Kërko

Mozaiku i Zojës Nëna e Kishës Mozaiku i Zojës Nëna e Kishës 

Pyetje maji: “Kush është Maria?”. “Mater Ecclesia”- “Nëna e Kishës"

Kush është Maria? T’ia bëjmë vetes këtë pyetje në majin kushtuar Zojës së Bekuar. Asaj, që e shikon dhe e bekon njerëzimin nga një vend i dukshëm i Sheshit të Shën Pjetrit, duke i kujtuar edhe një ngjarje të paharrueshme.

R. SH. - Vatikan

Shtegtari a turisti, që shkel në Sheshin e Shën Pjetrit, shikon menjëherë, në krahun e Pallatit Apostolik, mozaikun e Zojës së Bekuar me titullin “Mater Ecclesia”. Në bazën e mozaikut, që paraqet Virgjërën Mari me Krishtin Fëmijë në krahë, është vendosur stema e Gjon Palit II dhe motoja “Totus Tuus - Krejt Yti”. Figurja, me lartësi më se dy metra e gjysëm, që u vendos aty ndërmjet nëntorit e dhjetorit 1981, ka një histori, që meriton të tregohet, aq më tepër në sa jetojmë ditët e majit të Marisë, duke përkujtuar edhe atentatin e 13 majit 1981, kundër Papës Wojtyla.

Kur, pas atentatit, Papa Gjon Pali II u rikthye në Vatikan nga Poliklinika Gemelli, drejtuesit e Governatoratit po studionin mundësinë e vendosjes së një shenje të dukshme në kalldrëmin e Sheshit të Shën Pjetrit, në zonën ku u qëllua Papa, për të kujtuar këtë faqe të dhimbshme të historisë së Kishës, por edhe për të dëshmuar shenjën e mbrojtjes qiellore.

Po Gjon Pali II shprehu menjëherë dëshirën që, në një vend të dukshëm të Sheshit, të vendosej një figure e Zojës së Bekuar. Zoja me Foshnjën, e cila, gjatë papnisë së Palit VI qe restauruar mirë e pastaj qe quajtur “Mater Ecclesia”, për kujtim të datës 21 nëntor 1964, kur Papa Montini, gjatë Koncilit II të Vatikanit, e pati shpallur Virgjërën Mari, Nënë e Kishës.

Figurë e pasur me kuptim e histori, sepse afresk i vendosur në tremen e bazilikës së lashtë kostandiniane. Një nga veprat e pakta të artit, që shpëtoi e u mbart në Bazilikën e re, pas përfundimit të Kupolës mikelanxholeske, në vitin 1607, për t’u kurorëzuar në vitin 1645. U vendos të riprodhohej me artin e mozaikut pikërisht ky afresk historik, i titulluar “Mater Ecclesia”. Më 8 dhjetor 1981 Gjon Pali II, para se të kremtonte lutjen e Engjëllit të Tënzot, e bekoi figuren mariane, simbol i mbrojtjes qiellore mbi Papën mbi Kishën e mbi të gjithë ata, që arrijnë në Sheshin e Shën Pjetrit.

Veç kësaj shenje, në kalldrëmin e Sheshit u vendos një pllakë mermeri me stemën e Papës Wojtyla, për të treguar pikën e saktë ku u qëllua e ra.Tani shtegtari a turisti, që shkel në Sheshin e Shën Pjetrit, e shikon menjëherë Nënën e Kishës dhe e ndjen në shpirt se Zoja është aty, në Sheshin ku rreh zemra vigane e katolicizmit, për t’i kujtuar se ai, e mbarë njerëzimi, besimtar a jo, është në ndore të Nënës së Kishës.

14 maj 2022, 12:25