj, bashkëshort i përkushtuar dhe baba i pesë fëmijëve, nga të cilët mbijetuan vetëm tri vajza, është dëshmia më e gjallë se çdo i pagëzuar është i thirrur në shenjtëri.

Frani lindi më 13 gusht 1916 në Kodër-Qurk të Iballës së Pukës, nga Pjetër Mirakaj dhe Pulë Zefi dhe u pagëzua në kishën famullitare në festën e Zojës më 15 gusht. Pos prindërve, kjo familje përbëhej prej Franit dhe dy motrave: Mrika dhe Suta. I jetoi vitet e para të fëmijërisë në një klimë të ngrohtë familjare dhe thellësisht shpirtërore. Qysh i vogël shfaqet shumë i shoqërueshëm me moshatarët e vet. Babai i tij, tregtar, ishte shumë i vlerësuar dhe kishte ndikim e autoritet në zonë. Pikërisht ky autoritet, prestigj dhe aftësi do të ngjallin jo pak xhelozi dhe një natë feste vritet nga një mysliman bashkëfshatar, i cili ishte edhe mik i tij. Ky, i fshehur në kopshtin para shtëpisë së Pjetrit, e qëlloi, ndërsa dera ishte e hapur, duke e goditur për vdekje, e i njëjti plumb që përshkoi Pjetrin, goditi në kokë edhe të shoqen e tij shtatzënë e cila edhe ajo vdiq menjëherë.

Kështu festa u shndërrua në një tragjedi të vërtetë. Ishte viti 1926. Kështu Frani, 10 vjeç, me motrat Mrikën, 12 vjeçe, dhe Sutën, 2 vjeçe e gjysmë, u rritën nga gjyshërit dhe axhët. Kjo klimë vuajtjeje do ta burrërojë Franin dhe do ta bëjë të jetojë fenë dhe vlerat e krishtera edhe më me intensitet. Bëri vetëm një vit shkollë e si djalë i vetëm iu desh t’i futej punës. Për t’u dhënë kurajë motrave e kishte zakon t’u thoshte: “Mos u trishtoni, sa të jem gjallë do të kujdesem për ju”.

Nga i ati trashëgoi një natyrë të gjallë e të shkathët. Motra e vogël, Suta, e ka përshkruar kështu të vëllain kur ishte i vogël: “Frani ishte një fëmijë shumë i mençur dhe nuk kishte asnjë ves. Që i vogël shërbente në Meshën shenjte dhe kur u rrit ishte i kujdesshëm ndaj rregullave të kreshmëve. Përgatitej shpirtërisht për të marrë me fryt Kungimin. E luste me këndim rruzaren dhe kujdesej që ne motrat e tij të mos linim pas dore sakramentin e Rrëfimit. Kur qe më i rritur, ditët e festave vizitonte familjet e ngujuara”. Ndërsa vajzat e tij, Dila dhe Agia, dëshmojnë se nëna e tyre u ka treguar se i ati e kishte kthyer shtëpinë në një lloj shenjtëroreje. E ëma u tregonte se në shtëpi kishte 15 figura, që mbetën aty deri kur ajo vite më vonë u shpërngul te vajza në Pukë. Frani, përveç nderimit për Virgjërën Mari, kishte një devocion të veçantë edhe për shën Kollin dhe shën Sebastianin.

Siç dëshmojnë, nga karakteri ishte shumë i dashur, i gëzueshëm dhe njeri i paqes. Kur lindi vajza e fundit, Agia, e shoqja e Franit, Prenda, ishte e mërzitur se nuk ishte djalë, por Frani i thotë se nuk duhet të bëjë dallime e se çdo fëmijë është një dhuratë e Zotit. Me atë shkathtësinë e tij hapi një dyqan të vogël dhe erdhi duke e zgjeruar tregtinë duke hapur më vonë edhe pika të tjera shitjeje me prodhime që i merrte sa në Gjakovë e sa në Shkodër.

Ai, duke ecur kundër rrymës e mentalitetit, nuk u kujdes të merrte gjakun e prindërve. Ai kishte një formim të krishterë të qëndrueshëm dhe parime të forta demokratike. Për këtë qëndrim të tij të krishterë shpesh miqtë i thoshin se do të kishte bërë më mirë të ishte bërë prift. Siç dëshmon e motra e tij, Suta, Frani, veçanërisht për festën e shën Kollit u jepte falas më të varfërve. Për qëndrimin e tij ndaj më të varfërve merrte nganjëherë kritika nga e shoqja, por ai i përgjigjej: “Nuk mund t’i shërbejmë Zotit dhe të tjerëve, nëse nuk heqim dorë nga diçka”. Siç i tregon një ish-i burgosur motrës së Franit, kur: “një ditë më torturuan shumë, më lanë në qeli me Franin. Ai duke më parë të dridhesha nga të ftohtët, e hoqi pallton e ma dha mua”. Nuk kishte qenë kurrë luftënxitës as i dhunshëm, por situata e krijuar nga dhuna komuniste e nxiti të fillojë të ndihmojë ata që në ato rrethana ishin më të varfrit: familjet e të arratisurve e të të persekutuarve. E bëri këtë i shtyrë nga dashuria e Krishtit për të qenë i dobishëm për të mirën e të tjerëve.

Kur pushtetin e mori regjimi komunist, Franit, tamam si Matatisë së Makabenjve, i “gufoi zemra” dhe i shtyrë nga shpirti i tij i bujarisë dhe i dashurisë, e ndjeu për detyrë të bënte diçka në mbrojtje të fesë, të Kishës, të atdheut. Atëherë u lidh në Shkodër me grupin e seminaristit Mark Çuni e të rinj të tjerë që mendonin të shfrytëzonin zgjedhjet e dhjetorit 1945 për të bllokuar sadopak këtë terr ogurzi që kishte mbuluar Shqipërinë, lëvizje që bazohej mbi parimet e krishtera dhe demokratike të theksuara nga Papët dhe të pranuara edhe prej klerit shqiptar.

Pas zgjedhjeve, Sigurimi filloi shpartallimin me terror të këtij grupi e kështu i vjen radha edhe Franit, të cilin e arrestojnë në shtëpinë e tij natën e Krishtlindjes. Prej Iballës e çojnë në Pukë e më pas në Shkodër ku e lënë në të njëjtën qeli me të Lumin, djaloshin 20-vjeçar, Gjelosh Lulashi. Regjimi mendoi të shfrytëzonte autoritetin e Franit kundër Kishës dhe meshtarëve të saj. Me sa duket i kishin bërë llogaritë gabim, sepse Frani për Kishën dhe për fenë qe i gatshëm të dënohej e të ofrohej tamam si fli e papërlyer. Burgimi edhe për të qe një hetuesi sfilitëse shoqëruar me tortura çnjerëzore.

Dom Luigj Kçira, atëherë 21 vjeç, që gjendej në burg me të, dëshmon: “Një ditë e pashë nga shkallët, i kishte sytë plot gjak për shkak të rrymës elektrike vënë në veshë, me të cilën e torturonin. Kur e pashë si e kishin katandisur, mendova se nuk do të kishte jetuar gjatë. E pashë përsëri gjatë gjyqit dhe i thashë: «Fran, a gjallë je, a?» Dhe ai m’u përgjigj: «Këta të çojnë në pikën e vdekjes dhe pastaj të sjellin përsëri në vete»”. Kur pas torturave e çonin në qeli, shokët e pyesnin si ishte, dhe ai, edhe pse i mbaruar prej torturave, u thoshte: “Jam mirë. Gjithçka qoftë për lavdi të t’Madhit Zot”. Njëherë kur e shoqja shkoi ta takonte në burg, i çoi pak kos. Roja e mori, por s’vonoi dhe ia ktheu. Kur ajo më vonë e hapi, gjeti brenda një pusullë në të cilën shkruhej: “Kujdesu për vajzat, unë po vdes për fe. Mos u shqetëso, sepse Krishti do të kujdeset për rritjen e tyre”. Frani i pranoi të gjitha vuajtjet dhe torturat në emër të Zotit dhe për dashuri të Tij dhe të trupit mistik të Krishtit, që është Kisha.

Gjyqi filloi në fund të janarit 1946 e përfundoi me 22 shkurt. Siç e ka përshkruar atë Zef Pllumi, gjatë gjithë kësaj kohe grupi i të akuzuarve shoqërohej gjatë udhës nga burgu në sallën e gjyqit dhe anasjellas nga të rinj komunistë fanatikë që çirreshin duke kënduar “Hakmarrje rini, dëshmori thërret” e duke i sharë, pështyrë, me shtyrje e kërcënime. Natyrisht që kjo gjykatë, sa për emër e tillë, nuk e mori parasysh kërkesën e avokatëve mbrojtës se duhej të zhvilloheshin hetime, pasi “organizata” nuk kishte zhvilluar asnjë veprimtari. Gjyqi ushtarak vazhdoi me konfirmimin e atij vendimi që ata e kishin marrë kohë përpara e që për Franin ishte vdekje me pushkatim. Është mister kërkesa e Gjykatës së Lartë të Tiranës, e cila kërkon kalimin e akteve të gjyqit të Franit për rishikim në Tiranë e në këtë mënyrë ai nuk u ekzekutua me të tjerët. Kjo nuk do të thotë se do të ketë ndonjë ndryshim për të, në fakt ai vendim i dhënë në Shkodër do të konfirmohet për t’u ekzekutuar në shtatorin e vitit 1946. Djallëzia e shtyrjes së vendimit u kuptua, kur në Tiranë u munduan ta joshnin me faljen e jetës, nëse do të pranonte të dëshmonte kundër dy të akuzuarve të tjerë, por Frani me vendosmëri iu përgjigj hetuesve se jetën ia kishte dhënë Ai që e kishte krijuar dhe se për të po e flijonte.

Franit i shkon për shtat fjala e urtë “Thyhem, por nuk përkulem”. U pushkatua prapa varrezave katolike të Rrmajt në Shkodër. Edhe me gjakun e tij të derdhur atje për koherencën e tij të krishterë, ai vend i atëhershëm është bërë tokë e shenjtë dhe shenjtërore e heroizmit të martirëve të fesë të Shqipërisë. Dëshmia e Fran Mirakajt qe një dëshmi besnikërie ndaj Ungjillit dhe Papës. Flija e tij ka dhënë portretin e formimit të tij të krishterë, e në emër të Krishtit luftoi dhe vdiq në moshën 30-vjeçare, duke pësuar tortura çnjerëzore. Ra, pra, si martir, me keqardhjen dhe admirimin e gruas së tij, të tri vajzave të vogla, të motrave të tij, të të gjithë familjarëve të tij dhe të shumë admiruesve katolikë dhe myslimanë. Ai u tregua koherent me fenë e vet dhe Kisha, me shpalljen e tij “të lumë”, e njohu zyrtarisht shenjtërinë e Fran Mirakajt. Frani me qëndrueshmërinë e tij na fton edhe ne sot që të rritemi në shenjtëri duke jetuar koherent me pagëzimin tonë.

Lutja për Kanonizimin si dhe për të kërkuar hire të nevojshme

Trini e Shenjtë,

Atë e Bir e Shpirt Shenjt,

Ty të qofshin lavdi, ndera e bekimi,

që ia ke dhuruar Kishës së shenjtë

të Lumin Fran Mirakaj,  besimtar laik,

si model besnikërie ndaj Krishtit

dhe dashurie të pakushtëzuar ndaj vëllezërve.

Të lutemi me përvujtëri:

ashtu si u denjove ta lumnosh në Qiell,

denjohu ta lavdërosh edhe këtu mbi tokë

duke na dhënë hirin që aq shumë e dëshirojmë

e që, me ndërmjetësinë e tij, me besim të kërkojmë

(në këtë moment shprehet kërkesa).

Besojmë në Ty, o Zot. Ardhtë Mbretëria jote! Amen.

Ati ynë. Të falemi Mari. Lavdi Atit …

16 janar 2022, 08:54