Kërko

2022.05.14 Canonizzazione del Beato Charles de Foucauld 2022.05.14 Canonizzazione del Beato Charles de Foucauld

Charles de Foucauld : Zoti im, nëse ekziston, më ndihmo të të njoh…

Po kujtojmë britmën, që doli nga shpirti i një njeriu, i cili nuk e besonte Zotin, Charles de Foucauld, ndërsa ishte në kërkim të vazhdueshëm të Tij, si shumëkush …Një njeriu, që sot u lartua në nderimet e altarit!

R.SH. - Vatikan

“Zoti im, nëse ekziston, më ndihmo të të njoh!”. Kush e lexon jetëshkrimin e  Charles de Foucauld mbetet i prekur në shpirt nga kjo britmë feje, që e përshkoi gjithë jetën e tij - deri më sot - kur e shikojmë në altar, pasi shtegtoi mbi dhe me këtë britmë në gojë e në zemër. “Më ndihmo!”. Nëse ekziston!”. Sa vetë ia bëjnë këtë pyetje “Zotit të panjohur”. “Të patakuar”. E presin përgjigje në heshtje! Po ai nuk u mjaftua me pritjen. Me heshtjen. Donte ta gjente Zotin! T’ia dëgjonte zërin…

Braktisi, prandaj, gjithçka e gjithkënd, në kërkim të Krishtit. U vu për rrugë shpirtërisht e fizikisht,  derisa arriti në fund të shkretëtirës së Saharës, ndër Tuaregë, ku flijoi jetën, i vrarë, më 1 janar 1916, gjatë një ndeshjeje ndërmjet ushtarëve me rebelët. Realizonte kështu një ëndërr. Kishte ëndërruar gjithnjë të vdiste për fenë.

Në fillim të tetorit 1886 - shkruan në ditar - pas gjashtë muajsh kaluar në gjirin e familjes, në Paris, ndërsa shtypja në makinë shkrimet e mia kushtuar shtegtimit në Marok… nisa të shkoj në Kishë, pa qenë besimtar. Nuk e ndjeja veten mirë askund tjetër, veçse në këtë vend, ku kaloja orë të tëra duke përsëritur një lutje. Vetëm një: “O Zoti im, nëse ekziston, më ndihmo të të njoh!”.

15 maj 2022, 10:41