Kërko

Papa: të mrekullohemi përballë dashurisë së pambaruar të Zotit

Koha kreshmore është më e përshtatshmja për t’i kërkuar Zotit “zgjimin nga dremitja shpirtërore”. E pohoi Papa në lutjen e Engjëllit të së dielës së dytë të Kreshmëve. Ungjilli flet për episodin e Shndërrimit e Papa, për gjumin e apostujve, të ngjashëm me gjumin e zemrave tona: kemi nevojë, pohoi, t’i hapim zemrat për dritën e Zotit. Pas lutjes, thirrja e Françeskut për paqen në Ukrainë.

R.SH. - Vatikan

Kreu i Kishës katolike është i pushtuar nga një dhimbje e thellë. Vijon të bëjë thirrje kundër luftës. Mendon për fëmijët, të cilëve po u mohohet  shpresa për një jetë të denjë, për të vdekurit, të plagosurit, jetimët e luftës.  Për fëmijët e pafajshëm, që luajnë me mbeturina armësh, të lëshuara mbi shtëpitë e tyre, mbi shkollat, mbi spitalet…Kurrë më luftë - është thirrja e tij e vazhdueshme. Në emër të Zotit, ndaluni”.

E gjithë kjo barrë e rëndë, sa vetë bota, vërehej menjëherë në gjithë qëndrimin e Papës: në fytyrë, në zë, në gjeste, ngarkuar me dhimbjen e mbarë njerëzimit sot. Ndjekur me të njëjtën dhimbje nga turma, gjithnjë më e madhe në Sheshin e Shën Pjetrit, që pret prej Atit një fjalë shprese. Me vetëdijen se kjo nuk i mungon kurrë! As tani, kur të duket se shpresat po bombardohen udhëve të Ukrainës.

Sot, duke komentuar Ungjillin e liturgjisë, foli për Shndërrimin e Jezusit. I çoi simbolikisht besimtarët mbi malin e lartë, ku Krishti, ndërsa lutej, ndryshon pamje. Petkat e tij bëhen të bardha e të shndritshme e, në dritën e lavdisë së Tij, duken Moisiu e Elia, që flasin me Të për Pashkët, të cilat e presin në Jeruzalem.

Një notë e stonuar

Është skenë e jashtëzakonshme ungjillore - kjo që na përshkruan Shën Luka. Me Krishtin, në mal, janë apostujt Pjetri, Gjoni e Jaku. Ne i përfytyrojmë në atë skenë të pashoqe malore, larë me dritën e Shndërrimit. E sigurisht kështu do ishte. Po Ungjilltari na kujton edhe se dishepujt ishin në gjumë e lavdinë e Jezusit e panë vetëm kur u zgjuan. Gjumi i apostujve  na duket si notë e stonuar. Të njëtët apostuj do t’i shohim përsëri - kujtoi në vijim Papa - duke dremitur edhe në Gjetseman, në çastin e lutjes së ankthshme të Jezusit, që i kishte porositur të rrinin zgjuar. Skenë që na nxit t’i bëjmë vets pyetjen: “Po ne?”

E çuditshme dremitja në çaste kaq të rëndësishme

Ata flinin, pra, por u zgjuan menjëherë, kur nisi Shndërrimi, domethënë, kur Jezusi ishte në lutje:

“Ishte lutje, që zgjatej prej kohe, në heshtje e përhumbje. Mund të mendojmë se edhe ata, në fillim, ishin duke u lutur, derisa lodhja bëri punën e vet”.

E Françesku, nga Mali i lartë ku shndërrohej Krishti dymijë vjet më parë, u kthye në kohët tona të trishta, duke e aktualizuar faqen ungjillore e duke na ftuar të rrimë zgjuar.

Ftesë për të ndenjur zgjuar, në lutje

Papa vijoi me një paralelizëm drejtuar besimtarëve të shumtë, që po e ndiqnin komentin ungjillor:

“A nuk i ngjet gjumi i apostujve dremitjeve tona të shumta në çaste që e dimë se janë tejet të rëndësishme? Ndoshta në mbrëmje, kur duam të lutemi, të rrimë paksa me Jezusin pas një dite ngarkuar me mijëra telashem mijëra punë, që nuk mbarojnë kurrë”.

Këtë theksoi Ati i Shenjtë, për të kujtuar, në vijim, buzëmbrëmjet në familje…

“.. kur  është ora për të shkëmbyer ndonjë fjalë në familje e nuk kemi më forcë. Duam të rrimë zgjuar, të jemi më të vëmendshëm, më pjesëmarrës, po nuk ia dalim dot, ose ia dalim, por jo ashtu siç dëshironim”.

Të kërkojmë hirin e zgjimit të shpirtit

Kreshmët janë kohë kur Krishti dëshiron të na zgjojë nga gjumi i shpirtit. E mund të na ndihmojnë në këtë drejtim:

“Sepse - ta kujtojmë mirë këtë - zgjimi i zemrës nuk varet vetëm nga ne. Është koha kur Zoti dëshiron të na zgjojë nga përgjumja shpirtërore. Sepse  ta kesh zemrën të zgjuar nuk varet vetëm nga ne: është hir, e duhet kërkuar. E dëshmojnë këtë tre dishepujt e Ungjillit: ishin të mirë, e kishin ndjekur Krishtin mbi mal, por pastaj kishin dremitur, nuk kishin mundur të rrinë zgjuar".

Me forcën e Shpirtit të Zotit mund ta kapërcejmë çdo kapitje

E Ati i Shenjtë kujtoi, në vijim, se dishepujt vërtet kishin fjetur, por edhe ishin zgjuar në çastin e duhur, pikërisht gjatë Shndërrimit. Mund të mendojmë se ishte drita e Jezusit, që ua nxori gjumin.

Po ne? – pyeti Papa:

“Edhe ne kemi nevojë për dritën e Zotit, që na bën t’i shikojmë gjërat ndryshe; na tërheq, na zgjon, rindez në shpirtin tonë dëshirën e forcën për t’u lutur, për të shikuar brenda shpirtit, për t’i kushtuar kohë të tjerëve. Me forcën e Shpirtit të Zotit mund ta kapërcejmë çdo kapitje”

Të mos e shuajmë dritën e dhomës, pa u shndritur nga drita e Zotit

Në këtë Kohë Kreshmësh – ishte prorosia e Papës -  pas lodhjeve të ditës, na bën mirë  të mos e shuajmë dritën e dhomës, derisa të shndritemi nga drita e Zotit. T’ia krijojmë Zotit mundësinë  të na  befasojë e të na e rizgjojë zemrën:

“Mund ta bëjmë këtë duke hapur Ungjillin e duke  u mahnitur nga Fjala e Zotit , që Shkrimi Shenjt të na i shndrisë hapat tonë  e të na e ndezë flakë zemrën”.

Ose, mund të  shikojmë Kryqin e të mrekullohemi  përballë dashurisë së pamabaruar të Zotit , që nuk lodhet kurrë nga ne  e ka pushtetin t’i shndërrojë ditët tona, t’u japë kuptim të ri, dritë të ndryshme,  të papritur.

Këto, porositë e Papës, për të qenë gjithnjë pranë Krishtit, pa harruar Zojen, së cilës, si zakonisht, i kërkoi...

“…  të na ndihmojë ta mbajmë zgjuar zemrën për ta  mirëpritur këtë kohë hiri, që na e dhuron Zoti”.

12 mars 2022, 18:07

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >