Kërko

Kolumbia në protestë Kolumbia në protestë 

Kolumbi: thirrje e re e Papës, që të ndiqet udha e dialogut

Françesku nxiti, në solemnitetin e Rrëshajëve, të gjinden rrugëzgjidhje të drejta për më të varfrit e të shmangen sjelljet e dëmshme për shëndetin publik. Thirrja e ipeshkvijve vendas.

R. SH. - Vatikan

Pas lutjes së Mbretëreshës qiellore, në solemnitetin e Rrëshajëve, mendimi i Papës shkoi për herë të dytë gjatë majit, në Kolumbi. Françesku u bëri thirrje besimtarëve të luten për popullsinë latinoamerikane, që po jeton situata gjithnjë më shqetësuese:

“Lutem që populli i dashur kolumbian të dijë t’i pranojë dhuratat e Shpirtit Shenjt e që, përmes dialogut serioz, të mund të gjejë rrugëzgjidhjet e drejta për një mori problemesh, lindur nga pandemia, nga të cilat vuajnë posaçërisht të varfërit”.

Papa i ftoi të gjithë  të jenë më të vëmendshëm, që  qytetarët të mos vuajnë edhe më shumë në atmosferën e pandemisë:

“I nxis të gjithë t’i shmangin, për arsye humanitare, sjelljet e dëmshme ndaj popullsisë, nësa ushtron protestën paqësore”.

Thirrje e ipeshkvijve kolumbianë

“Dialogu është udha kryesore për të pranuar, çka duhet respektuar gjithnjë. Është themelore të dëgjosh, të kuptosh e të zgjidhësh me sukses kërkesat e atyre, të cilët manifestojnë paqësisht. Vetëm kështu mund të kapërcehen  kontrastet ndërmjet qeverisë e palëve shoqërore, pas ndeshjeve, që shkaktuan shumë viktima”. Kjo, thirrja e ipeshkvijve kolumbianë

Gjithnjë më shumë varfëri e vuajtje

Ipeshkvijtë flasin për dëshpërimin, në të cilin zhytet gjithnjë më shumë mbarë vendi. Denoncojnë “vuajtjen e varfërinë tejet të përhapur, edhe për shkak të dhunës, pasojë e shpërthimit të grevave dhe u shprehin afërsinë e tyre gjithë viktimave".

Ftojnë edhe bashkësinë katolike të lutet, duke i kërkuar Zotit urti për kë do të ulet në tryezën e bisedimeve, që të arrihet në marrëveshje të përbashkët, për t’i dhënë fund klimës së urrejtjes, që po jeton mbarë vendi.

Ndërkaq Komiteti Kombëtar bën thirrje për dy ditë të tjera proteste kombëtare, më 26 e 29 maj.

Nga Kolumbia, në Goma

Pasi kujtoi Kulumbinë, mendimi i Atit të Shenjtë, që përfshin botën mbarë, shkoi edhe tek popullsia e qytetit të Gomës, në Republikën Demokratike të Kongos, e detyruar të ikë për shkak të shpërthimit të vullkanit Nyiragongo.

23 maj 2021, 14:09