Kërko

Lutja e Engjëllit të Tënzot Lutja e Engjëllit të Tënzot 

Papa: Eukaristia është bukë për mëkatarët, jo çmim për shenjtorët

Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, në Sheshin e Shën Pjetrit, Françesku kujtoi Solemnitetin e Corpus Domini dhe nënvizoi se Eukaristia nuk është çmim për shenjtorët, por bukë për mëkatarët, sepse mëshira e Zotit nuk ka frikë nga mjerimet tona.

R. SH. - Vatikan

Brishtësi e forcë, dashuri e tradhti, mëkat e mëshirë. Papa Françesku, në katekizmin e Engjëllit të Tënzot, në Sheshin e Shën Pjetrit, u ndalua pikërisht tek këto aspekte, duke folur për Korpin dhe Gjakun e Krishtit, Corpus Domini e për Darkën e Mbrame, gjatë së cilës Jezusi themeloi Eukaristinë, “Sakramentin më të madh”, Bukën e jetës.

 E i shoqëroi edhe një herë besimtarët në Darkën e Fundit, duke u nisur nga përshkrimi i Shën Markut ungjilltar. Fjalët dhe gjestet e Zotit - kujtoi - na prekin zemrën: Ai merr bukën në duart e Tij, shqipton bekimin, e thyen e ua jep dishepujve të vet, duke thënë: “Merreni, ky është korpi im!”.

Sakramenti më i madh, dhuratë nga Zoti

E kështu, me thjeshtësi, Jezusi na dhuron ne, njerëzve, sakramentin më të madh. Gjest i përvujtë i dhuratës, i ndarjes së përbashkët. Në kulmin e jetës së tij, nuk shpërndan bukë me bollëk, për t’ua ndarë të uriturve. Ndan vetveten në darkën e Pashkëve me dishepujt e vet. Në këtë mënyrë Jezusi na tregon se pikarritja e jetës është  dhurimi e se gjëja më e çmuar, është të shërbesh.

Zoti, në një copë buke!

Festë tronditëse, e sotmja: rigjejmë sot madhështinë e Zotit në një copëz Buke, brishtësi përplot me dashuri e ndarje të përbashkët. Brishtësi është fjala që dua ta theksoj - kujtoi Papa - Jezusi bëhet pikërisht i brishtë si buka që thyhet e që thërmohet. Po pikërisht aty qëndron forca e Tij. Në Eukaristi e në brishtësi është forca; forca e dashurisë që thërmohet e ndahet për të ushqyer e për të dhënë jetë; forca e dashurisë, që  dromcohet për të na ribashkuar si një korp i vetëm!

Eukaristia është brishtësi e forcë njëheresh

E është edhe një forcë tjetër,  që  buron nga brishtësia e  Eukaristisë. Forca për të dashur kë gabon. Pikërisht natën, kur tradhtohet, Jezusi na jep Bukën e jetës! Na bën dhuratën më të madhe, ndërsa provon në zemër honin më të thellë; dishepulli, që po ha fare pranë Tij, ai që e ngjyen kafshatën në të njëjtën pjatë, është duke e tradhtuar. E për atë që do, tradhtia është dhimbja më thellë. Por, çfarë bën Jezusi? I përgjigjet së keqes me të mirën më të madhe. “Mohimit të Judës, i gjegjet pohimi i mëshirës”.

Jezusi nuk e dënon mëkatarin, por jep jetën për të

Jezusi nuk e dënon mëkatarin, por jep jetën për të. Kur e marrim Eukaristinë, Jezusi bën të njëjtën gjë për ne: na njeh fare mirë, e di se jemi mëkatarë e se gabojmë, edhe shumë, por nuk ngurron të bashkojë jetën e Tij me tonën. E di se kemi tepër nevojë, se Eukaristia nuk është çmim për shenjtorët, por Bukë për mëkatatët. Prandaj na nxit: “Merreni e hajeni”.

Mëshira e Zotit nuk tutet nga mjerimet tona

Sa herë që marrim Bukën e jetës, Jezusi vjen për t’i dhënë kuptim të ri brishtësive tona. Na kujton se para syve të Tij jemi shumë më të çmuar, sesa mendojmë. Na thotë se është i kënaqur, që ndajmë me të ligështitë  tona. Na përsërit se mëshira e Tij nuk ka frikë nga mizerjet tona. E, sidomos, na shëron me shumë dashuri nga këto ligështi, që ne vetë nuk do të mund t’i shëronin kurrë: nga mllefi kundër atij që na bën keq;  veçimi nga të tjerët  e mbyllja në vetvete, ankimet pa fund e pa gjetur kurrë paqe”.

Eukaristia, buka e jetës

Eukaristia është ilaç i sigurt kundër këtyre mbylljeve. Buka e jetës e shëron ngurtësinë dhe e shndërron në  butësi. Eukaristia shëron, sepse  të bashkon me Jezusin: na bën të jetojmë si Ai, na dhuron aftësinë për t’u copëtuar e për t’iu dhuruar vëllezërve, për t’iu gjegjur së keqes me të mirë. Na jep guximin të dalim nga vetvetja e të përkulemi me dashuri para ligështive të tjetrit. Siç bën Zoti  me ne.

Logjika e Eukaristisë

Kjo është logjika e Eukaristisë;  marrim Jezusin, që na do e na i shëron ligështitë tona, që të mund t’i duam të tjerët e t’i ndihmojmë në brishtësitë e tyre.

E pas, këtij shpjegimi, sintezë e gjithë lutjes së sotme të Engjëllit të  Tënzot, Papa i solli, si zakonisht, sytë kah Virgjëra Mari, në të cilën Zoti u mishërua, duke iu lutur të na ndihmojë ta mirëpresim me zemër mirënjohëse dhuratën e Eukaristisë  e ta bëjmë edhe jetën tonë dhuratë!

06 qershor 2021, 12:45

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >