Kërko

Papa në lutjen e Engjëllit: duhet të kemi gjithnjë besim në Zotin

Në lutjen e Engjëllit, Françesku kujtoi se Zoti vepron në gjërat e vogla e prej këndej, nxiti për të pasur besim në Të. Përballë “krizës së fesë” dhe dështimit të planeve, “edhe në Kishë mund të lëshojë rrënjë egjra e grindjes dhe e mosbesimit”, por rezultatet e veprimeve varen gjithnjë nga vetë Zoti.

R. SH. - Vatikan

Në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, kremtuar nga dritarja mbi Sheshin e Shën Pjetrit, që vijon të mbushet me shtegtarë, tashmë të ardhur edhe nga vende të largëta, si para pandemisë, Françesku kujtoi se Zoti vepron në gjërat e vogla e se duhet pasur besim në Të!  

Gjithçka ka në zemër praninë e Zotit

Në qendër të vëmendjes, dy shembëlltyra, që - kujtoi Papa - na i paraqet Ungjilli në këtë të diel, kur rifillojmë kohën e zakonshme liturgjike. Shembëlltyrat frymëzohen pikërisht nga kjo jetë e na nxisin t’ia ngulim sytë tanë, syve të vëmendshëm e të thellë të Jezusit, që e vëzhgon realitetin e, përmes pamjeve të përditshme, hap dritaret përmbi misterin e Zotit e mbi jetën e njeriut. Kështu – kujtoi më pas Papa - na mëson se edhe sendet e përditshme, ata që herë-herë na duken të njëllojta e që i çojmë përpara me çkujdesje a me lodhje, kanë në zemër të tyre praninë e Zotit. Atëhere edhe ne kemi nevojë për sy të vëmendshëm, për të ditur ta “kërkojmë e ta gjejmë Zotin në të gjitha sendet”.

Krahasimi i Mbretërisë së Zotit, me farën më të vogël

Jezusi – kujtoi Papa në lutjen e Engjëllit - e krahason Mbretërinë e Zotit, praninë e Tij, që gjindet në zemrën e sendeve e të vetë botës, me farën e senapit, domethënë, me farën më të vogël  të mundshme. E pra, e hedhur në tokë,  ajo rritet aq, sa të bëhet  pema më e madhe. Kështu bën Zoti!

Zoti i prin historisë. Si?

Nganjëherë zhurmat e botës, njëherësh me veprimtaritë e panumërta, që i mbushin përplot ditët tona, na pengojnë të ndalemi e të shikojmë në ç’mënyrë i prin Zoti historisë. E pra - na siguron Ungjilli -  e na siguroi edhe Papa në lutjen e sotme të Engjëllit - Zoti është në veprim. Zoti vepron si  fara e vogël, që mbin ngadalë, në heshtje të plotë. E dalëngadalë rritet e bëhet pemë madhështore, që u jep jetë e prehje të gjithëve.

Fara e veprave tona të mira

Duke vijuar krahasimin, që përshkoi gjithë lutjen e sotme, Papa kujtoi, në vijim, edhe farën e veprave tona të mira.

“Mund të duken hiç asgjë; e pra, gjithçka është e mirë mbi dhe, i përket Zotit e përvujtërisht, dalë nga dalë, sjell fryt. E mira - të mos e harrojmë kurrë  - rritet gjithnjë në mënyrë të përvujtë,  të fshehur e shpesh, edhe të padukshme”.

Ligështia e së mirës, përballë forcës të së keqes

Me këtë shëmbëlltyrë - vijoi të shpjegojë më pas Papa - Jezusi dëshiron të na ngjallë besim. Me bindjen se në një mori situatash të jetës mund të ligështohemi. Natyrisht! Nuk mund të mos tronditemi, kur shikojmë  ligështinë e së mirës, përballë forcës të së keqes.

“E kjo mund të na paralizojë, të na mbushë me mosbesim kur shikojmë se kemi dhënë gjithçka nga vetvetja, pa rezultatet e duhura. E, sidomos, kur e pse na duket se punët shkojnë pambarimisht kështu. Pa ndryshuar kurrë”

Ungjilli na kërkon një shikim të ri mbi vetveten  

Ungjilli na kërkon të hedhim një shikim i ri mbi vetveten e mbi realitetin tonë:

“Kërkon të kemi sy më të mëdhenj, që shikojnë shumë përtej, posaçërisht pas dukjeve, për të zbuluar praninë e Zotit që, me dashuri të përvuajtur, është gjithnjë në veprim në trojet e jetës sonë e në ato të historisë. E  ky është besimi ynë! Kjo na jep forcë për të shkuar përpara çdo ditë me durim, duke mbjellë të mirën, që sjell fryte. Sa rëndësi ka një sjellje e tillë, edhe për të dalë mirë nga pandemia”.

Ta kultivojmë besimin se jemi në dorë të Zotit e, njëkohësisht, të impenjohemi të gjithë për të  rindërtuar e për të rifilluar, me durin e ngulm.

Egjra e mosbesimit rritet kudo

Nuk duhet të harrojmë kurrë se rezultatet e mbjelljes nuk varen nga aftësitë tona: varen nga dora e Zotit - kujtoi Papa në vijim të lutjes mariane - Ne na takon detyra të mbjellim, të angazhohemi e të durojmë. Po forca e farës është hyjnore.

Fara mbin kur më pak e pret

Sa e pse është hyjnore forca e farës - kujtoi Françesku - Jezusi na e shpjegon në shëmbëlltyrën tjetër të sotme: bujku e hedh farën, pa e ditur aspak sesi e prodhon frytin, sepse ajo mbin e rritet vetvetiu, ditën, natën, kur më pak e pret; me Zotin, edhe në tokat më shterpe, ka gjithnjë shpresë për mbirje të reja.

Maria na mësoftë t’i besojmë gjithnjë Zotit

Si zakonisht, në përfundim të Engjëllit, lutja drejtuar Zojës së  Bekuar:

“Shenjtja Mari - u lut Papa - shërbëtorja e përvuajtur e Zotit, na mësoftë  ta shikojmë madhështinë e Tij, që vepron në sendet e vogla e ta mundim tundimin  e çkurajimit. Duke besuar çdo ditë në mrekullitë e Zotit”.

13 qershor 2021, 15:31

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >