Kërko

 Le Domeniche di Avvento Le Domeniche di Avvento

Koha e Ardhjes, udhë drejt Lindjes sё Krishtit

Tё dielën e ardhshme, mё 27 nёntor, do tё fillojmё Vitin e ri liturgjik tё Kishёs katolike tё ritit romak. Gjatë kohёs liturgjike tё Ardhjes, para Krishtlindjes, Kisha na ndihmon t’ia përgatisim vendin në zemrat tona Zotit, që vjen në kohë, në histori e në natyrën tonë njerëzore

R.SH. - Vatikan

Tё dielën e ardhshme, mё 27 nёntor, do tё fillojmё Vitin e ri liturgjik tё Kishёs katolike tё ritit romak, me katër javët që tbëjnë pjesë në "Kohën e Ardhjes" e na çojnё drejt Krishtlindjes. Le tё ndalemi te kjo periudhë e veçantё dhe domethënëse e vitit kishtar, e cila edhe njё herё na fton t’ia përgatisim vendin, në zemrat tona, Zotit që vjen në kohë, në histori dhe në natyrën tonë njerëzore.

Jezu Krishti hyn në historinë njerëzore

Gjatё Kohёs sё Ardhjes, Kisha e përqendron vëmendjen tek misteri i madh i Birit të Hyjit - Jezu Krishtit, që merr natyrën njerëzore, hyn në historinë tonë e zbret nga Qielli për dashurinë e për shpëtimin tonë. Katër javёt e Kohёs sё Ardhjes janë periudhë përgatitore për Lindjen e Jezu Krishtit, Shpëtimtarit të njerëzimit. Janë udhë drejt Krishtlindjes. Në udhëtimin e shpirtit, secili prej nesh përpiqet të thellohet më tepër në misterin e jetës dhe të mësojë të vërtetat e përjetshme, që hedhin dritë mbi të dhe mbi qëllimin e saj. 

Periudha përgatitore e Ardhjes, para Krishtlindjes, na jep mësime të çmuara dhe drejtimin e duhur për pritjen e Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit.  Kjo Kohë e çmuar nis me thirrjen e Jezusit “të rrimë zgjuar e të përgatitemi për Ardhjen e Zotit”. Pra, Jezusi Zot e Shpëtimtar na fton të shkojmë ta shohim, ta takojmë.

 Në udhëtimin drejt takimit me Krishtin

Së pari, ne duhet të shohim Jezu Krishtin - Njeri. Duhet ta njohim si qenie konkrete njerëzore, si hebre, mësues e profet. Ta takojmë si Foshnjën e Marisë, si birin e marangozit, si nazaretasin. Më pas, pasi sytë tanë të hapen dhe zemrat të pastrohen, do të shohim “gjëra më të mëdha”. Do ta njohim jo thjesht si një mësues të çfarëdoshëm, por si Mësuesin, jo thjesht si një profet, por si Profetin, jo thjesht si një bir njeriu, por si Birin e njeriut, të parafolur nga profetët. Do ta shohim jo thjesht si një bir i Hyjit, por si Birin e Hyjit, lindur prej Atit para të gjithë shekujve. Do ta shohim si Fjalë e Zotit në trup njerëzor, si Ikonë e Hyjit në formë njerëzore. Dhe së fundi, do ta shohim Atë si vetë Hyjin.

Hapi i parë në udhëtimin drejt Krishtlindjes është takimi me njeriun Jezus.

Nëse dëshirojmë vërtet të shkojmë drejt Tij, me siguri edhe do ta shohim. Ashtu si Filipi e Natanaeli, që në Ungjillin e Shën Gjonit, shkojnë për të parë nëse mund të vinte gjë e mirë nga Nazareti, edhe ne, sipas premtimit të Krishtit, do të shohim “gjëra më të mëdha” nga sa presim. Do ta njohim se kush dhe çfarë është Ai në të vërtetë. Por, së pari duhet të shkojmë. Nëse nuk shkojmë, nëse nuk nisemi udhës, që na çon në Betlehem, nuk do ta shohim kurrë Hyjin e Mishëruar për shpëtimin tonë.

T’ia përgatisim Zotit vendin në zemra 

Gjatë ditëve të Ardhjes, para Krishtlindjes, Kisha na ndihmon t’ia përgatisim vendin Zotit në zemrat tona.  Jezu Krishti, Biri, Fjala e Hyjit është formuar fizikisht e shpirtërisht në trupin e Marisë, kështu që Ai mund të vijë edhe në shpirtin tonë. Ky është kuptimi i Krishtlindjes, i cili është dhe kuptimi i vetë jetës: Krishti në ne dhe ne në Krishtin. Hyji me ne dhe ne me Hyjin.

Ndërsa fillojmë udhëtimin drejt Krishtlindjes, rruga para nesh është e qartë. Ne mund të ndjekim “rrugën e ngushtë” që na çon te jeta, ose mund të vazhdojmë në “rrugën e gjerë” që na çon drejt shkatërrimit (Mt 7,13-14). E kremtimi i Kohës së Ardhjes shënon dhe lajmërimin e Lindjes së Krishtit. Kjo kohë liturgjike e shpirtërore na kujton ngjarjen madhështore të festës së Krishtlindjes: “Ja Krishti lind, lavdërojeni; Ja Krishti i qiellit vjen, dilni priteni e në zemra pranojeni”.

Nëse nuk nisemi e nuk shkojmë nuk do ta shohim kurrë. Por nuk mjafton vetëm të shkojmë te Krishti. Ne duhet ta shohim me të vërtetë. Shumë njerëz e panë Krishtin kur erdhi në tokë e mori natyrën tonë njerëzore, por jo të gjithë e panë Atë si Birin e Hyjit dhe Shpëtimtarin e botës. Ka shumë njerëz, që vijnë në kishë dhe, ende nuk shohin. Krishti na e thotë edhe psenë. Arsyeja, thotë Ai, është se ata duan errësirën më shumë se dritën, sepse veprat e tyre janë të liga. (Gjn 3,19)

Ardhja kohë kremtimi, ngazëllimi e gëzimi

Periudha liturgjike e Ardhjes është kohë kremtimi, ngazëllimi dhe gëzimi. Kisha i fton të gjithë të kremtojnë. Jemi krijuar të galdojmë për dhuratat e Hyjit dhe për vetë Zotin. Ky është thelbi i jetës sonë. Jemi krijuar për të qenë “imitues të Hyjit” dhe “pjesëmarrës të natyrës hyjnore”. Zoti është Hyji i të gjallëve, prandaj ne jemi krijuar për të jetuar; Zoti është i mirë, prandaj ne jemi krijuar për të qenë të mirë; Zoti është i urtë, prandaj ne jemi krijuar për të qenë të urtë; Zoti është i mbushur me paqe, gëzim, mirësi, dashuri, fuqi dhe zemërgjerësi, kështu duhet të jemi dhe ne.

Lindja e Jezusit si shpallje e gëzimit më të madh

Lindja e Jezusit lajmërohet në botë si shpallje e gëzimit më të madh. Po kështu engjëjt, që u sollën barinjve lajmin e gëzimit të madh, duke i thurur lavde Hyjit, shpallën paqen mbi dhé dhe mbi njerëzit vullnetmirë.
Krisht Lind - prek dhe mbush qiellin dhe tokën.
Krishti Lind – ndër njerëzit vullnetmirë.
Krishti Lind – Zoti erdhi në tokë.
Krishti Lind – Hyji i dhuroi njeriut dashurinë, gëzimin dhe jetën më të ëmbël.
Krishti Lind – gëzohuni!
Në këtë Krishtlindje, Hyji na bëftë të denjë për të marrë në zemër Jezusin Foshnje, duke i lejuar t‘i mbushë ato me dritë dhe bekime Hyjnore.

25 nëntor 2022, 14:10