Kërko

Logoja e Ditës së Miqësisë ndërmjet Kishës Katolike e Kishës Kopto-Ortodokse, që kremtohet çdo 10 maj, në kujtim të takimit ndërmjet Papës Françesku dhe Patrikut Tawadros II, më 10 maj 2013 Logoja e Ditës së Miqësisë ndërmjet Kishës Katolike e Kishës Kopto-Ortodokse, që kremtohet çdo 10 maj, në kujtim të takimit ndërmjet Papës Françesku dhe Patrikut Tawadros II, më 10 maj 2013

Çelësi i fjalëve të Kishës: të krishterët e Lindjes së Mesme, linja jakobite

Në vijim të ciklit tonë mbi të krishterët e Lindjes së Mesme, sot, do të shohim të ashtuquajturën “linjë miafizite, ose jakobite”. Javën e kaluar, ju folëm për nestorianët, që bazohen mbi Patrikun Nestor, sipas të cilit Zoja e Bekuar mund të konsiderohej Nënë e Krishtit e jo Nënë e Zotit, pra, s’mund të quhej Theotókos (Hyjlindëse), duke u dhënë kështu shkas problemeve mbi natyrën e Krishtit. Ndërkaq, miafizitët pranojnë se në Krishtin ka “një natyrë të vetme të mishëruar të Zotit Fjalë"

R.SH. – Vatikan

Koncili  kishtar i Efesit i vitit 431 nuk e zgjidhi çështjen kristologjike. Nëse Nestori e pati ndarë në tepri natyrën njerëzore e hyjnore të Krishtit, pas tij, u kalua në mohimin e njërës prej saj. Në veçanti, murgu Eutik, me shumë ndikim në oborrin e perandorit të Lindjes Teodosi II, argumentonte se në Krishtin, natyra hyjnore e anuloi atë njerëzore, duke i dhënë kështu jetë monofizizmit (një natyrë). Kjo doktrinë u dënua nga Patriku i Kostandinopojës Flaviani, gjatë një sinodi lokal të vitit 448. Megjithatë, një vit më vonë, më 449, Patriku i Aleksandrisë Dioskori, i cili e mbështeti Eutikun, arriti të mbledhë një koncil në Efes, në të cilin monofizizmi u imponua me forcë. Flaviani nuk mundi ta lexonte letrën, që i kishte dërguar Papa Leoni, në të cilën konfirmohej dënimi i monofizizmit. Ai u hoq me forcë nga detyra dhe vdiq pak më vonë, për shkak të goditjeve, që i dhanë.

“Vjedhja e Efesit”

Në përgjigje të këtij shkandulli, Papa Leoni e zhvlerësoi koncilin kishtar, duke e anuluar e duke e quajtur “vjedhja e Efesit”. Dy vite më vonë, më 451, duke përfituar nga vdekja e perandorit Teodosi II dhe nga hipja e Marcianit në fronin perandorak, Papa arriti të mbledhë një koncil të ri kishtar në Kalcedoni (sot Kadıköy, në periferi të Stambollit), ku nuk mundi të merrte pjesë personalisht, pasi u ndalua në Itali, i kërcënuar nga hunët e Atilës. Megjithatë, me nxitjen e legatëve papnorë, Koncili Kalcedonisë dënoi Eutikun dhe Dioskorin, rehabilitoi Flavianin, duke marrë si bazë letrën drejtuar atij nga Ati i Shenjtë. “Në fakt – u shprehën etërit konciliarë – ajo është në harmoni me besojmën e Pjetrit të madh dhe është për ne, shtyllë e përbashkët”. Rrjedhimisht, Koncili u mësoi të krishterëve të besonin në një Krisht të vetëm “me dy natyra, të pangatërruara me njëra-tjetrën, pa ndryshime, pa ndarje, pa shkëputje nga njëra-tjetra”. Sipas fjalëve të një teologu të madh bashkëkohor, Hans Urs von Balthasar, “Zot dhe njeri jo të ndarë, por të kombinuar; ...kristologji biblike, riformuluar në formën greke të mendimit, sipas frymëzimit papnor romak”.

Formulimi miafizit

Megjithatë, formula kalcedonase nuk u pranua në Egjipt, ku shumica e Kishës vendase, me bindje murgare, parapëlqeu t’i përmbahej shprehjes së Cirilit, “natyra e vetme e mishëruar e Zotit Fjalë”. Ky formulim quhet miafizit (një natyrë), por nuk duhet ngatërruar me qëndrimin monofizit të Eutikut dhe të pasuesve të tij, pasi termi “natyrë” te Cirili nuk ka të njëjtin kuptim si në shprehjen e miratuar në Koncil. Ky fakt, për të cilin ishin më se të vetëdijshëm disa Etër të Kishës si Gjon Damasheni, në vitin 1973, çoi në nënshkrimin e një deklarate të përbashkët ndërmjet Papës Pali VI dhe Shenouda III, Patrikut të Kishës Kopte.

Dokumenti, megjithëse pranon ndryshimet teologjike, njeh përputhshmërinë thelbësore të dy formulimeve. Jo më kot, ky tekst u kujtua në deklaratën e përbashkët të nënshkruar në Kajro, më 28 prill 2017, gjatë vizitës së Papës Françesku në Egjipt. Në këtë deklaratë të re, Papa Françesku dhe Papa Tawadros II, pasardhës i Shenouda III në krye të Kishës Kopte, pohojnë edhe se do të përpiqen “të mos e përsërisin Pagëzimin e mbarështuar në njërën nga Kishat tona për këdo, që dëshiron të kalojë tek tjetra... duke iu bindur Shkrimit Shenjt dhe fesë së shprehur në tre Koncilet Kishtare Ekumenike, kremtuar në Nike, Konstandinopojë dhe Efes”.

Mbizotëruan forcat në favor të ndarjes

Gjithsesi, në kohën për të cilën po flasim, mbizotëruan forcat në favor të ndarjes. Në Egjipt e më vonë, në Siri, u krijuan dy hierarki paralele, në konkurrencë ndërmjet tyre, njëra prej të cilave pranonte Koncilin Kishtar të Kalcedonisë, ndërsa tjetra e refuzonte atë. Përsa i përket Sirisë, në shekullin VI, luajti rol vendimtar Giacomo apo Jakob Baradeo, shuguruar ipeshkëv në vitin 543 nga patriku kopt (prej nga rrjedh emërtimi i diskutueshëm i “jakobitëve”, që i atribuohet Kishës Miafizite). Më vonë, edhe Kisha armene, e cila nuk kishte mundur të dërgonte delegatët e saj në Kalcedoni, për shkak të pushtimit persian të vendit, miratoi qëndrimin miafizit (shek. VI).

Kishat ortodokse të linjës jokalcedoniane

Nga linja jokalcedoniane rrjedhin sot Kisha Kopto-Ortodokse (Patrikana e Aleksandrisë, tashmë, e transferuar në Kajro), e cila është më e madhja në gjirin e bashkësive të krishtera në Lindjen e Mesme; Kisha Siro-Ortodokse (Patrikana e Antiokisë, tashmë, e transferuar në Damask), e cila është e përhapur kryesisht në Siri, në Irakun verior dhe në rajonin Tur 'Abdin të Turqisë; e Kisha Apostolike armene, e organizuar me dy catholicói (në Echmiadzin të Armenisë – selia kryesore – dhe në Cilicë, tashmë, seli e transferuar në Liban). Që nga kohët e lashta, Kisha Kopto-Ortodokse, Patriku i së cilës mban titullin Papa i Aleksandrisë dhe i predikimit marcian, e ka përqendruar veprimtarinë e saj misionare përgjatë Luginës së Nilit, në veçanti në Etiopi dhe në Eritre, ku sot kemi dy Kisha autoqefale (të pavarura) të traditës kopte, pra, për rrjedhojë, miafizite. Që nga viti 1665, Kisha Siro-Ortodokse ka lidhje të ngushta me Keralën (Indi), ku Kisha Ortodokse Siro-Malankareze është aktualisht në bashkim me Patrikanën e Antiokisë.

Lindin Kisha Katolike

Të marra së bashku, këto Kisha quhen “ortodokse lindore”, për t’i dalluar nga Kishat ortodokse të traditës bizantine (greke, ruse, gjeorgjiane, bullgare etj.). Me reformën katolike të shekujve XVI dhe XVII, misionarët e ritit latin, të dërguar në Lindjen e Mesme, u përpoqën ta bashkonin secilën prej këtyre Kishave me Romën. Por, këto bashkime ishin vetëm të pjesshme dhe bënë të lindin pesë Kisha katolike të ritit lindor: Kisha Kopto-Katolike (më 1895, por bërthama e parë daton më 1741, me seli patriarkale në Kajro), Kisha Siro-Katolike (më 1783, por përpjekja e parë daton më 1662, me seli historike patriarkale në manastirin Charfeh të Libanit, ndërsa sot, në Bejrut), Kisha Armeno-Katolike (më 1742, me seli historike patriarkale në manastirin Bzommar të Libanit, ndërsa tani në Bejrut), Kisha Etiopo-Katolike (më 1961, por fillimet duhet të konsiderohen në shekullin XVII) dhe në Indi, Kisha Siro-Malankareze (më 1932). Secila prej tyre e ka njëlloj liturgjinë si “motra” e tyre ortodokse lindore, por njeh autoritetin e Papës dhe të Koncileve ekumenike.

12 maj 2022, 09:05