Kërko

Motër Ollga Dulaj Motër Ollga Dulaj 

Motër Ollga Dulaj, eprorja e re provinciale e Motrave françeskane të Zojës së Papërlyer

Në përfundim të kapitullit XIX provincial, që u mbajt javën e fundit të qershorit, në Shkodër, motër Ollga Dulaj, u zgjodh eprore e Françeskaneve të Zojës së Papërlyer në Malin e Zi. Pason në detyrë motrën Lidia Kqira, e cila kryesoi Provincën e Malit të Zi për tetë vite me radhë, me shumë zell e dashuri, pavarësisht nga vështirësitë

R.SH. – Vatikan

Një nga bashkëpunëtoret e hershme të Radio Vatikanit, motra Ollga Dulaj, u zgjodh këto ditë eprore provinciale e Françeskaneve të Zojës së Papërlyer në Malin e Zi. Lindur në Zym të Kosovës, më 16 korrik 1971, që prej 27 vitesh murgeshë, me doktoraturë në Moral, motra do ta udhëheqë provincën malazeze për katër vitet e ardhshme.

Kështu vendosi kapitulli i XIX provincial, që u mbajt në Shkodër, gjatë javës së fundit të qershorit. Ai u hap të dielën, më 25 qershor, me meshën e kremtuar nga kryeipeshkvi metropolit i Shkodër-Pultit, imzot Angelo Massafra, në praninë e Eprores së përgjithshme të kongregatës, motër Petra Rosenberg, të zëvendëses së saj, motër Loreta Lekaj, si edhe të Këshilltares së përgjithshme, motër Hana Kqira e të 34 delegateve. Punimet e kapitullit, me paraqitjen e raporteve për punën 4-vjeçare të motrave françeskane, si edhe me perspektivat për të ardhmen, u përqendruan rreth temës “Në ndjekjen besnike të Jezu Krishtit, me qëndrueshmëri e jetësojmë identitetin dhe karizmën tonë”. Meshët e përditshme u kremtuan nga meshtarët sivëllezër françeskanë, ndërsa në solemnitetin e Shën Pjetrit e të Shën Palit, e kryesoi Eukaristinë, nunci apostolik në Shqipëri, imzot Luigi Bonazzi.

Motër Ollga, së cilës i urojmë nga zemra suksese në punë e në jetë, zëvendësoi një tjetër murgeshë të dashur për programin shqip të Radio Vatikanit, motrën Lidia Kqira, e cila kryesoi Provincën e Malit të Zi për tetë vite me radhë, me shumë zell e dashuri, pavarësisht nga vështirësitë. Tri këshilltaret e motrës Ollga Dulaj, që do ta ndihmojnë në punën e saj gjatë katër viteve të ardhshme janë françeskanet Kristijana Thaqi, Andrea Dashi dhe Hanë Rushaj. Kërkojnë nga të gjithë lutje, që Zoti t’u dërgojë hire e bekime për t’u bërë ballë nevojave të Kishës në ditët e sotme dhe sfidave të shumta në të ardhmen.

04 korrik 2022, 14:31