Kërko

Papa Françesku me një grup famijesh afgane të ikura nga Kabuli Papa Françesku me një grup famijesh afgane të ikura nga Kabuli 

Përqafimi i Papës me një grup familjar të ikur nga Kabuli

Françesku u takua, para audiencës së sotme të përgjithshme, me një grup prej pesëmbëdhjetë vetësh, ndërmjet të cilëve, shtatë fëmijë, të cilët i folën për ankthin dhe pasigurinë që jetuan pas kthimit të talebanëve në Afganistan, para arritjes rrugë pa rrugë në Itali. “Mbetëm katër ditë e katër netë të mbyllur në podrum, nga frika se do të na arrestonin të gjithë” – i treguan Papës.

R. SH. - Vatikan

Me një unazë e një mantel në dorë. Kështu u paraqit Pary Gul para Papës, të cilit i dhuroi unazën e burrit - për kujtim të atij që “e përpiu terrori talebanas” - e mantelin, që rrëfen një jetë të tërë të kaluar në vuajtje”. Papa, duke pritur para audiencës së përgjithshme, në Sallën e Vogël të Palit VI, e pranoi unazën… por, me një kusht: që ta ruajë vetë Pary Gul, si peng  miqësie  e shenjë shprese. E shpresën gruaja e shikon në sytë e të bijave, Adilës, Robinës e Setarës - si dhe të birit, Nasim. Janë ndërmjet 25 e 14 vjetëve. E ishin vajzat ato që, duke kërkuar ndihmë me smartphon -  ia dolën të nisin aventurën, që nuk i dihej fundi: atë të ikjes nga “skëterra afgane”. Për të arritur, më në fund, në shtëpitë e tyre të reja bergamaske, ku mund t’i riorganizojnë jetët e tyre të shprishura.

Arritën këtu falë një rrjeti solidar, koordinuar nga shkrimtari Ali Ehsani, i ikur vite më parë nga Kabuli, duke u fshehur poshtë një kamioni e duke parë si i vdiste i vëllai gjatë shtegtimit - e fondacionit Meet Human.

Ia dolën të ikin tri familje, 14 vetë:  8 gra, 6 burra e 7 fëmijë (të gjithë me nga një vizatim bërë enkas si dhuratë për Papën). Më i vogli, Eliyas, vetëm një vjeç, u shtrua urgjent në spital, sapo arriti në Itali, për të mjekuar një infektim të rëndë. Tani është mirë.

Të prek thellë, historia që i treguan këta njerëz Papës. Dikush i paditi, si në kohët e lashta të martirizmit, se ishin të krishterë, sapo talebanët hynë në Kabul. “Im shoq së pari u pushua nga puna, pastaj humbi pa nam pa nishan. Nuk dimë asgjë për fatin e tij” - tregon me lot në sy Pary Gul, 57 vjeçare, me llagapin Hasan Zada. “Mbetëm të mbyllur në kantinë për katër ditë e katër netë, nga frika se do të na vinin prangat të gjithëve, si të krishterë që ishim”.

Edhe Gholam Abbas e gruaja e tij Fatima - të dy 32 vjeç -  u larguan nga Kabuli. Me ta, fëmijët Safa Marwah (9 vjeç) e Muhammad Yousouf (4  vjeç). E edhe Zamin Ali (35 vjeç) e Seema Gul (34) me fëmijët Maryam (11 vjeç), Ali Reza (8) e vogëlushin Eliyas.

“Vëllezër afganë”- kjo është parulla e fushatës humanitare, që ka zgjedhur fondacioni Meet Human, për vijimin e fushatës humanitare në Afghanistan, me bashkëpunimin e institucioneve civile e ushtarake italiane. Vëllazërim, që po vihet menjëherë në jetë, me marrjen nën mbrojtje të tri familjeve, për të krijuar marrëdhënie me shumë të tjera, për t’u gjetur punë, për t’u hapur dyert e shkollës, për t’i ndihmuar të rikthehen në jetë, “për ta ruajtur unazën e Papës”.

22 shtator 2021, 16:50