Kërko

 Corona di avvento, quattro candele, quarta domenica di avvento Corona di avvento, quattro candele, quarta domenica di avvento

Koha e Ardhjes me kurorёn nga katër qirinj, udhë drejt Krishtlindjes

Koha e Ardhjes është udhë drejt Krishtlindjes. Simboli më i njohur i saj është kurora e ndriçuar nga katër qirinj, me katër ngjyra të ndryshme, edhe këto simbolike. Traditë e krishterё, krijon një atmosferë të ngrohtë, të ndritshme, familjare. T’i ndezim së bashku për katër javë rresht një nga një. E me qiriun e ndezur në dorë të nisemi simbolikisht për shtegtim, drejt Shpellës së Betlehemit, duke medituar rrugës edhe për “Katër qirinjtë”, ngjyrat dhe simbolikën e tyre

R.SH. - Vatikan

Kurora e Kohës së Ardhjes është simbol, e zakon shumë i lashtë. Me sa mendohet, u duk për herë të parë në mjediset e luteranëve gjermanë, vetëm aty nga shekulli XVI, e shumë më vonë, rreth vitit 1839, u përsërit nga pastori protestant, Johann Hinrich Wichern, një nga themeluesit e Home Mission, lëvizje pionieristike, që në Gjermani merrej me punën baritore ndër qytete.

Kurora e parë qe një rrotë e madhe prej druri, që kishte shumë më tepër qirinj: njëzet copë për ditët e javës e katër për të dielat. Më vonë kjo traditë tipike për kishat protestante gjermane nisi të jetohej edhe në Kishën katolike. Fillimisht u duk vetëm në mjediset kishtare, por më pas drita e katër qirinjve me katër ngjyra, hyri edhe ndër shtëpitë private, në mbarë botën.

Simbolika

Katër qirinjtë përfaqësojnë katër të dielat e Kohës së Ardhjes. Secili ka një ngjyrë, një emër e një domethënie të veçantë.

Qiriu i parë, ngjyrë vjollce, quhet “i Profetit”, sepse të kujton profecitë mbi ardhjen e Mesisë.

I dyti, edhe ky me ngjyrë vjollcë, është Qiriu i Betlehemit e na kujton qytetin ku lindi Krishti.

I treti, me ngjyrë të papërcaktuar, por të ndryshme nga tri të tjerat,  quhet “i Barinjve”, të parët që e panë dhe e adhuruan Mesinë.

I katërti, zakonisht ngjyrë rozë, quhet “ i engjëjve”,  të parët që i kumtuan botës lindjen e Krishtit. 

E, sipas një tradite shumë të përhapur, katër qirinjtë përfaqësojnë Shpresën, Paqen, Gëzimin e Dashurinë.

Koha e Ardhjes, qirinjtë, ditët në pritje….

Tregohet se ishin fëmijët e jetimores, që ia dhanë pastorit Wichern idenë e qirinjve. Fëmijët e lodhën pastorin duke e pyetur edhe sa ditë duhej të kalonin, që të arrinte Krishtlindja.  E ai, në vend që t’u përgjigjej me fjalë, iu gjegj me dritën e qirinjve, duke ndezur një nga një çdo të dielë. Kurora   numëron pikërisht kohën, ditët e javët që kalojnë, deri te arritja në Shpellën e Betlehemit.

E, të mos harrojmë, kur i ndezin qirinjtë, duke nisur nga viti i largët 1839, fëmijët shqiptojnë disa vargje, të cilat pasqyrojnë dëshirën që koha e Pritjes të marrë fund e të arrijnë  sa më shpejt te Shpella e Betlehemit, ku do të takohen me Mikun e tyre hyjnor, Jezu Krishtin Fëmijë:

“Eshtë koha e pritjes,

xixëllon një dritë…

Pastaj dhe tjetra

e tjetra shndritë!

 

Katër qirinj

me flakë, si motit,

lajmërojnë prap ardhjen,

e Birit të Zotit !

26 nëntor 2022, 09:19