Kërko

Chiesa in Amazzonia, 2018.08.23 Chiesa in Amazzonia, 2018.08.23

Armëpushim për Amazonën: e kërkojnë ipeshkvijtë brazilianë nga Asizi

Qyteti i Shën Françeskut, Asizi ishte vendi i zgjedhur nga prelatët “që të falënderonin Zotin për forcimin e bashkimit me Papën Françesku, i cili i inkurajoi në misionin për t’i përballuar sfidat e mëdha të Amazonës dhe për të manifestuar angazhimin e tyre ndër shtigjet e reja, propozuar në takimin jubilar të Santarem, në qershor 2022”. Ndalesa në qytetin Umbrian, në fund të vizitës ad limina

R.SH. - Vatikan

Mirënjohje dhe përkushtim: me këto dy ndjenja ipeshkvijtë e zonave të Veriut 2 (Tocantins dhe një pjesë e Mato Grosso) dhe të Veriut 3 (Shtetet e Para dhe Amapá) përfunduan, të shtunën e kaluar, vizitën e tyre ad limina. Asizi ishte vendi i zgjedhur “që të falënderonin Zotin për forcimin e  bashkimit me Papën Françesku, i cili i inkurajoi në misionin e tyre përballë sfidave të mëdha të Amazonës dhe për të treguar përkushtimin e ecjes në rrugët e reja, të propozuara në takimin jubilar të Santarem, mbajtur në qershor 2022”.

Kohë e re drejtësie

Gjatë Meshës, kremtuar në Porziuncola, në zemër të Bazilikës asiziane të Shën Marisë së Ëngjëjve, ipeshkvijtë nënshkruan një letër, titulluar: “Mirënjohje dhe angazhim”, lidhur me shpalljen urgjente të një jubileu- armëpushimi për Amazonën. Sipas tyre, Amazona është “e shkretë, me vuajtje të mëdha si për popujt, ashtu edhe për krijimin, duke e ditur se deri tani gjithçka e krijuar në ato vise “rënkon dhe vuan… si  grua  në dhembjet e lindjes” (Rom 8:22). Jubileu - shkruajnë ata - do të ishte një kohë e re e drejtësisë dhe e paqes, e çlirimit të tokave dhe të ujërave, e ligjit dhe e qytetarisë së rajonit, e shlyerjes së borxheve shoqërore, kohë dinjiteti dhe respekti për jetën në çdo kuptim.

Më pas, ipeshkvijtë e vendosën këtë letër, së bashku me një qiri, mbi varrin e Shën Françeskut, në Bazilikën që i kushtohet, ndërtuar menjëherë pas vdekjes së Shenjtit, përkujdesur nga françeskanët e Urdhrit të Fretërve  të Vegjël Konventualë. Atje kërkuan ndërmjetësimin e të Vobegtit për Amazonën dhe u pritën nga famullitari i Bazilikës, Fra Teófili. Asizi u zgjodh nga ipeshkvijtë për këtë akt, sepse është vendi i Shën Françeskut, i Varfanjakut, i shenjtit që 800 vjet më parë zbuloi vëllazërimin kozmik dhe i këndoi Zotit himnin e pavdekshëm për krijimin: “Këngën e Krijesave”.

Shën Françesku dhe Amazona

Ipeshkvijtë brazilianë pranojnë se misticizmi i Françeskut është burim frymëzimi: “Misticizmi i Françeskut të Asizit mund ta shpëtojë Amazonën. Kjo mistikë mund të frymëzojë vitin jubilar - armëpushimin – që do t’i japë fund dhunës kundër popujve indigjenë, quilombolas, popujve të lumenjve dhe të gjithë mbrojtësve të popujve tradicionalë të territoreve dhe biomës amazonike”.

Me përfundimin e vizitës në rajonet veriore 2 dhe 3, në muajt korrik dhe gusht do të ketë një pauzë për praninë e ipeshkvijve brazilianë në Romë. Rajonet e pritshme janë Perëndimi 1 dhe 2 (Mato Grosso dhe Mato Grosso do Sul). Vizita ad limina e ipeshkvijve të tyre është planifikuar për 9 shtator.

04 korrik 2022, 15:44