Kërko

Padre Flavio Cavallini, ofm Padre Flavio Cavallini, ofm

At Flavio Cavallini: traditat e të krishterëve katolik në Shqipëri

At Flavio Cavallini: është me rëndësi që kujtimi i lindjes së Jezusit fëmijë, shpëtimtar i botës, të kremtohet edhe në shtëpitë ku jetojnë familjet tona, pikërisht si kisha të vogla shtëpiake. Tradita familjare që lidhen me Ardhjen shërbejnë, prandaj, për të krijuar edhe me shenja të jashtme klimën e gëzueshme të festës që shoqëron këto ditë të shenjta

R.SH. - Vatikan

Ardhja është koha liturgjike që  na përgatit shpirtërisht për kremtimin e lindjes së Jezusit në Betlehem, një kreshme e vogël para festave të Krishtlindjes. Është me rëndësi që kujtimi i lindjes së Jezusit fëmijë, shpëtimtar i botës, të kremtohet edhe në shtëpitë ku jetojnë familjet tona, pikërisht si kisha të vogla shtëpiake. Tradita familjare që lidhen me Ardhjen shërbejnë, prandaj, për të krijuar edhe me shenja të jashtme klimën e gëzueshme të festës që shoqëron këto ditë të shenjta drejt Lindjes se Jezusit.

Zbukurimet festive të shtëpisë

Kur fillohet për të vënë zbukurimet festive?

Duke qenë se koha e Ardhjes ka një karakteristikë pendestare, është më mirë të fillohet në pjesën e dytë, d.m.th., pas festës së Zoja e Papërlyer (8 dhjetor).

Me çfarë gjërash mund të zbukurojmë shtëpitë tona?

Në të kaluarën nuk kishte shumë gjëra në zotërim për ta bërë shtëpinë më të bukur, edhe për faktin se Krishtlindja bie në mes të dimrit. Ndonjë gem i gjelbër pishe, ndonjë shirit e, më vonë, ndonjë tullumbace mund të mjaftonin.

Mirëpo, sot, mund të gjesh shumë më tepër materiale për të zbukuruar shtëpitë tona. Po paraqesim një liste të shkurtër për të ndihmuar fantazinë tuaj.

§  Drita me ngjyra për t’u përdorur veçanërisht jashtë.

Në këtë periudhë nata është më e gjatë se dita. Ndezja e dritave festive simbolizon fitoren e Krishtit mbi errësirat e botës dhe lajmëron se në këtë shtëpi e në këtë familje po pritet me padurim kremtimi i natës së madhe të lindjes së Tij.

§  Vargje zbukuruese dhe fjongo në derën e shtëpisë, në dhomën e ngrënies, në dhomën e pritjes.

Ngjyrat e preferuara janë jeshilja (= jeta e bimëve), e kuqja (= jeta e kafshëve), e arta ose argjendta (= dritë).

Pema e Krishtlindjes

Në ditën e sotme mbase është zbukurimi festiv më i zakonshëm në shtëpitë tona. Ndokush e quan ende Pema e Vitit të Ri, mirëpo ky nuk është emri i vet i vërtetë. Kjo mënyrë e të quajturit ka lindur gjatë kohës së komunizmit, kur ishte zhdukur liria fetare dhe festat e Krishtlindjes ishin zëvendësuar nga festat e fund vitit. Ja, atëherë se e kahershmja Pema e Krishtlindjes  u bë thjesht Pema e Vitit të Ri.

Kur përgatitet dhe kur hiqet?

Në ditët e fundit para festës së madhe, Pema e Krishtlindjes përgatitet në dhomën e pritjes ose në ndonjë vend tjetër të rëndësishëm të shtëpisë. Por mos kini nxitim, ndizini dritat vetëm duke u nisur nga shenjta natë e lindjes së Jezusit (nata mes 24 dhe 25 dhjetorit).

Pema e Krishtlindjes mbetet shenja festive në shtëpi deri të dielën e Pagëzimit të Jezusit (e para pas 6 janarit), dita e fundit e kohës së Krishtlindjes.

Cila është prejardhja dhe domethënia e saj?

Tradita e krishterë e Pemës së Krishtlindjes ka pasur origjinën e saj në vendet gjermane, që prej Mesjetës, e nga ajo kohë është përhapur gradualisht në mbarë botën. Në kohët e hershme, për festën e Krishtlindjes, ngriteshin pemë përpara Katedraleve dhe në sheshet e qytetit ku paraqiteshin skena (drama) të historisë së Adamit dhe Evës, të treguara  në Bibël (Zanafilla 3). Domethënia ishte kjo: me lindjen e Jezu Krishtit, e më tutje me drurin e kryqit të tij, pema e tundimit dhe e mëkatit, u shndërrua në pemën e shpëtimit dhe të jetës së pasosur. Për këtë arsye parapëlqeheshin pemët që qëndrojnë të gjelbra (= jetë) edhe në errësirën dhe të ftohtët e dimrit.

Me çfarë gjërash zbukurohet?

Në kohët e lashta në degët e bredhit, gjithnjë të gjelbra, vareshin molla të kuqe e të verdha, për të kujtuar frytin e mëkatit të Adamit e të Evës. Pastaj u shtuan arra e boçe pishe të ngjyrosura, ëmbëlsira dhe biskota me forma të ndryshme dhe dritëza për ta ndriçuar atë.

Sot, topat me ngjyra të ndryshme, shiritat e artë e të argjendtë, shiritat e gjatë me drita zëvendësojnë zbukurimet e dikurshme. Tani edhe pema mund të jetë artificiale. Kjo është një gjë e mirë sepse duke vepruar kështu e respektojmë natyrën, duke shmangur që çdo vit t’u hiqen pyjeve bredhat e rinj apo t’u pritet maja kur ato janë të lartë, duke i dëmtuar ato.   

Me pak fjalë, dje ashtu si sot, Pema e Krishtlindjes është një simbol i jetës dhe dritës, e në shtëpitë tona  shpreh gëzimin tonë në të qenurit të gatshëm për të mirëpritur Jezu Krishtin e ardhur në botë për të qenë drita dhe jeta e vërtetë për të gjithë njerëzit.

Përgatitja e Betlehemit

Në traditën e lashtë me origjinë italiane, Betlehemi, ka qenë ndërtuar kryesisht ndër kisha. Mirëpo, tani, lehtësia për të gjetur truporet e ndryshme që e përbëjnë atë e ka bërë të mundur realizimin e tij edhe ndër shtëpi, ndonjëherë nën apo pranë Pemës së Krishtlindjes.

Kur realizohet?

Pas festës së Zojës së Papërlyer (8 dhjetor) është mirë të fillohet për të përgatitur materialet e ndryshme për të krijuar mjedisin e Betlehemit, si: letër e ngjyrosur për malet, letër apo copë blu e mbyllur për qiellin e natës, yje të bardha apo të argjendta, myshk për lëndinat, tallash për rrugët, miell për dëborën, një copë pasqyre për liqenin e vogël, etj...

Sidoqoftë, për ndërtimin e mirëfilltë është mirë të pritet deri në ditët e fundit para Krishtlindjes.

Për 24 dhjetor duhet të jetë gjithçka gati, por pa e vënë akoma truporen e Jezusit Fëmijë në grazhd. Kjo do të vendoset aty pas Meshës së natës.

Betlehemi qëndron për gjatë gjithë kohës së Krishtlindjes, d.m.th. deri të dielën e Pagëzimit të Jezusit (e diela e parë pas 6 janarit).

Çfarë domethënieje ka?

Domethënia e tij është e shprehur nga emri me të cilin quhet: Betlehem, d.m.th. bëhet fjalë për një paraqitje të misterit të madh hyjnor të ndodhur 2000 vjet e më shumë në Betlehem të Judesë, d.m.th. lindja prej Virgjërës Mari e Jezu Krishtit, si Hyj i vërtetë e njeri i vërtetë.

Elementët kryesor që përbëjnë Betlehemin janë:

§  kasollja apo shpella ku gjenden Maria e Jozefi ku në mes të tyre gjendet foshnja Jezus i vënë në grazhd. Ajo është simbol i Kishës, që ua ofron të gjithëve mundësinë për të takuar Krishtin Shpëtimtar;

§  bualli dhe gomari, që simbolizojnë popullin e Izraelit dhe popujt paganë, të thirru në grazhd, d.m.th. për t’u ushqyer me Krishtin;

§  ylli, që lajmëron në qiell lindjen e Mesisë;

§  barinjtë (populli i Izraelit) dhe tre mbretërit (popujt paganë), të cilët shkojnë për të adhuruar Mesinë. Fantazia dhe kreativiteti i secilit mund të realizojë një ambient plot me poezi, duke vënë në punë materiale të ndryshme për të pasuruar me shumë detaje të tjera këtë paraqitje të shenjtë të lindjes së Jezu Krishtit.

Për gjatë gjithë kohës së Krishtlindjes, momentet e lutjes familjare kryhen përpara Betlehemit.

Darka e 24 dhjetorit

24 dhjetori, vigjilja e festës, është dita e fundit e Ardhjes, kohë pendestare. Prandaj, në të kaluarën, ishte vendosur si ditë ku nuk hahej mish në përgatitje për festën. Për darkën e 24 dhjetorit, kur tashmë thithej ajri i festës, konsumohej një darkë më e bollshme, duke ngrënë peshk, në pritje për të shkuar në Meshën e natës së Krishtlindjes.

Shumë familje e vazhdojnë këtë traditë të bukur, porse pa harruar që përgatitja më e mirë për këtë festë është sakramenti i rrëfimit, i shoqëruar me vepra bamirësie ndaj të varfërve.

Mesha e Natës së Krishtlindjes

Kremtimi liturgjik më i rëndësishëm është Mesha e natës, me të cilën kremtohet ardhja e Shpëtimtarit dhe fillon koha e Krishtlindjes. Sipas një traditë shumë të lashtë, kjo Meshë, aty ku ishte e mundur, fillon pikërisht në mesnatën mes 24 dhe 25 dhjetorit. Aty ku, për arsye të ndryshme, nuk është e mundur, kremtohet në orët e mbrëmjes së 24 dhjetorit. Kush nuk e ka të mundur atë natë, merr pjesë në Meshën e ditës së 25 dhjetorit.

Uji bekuar

Festa e Dëftimit të Zotit (6 janar), e quajtur në mënyrë popullore Uji i bekuar, bie në kohën e Krishtlindjes. Ky emër lidhet me ritin e bekimit të ujit, që shoqëron Meshën, në kujtim të Pagëzimit të Jezusit në lumin Jordan.

Është zakon që besimtarët të marrin pak ujë me vete në shtëpi nga uji i bekuar për të bërë me të shenjën e kryqit përpara lutjes apo mbi të sëmurët.

28 nëntor 2022, 09:29