Kërko

Edith Bruck dhe Papa Françesku Edith Bruck dhe Papa Françesku  

Papa, për vizitë te Edith Bruck, që shpëtoi gjallë nga Auschwitz

Shkrimtarja hungareze Edith Bruck, rreth të nëntëdhjetave, jeton prej shumë kohe në Romë. L’Osservatore Romano e pati intervistuar janarin e kaluar për Ditën e Kujtesës. Françesku, i prekur thellë nga dëshmia, dje, papritmas, shkoi ta takojë në banesën e saj, në qendër të qytetit.

R. SH. - Vatikan

Kishte lexuar intervistën, ku tregonte tmerret e jetuara prej saj e familjes së saj në kohën e persekutimit nazist, e kishte mbetur i prekur thellë në shpirt. Kështu kërkoi ta takonte e shkoi t’i bënte një vizitë në banesën e saj. Papa Françesku dje pasdite u largua nga Vatikani e u drejtua në qendër të Romës, për një vizitë private në shtëpinë e Edith Bruck, shkrimtare hebreje,  me origjinë hungareze, që  jeton prej kohe në Itali. Gjatë bisedës, i drejtoi zonjës Edith këto fjalë: “Erdha te Ju, që t’ju falënderoj për dëshminë e edhe që të shpreh nderimin tim për popullin, martir i marrëzisë së populizmit nazist. E, me sinqeritet të thellë po i përsëris fjalët, që i pata shqiptuar në Yad Vashem, të cilat vijoj t’ua kujtoj të gjithë njerëzve që, ashtu si ju, vuajtën nga kjo marrëzi: “Falje, o Zot, në emër të mbarë njerëzimit!”.

Salla e Shtypit njofton se “gjatë bisedës u fol për çastet e dritës, që ndriçuan skëterrën e kampit nazist, por edhe për ankthet e shpresat e kohës në të cilën jetojmë, duke nëvizuar vlerën e kujtesës dhe rolin e të moshuarve në ruajtjen dhe transmetimin e saj. Pas rreth një ore, Papa e zonja Bruck u përshndetën e Françesku u rikthye në Vatikan. Në takim  ishte i pranishëm drejtori i “L’Osservatore Romano”, Andrea Monda, që më 26 janarin e kaluar pati botuar intervistën prekëse të shkrimtares, realizuar nga Francesca Romana de’Angelis. Papa i dhuroi shkrimtares një menorah, shandan hebraik me shtatë krahë, dhe një libër, Talmudin babilonez.

Si përfundoi vizita, Françeku doli nga shtëpia e Edith Bruck, i ndjekur nga vështrimet e çuditura të kalimtarëve.

Një jetë e shkrirë për dëshmi

Edith Bruck ia kushtoi gjithë jetën dëshmimit të ngjarjeve të para e të jetuara. Zërat e fundit, që dëgjoi, ishin të dy të internuarve në kampin Bergen-Belsen, të cilët iu përgjëruan: “Trego, të lutemi! E dimë se nuk do të të besojnë. Po ti trego, edhe për ne”. Fjalë profetike, në një botë që ka aq shumë të vërteta të dhimbshme të patreguara. E që vijon ta falsifikojë historinë, me pena kriminale. Ajo u dha fjalën dhe e mbajti. Pa pesimizëm. Përkundrazi: edhe kur tregon çastet më të errëta, në honin e tmerrit ku ishte rrokullisur në moshë fare të njomë e ku ishte zhdukur një pjesë e mirë e familjes, ajo arrin të shikojë anën e mirë e të bukur të botës.  Gjë që i dha forcë të  fitojë betejen me vdekjen. Të jetojë, e të shpresojë.

Mjaftojnë ca gjeste të vogla, për ta shpëtuar botën

Duke përshkruar jetën në gheto, pasi e zvarisen nga shtëpia me gjithë të sajtë, Edith i tregoi Papës sesi takoi një njeri, që nuk ishte hebre. Një zemër të bardhë, ndërmjet zemrave të zeza, që dhuroi një karro me ushqime, për të ndihmuar të persekutuarit. Ndërsa, kur hapte llogore në Dachau, një ushtar gjerman i hodhi gavetën për t’ia larë. Në fund të saj gjeti një copë marmellatë, të lënë aty për të. E kur përshkruan punën në kuzhinën, ku gatuhej për oficerët, kujton: “Kuzhinieri më pyeti si quhesha. E  tha, i prekur: ‘Kam edhe unë një vajzë në moshën tënde’. Më pas, duke parë flokët e mi të pakrehur prej kohe, më dhuroi një krehër. M’u duk  sikur po shihja për herë të parë, pas mbylljes në kamp, një fytyrë të vërtertë njerëzore. Më preku gjesti i tij, që ishte jetë! Ishte shpresë!”.

Mjaftojnë pak gjeste, për ta shpëtuar botën! Lum ata që nuk torturojnë, por shpëtojnë! - përfundon Edith Bruck, e cila dje priti në shtëpinë e saj Ipeshkvin e Romës, që kishte ardhur për ta takuar.

21 shkurt 2021, 11:12