Kërko

Papa: fjalët kanë peshë, tё flasim me butësi që të mos i shkatërrojmë të tjerët

Papa, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, duke komentuar faqen e sotme ungjillore shkëputur nga Ungjilli sipas Lukës, vuri theksin mbi shikimin tonë e fjalët tona, duke iu lutur Marisë të na ndihmojë ta pastrojmë shikimin e mënyrën tonë të të folurit, me bindjen se i verbri nuk mund t’i prijë të verbrit e se thashethemja plagos e shpifja mund të jetë më e mprehtë se thika!

RSH. - Vatikan

Preku një temë tejet delikate, që e ka shumë për zemër, Papa Françesku, në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, duke komentuar Ungjillin e së dielës, në përkim me jetën tonë të përditshme - e me jetën, që jeton sot bota. Liturgjia e sotme - këto ishin fjalët e para të lutjes së Engjëllit - na fton të reflektojmë për shikimin tonë e për mënyrën si flasim. Posaçërisht për shikimin - nënvizoi - duke kujtuar fjalët e Krishtit mbi lëmishten në sy të vëllait e  traun në tonin. Me fjalë të tjera - shpjegoi Papa -  kjo do të thotë t’i shikosh me vëmendje të metat e tjetrit, duke i harruar qetë-qetë tonat, pa i peshuar me të njëjtin kandar.

I verbri nuk mund t’i prijë të verbrit

Ankohemi tepër shpesh për punët, që nuk shkojnë mbarë në shoqëri, në Kishë, në botë - kujtoi Papa - por pa e vënë një herë në diskutim e pa u angazhuar për ta ndryshuar së pari jo botën - por veten:

“E nëse jemi të verbër, nuk mund të pretendojmë të jemi edhe prijës e mësues të të tjerëve: i verbri nuk mund t’i prijë një të verbri tjetër”.

Të mos kërkojmë në të tjerët të keqen, por të mirën

Zoti - vijoi Papa - na fton ta pastrojmë mirë shikimin tonë.  E gjëja  e parë që na kërkon, është të shikojmë brenda vetes, për t’i parë mirë mjerimet tona. Sepse, po të mos jemi në gjendje t’i shikojmë të metat tona, do të vijojmë gjithnjë t’i zmadhojmë ato të të tjerëve. Ndërsa po t’i njohim gabimet tona e mjerimet tona, hapet për ne porta e mëshirës. E si të kemi shikuar brenda vetes, Jezusi na fton t’i shikojmë edhe të tjerët, ashtu siç bën Ai vetë, që nuk shikon në radhë të parë të keqen, por të mirën. Ja si na shikon Zoti:

“Nuk shikon në ne gabimet e pandreqshme, po bijtë që gabojnë. Zoti e dallon gjithnjë njeriun, nga gabimi i tij. Beson gjithnjë në njeriun e është gjithnjë gati t’ia falë gabimet. E na fton të bëjmë të njëjtën gjë: të mos kërkojmë në të tjerët të keqen, por të mirën”.

Reflektim për të folurën tonë

Pas ftesës për të reflektuar mbi shikimin, Jezusi sot na fton të reflektojmë edhe mbi të folurën tonë. E na shpjegon se goja “shpreh çka del nga zemra e fryrë”. Është më se e vërtetë: nga mënyra si flet  tjetri, kujtohesh menjëherë çka ka në zemër. Fjalët që flasim, tregojnë kush jemi! Shpesh ndodh t’i kushtojmë pak vëmendje fjalëve, që nxjerrim nga goja, pa u menduar gjatë. E duke harruar se fjalët kanë peshën e tyre.

Pesha e fjalëve

Mos të harrojmë pra: fjalët kanë peshë! Na krijojnë mundësinë të shprehim mendime e ndjenja, të zbulojmë frikën që kemi e planet që duam t’i realizojmë. Na ndihmojnë të bekojmë Zotin e të tjerët. Por me gjuhën tonë  mund të ngjallim edhe paragjykime, të ngremë mure, t’i ngacmojmë e deri t’i shkatërrojmë vëllezërit: thashethemja plagos e shpifja mund të jetë më e mprehtë se tehu i thikës!

Fjala shpërdorohet shpesh në botën dixhitale

Në botën sotme - vijoi të kujtojë Papa në lutjen e Engjëllit -  e posaçërisht në botën dixhitale, fjalët përhapen si era:

“E shumë prej tyre ngjallin zemërim e agresivitet, ushqejnë lajme të rreme e përfitojnë nga frika kolektive për të përhapur ide të gabuara”.

Një diplomat, që ishte Sekretar i përgjithshëm i OKB-së e që fitoi Çmimin Nobel për Paqen, pati thënë se“ta shpërdorosh fjalën, është njëlloj si të shpërdorosh njeriun”(D. Hammarskjöld, Tracce di cammino, Magnano BI 1992, 131).

Ta pyesim veten: çfarë fjalësh përdorim?

Ta pyesim atëhere veten - kërkoi Papa në përfundim të lutjes së Engjëllit - çfarë fjalësh përdorim: fjalë që shprehin vëmendje, respekt, mirëkuptim, afërsi, mëshirë, apo fjalë që synojnë së pari të na ndihmojnë të dukemi të bukur në sytë e të tjerëve? E pastaj, flasim butësisht, apo e ndotim botën duke përhapur helme: duke kritikuar, duke u ankuar, duke ushqyer agresivitetin, tejet të përhapur?

Për Papën është më e mirë heshtja, sesa përhapja e helmit e ndotja e botës me shikim e me fjalë. Ndaj, si zakonisht, në përfundim të lutjes, kujtoi shembullin e Nënës së Zotit, duke i drejtuar lutjen:

“Maria, së cilës Zoti i shikoi përvujtërinë, Virgjëra e heshtjes, që tani i lutemi, na ndihmoftë ta pastrojmë shikimin tonë e të folurit tonë”.

27 shkurt 2022, 12:52

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >