Kërko

Frate Francesco. Rivista di cultura francescana’ (annata 88 dell’anno 2022, pp. 7-35 – Frate Francesco – rivista · Centro Culturale Aracoeli) da p. Aleksander Horowski Frate Francesco. Rivista di cultura francescana’ (annata 88 dell’anno 2022, pp. 7-35 – Frate Francesco – rivista · Centro Culturale Aracoeli) da p. Aleksander Horowski

Një lutje e pabotuar e Shën Françeskut për paqen

“Ju, o bij të njerëzve, lëvdojeni Zotin e lavdisë mbi çdo gjë, madhërojeni dhe lartësojeni shumë! Përlëvdojeni në shekuj të shekujve, që çdo nder dhe lavdi në lartësi t’i takojë Zotit, Krijuesit të Gjithëpushteshëm, e mbi tokë të ketë paqe për njerëzit vullnetmirë! I mahnitshëm është ky Mbret paqësor, mbi të gjithë mbretërit e gjithë universit: Zoti Hyj, Krijuesi ynë, Shëlbuesi dhe Shpëtimtari ynë, Këshilltari dhe Ligjvënësi ynë i admirueshëm!”.

R.SH. - Vatikan

E panjohur deri më sot lutja e Françeskut të Asizit, botuar në Revistën e kulturës françeskane “Vëllai Françesku” (annata 88 dell’anno 2022, pp. 7-35 – Frate Francesco – rivista · Centro Culturale Aracoeli) nga fra Aleksander Horowski, kryetar i Institutit Historik të Kapuçinëve dhe redaktor i  “Bibliographia Franciscana”.

Pas paraqitjes së hollësishme dhe përpara botimit të tekstit origjinal në latinisht, pasuar nga përkthimi në italisht, kujton agjencia ACI Stampa, studiuesi shkruan: “Në dritën e këtyre elementeve së bashku me rezultatet e burimeve dhe fjalorin e Oratio, këtë lutje - deri në pohimin e mundshëm të së kundërtës - mund ta konsiderojmë si tekst të vërtetuar, dalë nga pena e Françeskut”.

At Aleksander Horowski nënvizon edhe rëndësinë e zbulimit, veçanërisht në këtë periudhë:

“Zbulimi, pas kaq shekujsh, i një teksti të pabotuar të Shën Françeskut të Asizit është lajm i rëndësishëm nga pikëpamja fetare dhe historike. Por është edhe emocionues, sepse pa pritur e pa kujtuar arrin përsëri në veshët tanë zëri i Françeskut, që na flet për “paqe”. Gjë që vlen edhe më shumë sot, duke pasur parasysh çastin historik dhe përpjekjet e Papës, me emrin e Shenjtit, për t’ia kursyer botës një ndeshje të re planetare, ndoshta atomike”.

I kërkuam të na e shpjegonte vlerën e këtij 'zbulimi':

“Zbulimi, ose më mirë rizbulimi i këtij teksti (sepse ai u identifikua qysh në vitin 1974 dhe më pas u transferua në shkrime me autorësi të dyshimtë, pa u botuar), mbi të gjitha na bën të kuptojmë rëndësinë që kishte liturgjia si për formimin kulturor e teologjik të Shën Françeskut, ashtu edhe për mënyrën e tij të lutjes. Për shenjtin asizian, tekstet liturgjike (antifonat e breviarit, leximet biblike të pranishme në Meshar, sekuencat dhe himnet) janë burim frymëzimi për të shkruar lutje personale, por edhe për t’u lutur së bashku me të tjerët. I njëjti fenomen mund të vërehet, për shembull, në Oficen e Mundimeve, që Françesku e krijoi për vëllazërinë e parë e që edhe Shën Kjara e Asizit e thoshte çdo ditë, aq sa e kishte mësuar përmendsh”.

Si u arrit te zbulimi i këtij teksti?

“Po rishikoja botimin latin të Besëlidhjes dhe Bekimin e Shën Kjarës, që gjenden, ndërmjet tjerash, në kodin L.1258 të Arkivit Historik Kombëtar të Madridit. Desha të shikoja se cilat janë tekstet e tjera të transmetuara nga ky dorëshkrim dhe kështu e gjeta këtë lutje, që kopjuesi ia atribuon pikërisht Shën Françeskut, duke shkruar: ‘Oratio composita a beato Francisco’. I nxitur nga kureshtja, vërtetova se pas Kajetan Esserit, i cili i kushtoi një hyrje gjysmë faqeje vlerësimit të vërtetësisë së tekstit në vitin 1976, askush tjetër nuk është marrë më me problemin. Më pas bëra transkriptimin duke zbuluar, çuditërisht, shumë ngjashmëri stilistike, leksikore dhe konceptuale me shkrime të tjera të Shën Françeskut”.

Temat kryesore të kësaj lutjeje?

“Lutja përqendrohet mbi misterin e mishërimit të Birit të Zotit: Ai, siç thotë Shën Françesku, “pati më shumë mëshirë se të gjithë, kur mori natyrën tonë në tempullin më të shenjtë, në kraharorin e Virgjërës”. Për asizianin, Zoti është i denjë për lavdërim si në lavdinë e tij të amshuar, ashtu edhe si ‘Mbret i madh mbi gjithë zotat’, si ‘Shëlbues dhe Shpëtimtar, Këshilltar dhe Ligjvënës i admirueshëm”. Citimet  dhe thirrjet e përhapura nëpër tekst, vijnë nga liturgjia e Krishtlindjes, me përjashtim të fillimit, shkëputur nga një antifonë e liturgjisë së “Festës të të Gjithë Shenjtorëve”.

Pse e shkroi këtë lutje Shën Françesku?

“Nuk kemi asnjë dëshmi gojore lidhur me këtë lutje. Asnjë nga burimet biografike apo hagjiografike nuk na jep të dhëna për rrethanat në të cilat lindi teksti. Na mbetet vetëm analiza e përmbajtjes së tij. Mund të themi se, si në një nga letrat në të cilën Françesku fton marrësit të nderojnë Eukaristinë, edhe këtu e jeton përvojën e tij me të tjerët: duke e dashur Krishtin e mishëruar, asiziani i fton njerëzit, shenjtorët, engjëjt dhe të gjitha krijesat ta lavdërojnë dhe ta bekojnë”.

Pse Shën Françesku kërkon të lavdërohet mirë Zoti?

“Në këtë lutje Françesku e përdor këtë shprehje dy herë: herën e parë, duke iu drejtuar njerëzve (“O bijtë e njerëzve, lëvdojeni mbi çdo gjë Zotin e lumnisë, madhërojeni dhe lartojeni!”); të dytën, duke iu drejtuar të gjitha krijesave, domethënë engjëjve dhe qenieve të paarsyeshme, si në Këngën kushtuar krijesave (Ju, të gjitha krijesat, adhurojeni dhe madhërojeni Perëndinë e qiellit në madhështinë e Tij më të lartë!). Në rastin e parë ndoshta mund të jetë ftesë për të mos rënë në rutinë, e shprehur me gjithë zemër; në rastin e dytë besoj se ai donte të na tregonte nevojën për të lavdëruar Krijuesin jo vetëm me fjalë, por mbi të gjitha me jetën tonë e me  veprat tona. Dihet se kafshët apo trupat qiellorë nuk mund ta lavdërojnë Zotin me fjalë, por këtë e bëjnë duke kryer detyrën që u ka caktuar Krijuesi”.

Më poshtë, teksti i lutjes, tejet aktual pas kaq shekujsh:

“Ju, o bij të njerëzve, lëvdojeni Zotin e lavdisë mbi çdo gjë, madhërojeni dhe lartësojeni shumë! Përlëvdojeni në shekuj të shekujve, që çdo nder dhe lavdi në lartësi t’i takojë Zotit, Krijuesit të Gjithëpushteshëm, e mbi tokë të ketë paqe për njerëzit vullnetmirë! I mahnitshëm është ky Mbret paqësor, mbi të gjithë mbretërit e gjithë universit: Zoti Hyj, Krijuesi ynë, Shëlbuesi dhe Shpëtimtari ynë, Këshilltari dhe Ligjvënësi ynë i admirueshëm!”.

Nga zbulimi, ose më mirë rizbulimi i këtij teksti, kuptojmë më qartë vlerën e liturgjisë si për formimin kulturor e teologjik të Shën Françeskut, ashtu edhe për mënyrën e tij të lutjes.

04 korrik 2022, 15:01