Kërko

Papa në mesazhin ‘Urbi et Orbi’: Ngjallja e Krishtit ngjarje që ndriçon zonat e errëta të botës

Papa në mesazhin ‘Urbi et Orbi’ tё Pashkёve 2022: Ngjallja e Krishtit ngjarje që ndriçon zonat e errëta të botës. Jezusi, i Kryqëzuari, u ngjall! Ai vjen ndërmjet atyre që e vajtojnë, të mbyllur në shtëpitë e tyre, plot frikë e ankth. Vjen mes tyre dhe thotë: "Paqja qoftë me ju!" (Gjn 20:19).

R.SH. - Vatikan

Mesazhi Papes Françesku Urbi et Orbi - Pashkët 2022

Të dashur vëllezër e motra, Gëzuar Pashkët!

Jezusi, i Kryqëzuari, u ngjall! Ai vjen ndërmjet atyre që e vajtojnë, të mbyllur në shtëpitë e tyre, plot frikë e ankth. Vjen mes tyre dhe thotë: "Paqja qoftë me ju!" (Gjn 20:19). Tregon plagët në duar dhe në këmbë e plagën në brinjë: nuk është fantazmë, është pikërisht Ai, Jezusi që vdiq në kryq, që ishte në varr. Para syve mosbesuese të dishepujve, Ai përsërit: "Paqja qoftë me ju!" (v. 21).

Edhe sytë tanë janë mosbesues, në këto Pashkë lufte. Shumë gjak pamë, shumë dhunë. E edhe zemrat tona u mbushën me frikë e me ankth, në një kohë kur shumë prej vëllezërve dhe motrave tona iu desh të mbyllen brenda, për t'u mbrojtur nga bombat. E kemi të vështirë të besojmë se Jezusi u ringjall me të vërtetë, se e mundi me të vërtetë vdekjen. Thua është ëndërr? Fryt i fantazisë sonë?

Jo, nuk është ëndërr! Sot më shumë se kurrë kumbon kumtimi i Pashkëve, aq të dashura për Lindjen e krishterë: “Krishti u ngjall! Me të vërtetë u ngjall!” Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për Të, në fund të këtyre Kreshmëve, që duket sikur nuk duan të mbarojnë kurrë! Jetuam dy vite pandemie, të cilat lanë gjurmë të rënda. Kishte ardhur çasti të dilnim nga tuneli së bashku, dorë për dore, duke bashkuar forcat tona dhe burimet tona... Ndërsa po tregojmë se  kemi ende shpirtin e Kainit, që e shikon Abelin jo si vëlla, por si kundërshtar, e mendon vetëm sesi ta zhdukë nga faqja e dheut. Ne kemi nevojë për të Kryqëzuarin e Ngjallur që të besojmë në fitoren e dashurisë, të shpresojmë në pajtimin. Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për të, që të vijë mes nesh dhe na thotë rishtas: “Paqja qoftë me ju!”.

Vetëm Ai mund ta bëjë këtë. Vetëm ai ka të drejtë sot të na e kumtojë paqen. Vetëm Jezusi, sepse ai mbart plagët, plagët tona. Plagët e Tij, janë dy herë tonat: tonat, sepse u hapën nga ne, nga mëkatet tona, nga ngurtësia e zemrës sonë, nga urrejtja vëllavrasëse; janë tonat sepse i mbart për ne, nuk i zhduk nga Trupi i tij i lumnueshëm, deshi t'i ruajë, t'i mbajë përgjithmonë.. Ato janë vula e pashlyeshme e dashurisë së tij për ne, janë ndërmjetësim i përjetshëm, që Ati Qiellor t’i shohë dhe të ketë mëshirë për ne dhe për mbarë botën. Plagët në trupin e Jezusit të ringjallur janë shenja të luftës që ai e luftoi dhe e fitoi për ne, me armët e dashurisë, që të kemi paqe, të jemi në paqe, të jetojmë në paqe.

Duke parë ato plagë të lavdishme, sytë tanë mosbesues hapen, zemrat tona të ngurtësuara hapen për kumtin e Pashkëve: “Paqja qoftë me ju!”.

Ta lëmë  paqen e Krishtit të hyjë në jetën tonë, në shtëpitë tona, në vendet tona!

Paqja qoftë me Ukrainën e martirizuar, të vënë keqas në provën e dhunës dhe  të shkatërrimit të luftës mizore dhe të pakuptimtë në të cilën u zvarris. Mbi këtë natë të tmerrshme vuajtjeje dhe vdekjeje, së shpejti do të lindë një agim i ri shprese! Të zgjidhet paqja! Të marrin fund kërcënimet, ndërsa njerëzit vuajnë. Ju lutem,  të mos mësohemi me luftën, por të angazhohemi të gjithë për të kërkuar paqen, nga ballkonet e nëpër rrugë! Kush  përgjigjet për kombet, ta dëgjojë thirrjen për paqe të njerëzve. Ta dëgjojë pyetjen shqetësuese të bërë nga shkencëtarët gati shtatëdhjetë vjet më parë: “Do t’i japim fund njerëzimit, apo njerëzimi do të dijë të heqë dorë nga lufta?" (Manifesti Russell-Einstein, 9 korrik 1955).

I kam në zemër të gjitha viktimat e shumta ukrainase, miliona refugjatët dhe njerëzit e zhvendosur brenda vendit, familjet e ndara, të moshuarit e mbetur vetëm, jetët e copëtuara dhe qytetet e bëra rrafsh me tokë. E kam ndër sy shikimin e fëmijëve të mbetur jetimë dhe që ikin nga lufta. Duke i parë, nuk mund të mos e dëgjojmë britmën e tyre të dhimbjes, së bashku me atë të shumë fëmijëve të tjerë që vuajnë në mbarë botën: atyre që vdesin nga uria a nga mungesa e kujdesit, që janë viktima të shpërdorimit dhe të dhunës, që u mohohet e drejta për të lindur.

Në dhimbjen e luftës nuk mungojnë edhe shenjat inkurajuese, siç janë portat e hapura të shumë familjeve dhe bashkësive, që mirëpresin migrantët dhe refugjatët në të gjithë Evropën. U shndërrofshin këto akte të shumta bamirësie në bekim për shoqëritë tona, shpesh të zvetënuara nga egoizmi dhe individualizmi, dhe ndihmofshin për t'i bërë mikpritëse për të gjithë.

Konflikti në Evropë na bëftë më të vëmendshëm edhe përballë situatave të tjera tensioni, vuajtjeje, dhimbjeje, që prekin shumë zona të botës dhe ne nuk mund, as nuk duam t'i harrojmë.

Paqe për Lindjen e Mesme, të copëtuar nga vite të tëra përçarjesh dhe konfliktesh. Në këtë ditë të lumnueshme të kërkojmë paqe për Jeruzalemin, e paqe për ata, që e duan (krh. Ps 121 [122]): të krishterë, hebrenj dhe myslimanë. E shijofshin izraelitët, palestinezët dhe të gjithë banorët e Qytetit të Shenjtë, së bashku me shtegtarët, bukurinë e paqes, të jetës në vëllazëri, të hyrjes lirisht në Vendet e Shenjta duke respektuar të drejtat e secilit.

Paqja dhe pajtimi qoftë me popujt e Libanit, Sirisë dhe Irakut, dhe në veçanti, me të gjitha bashkësitë e krishtera, që jetojnë në Lindjen e Mesme.

Paqja qoftë edhe me Libinë, që të gjejë stabilitetin, pas kaq vite tensionesh, e edhe me Jemenin, i cili vuan nga një konflikt i harruar, me viktima të vazhdueshme: armëpushimi i nënshkruar ditët e fundit ia riktheftë shpresën popullatës.

Zotit të ngjallur i kërkojmë dhuratën e pajtimit për Mianmarin, ku vazhdon skenari dramatik i urrejtjes dhe i dhunës, e edhe për Afganistanin, ku tensionet e rrezikshme shoqërore nuk po zbuten dhe kriza dramatike humanitare po e stërmundon popullsinë.

Paqja qoftë me të gjithë kontinentin afrikan, që të marrë fund shfrytëzimi, viktimë e të cilit është dhe hemorragjia e shkaktuar nga sulmet terroriste - veçanërisht në zonën e Sahelit - gjetët mbështetje konkrete në vëllazërinë e popujve. Rigjetët Etiopia e goditur nga një krizë e rëndë humanitare, rrugën e dialogut dhe të pajtimit  e pushoftë dhuna në Republikën Demokratike të Kongos. Mos mungoftë lutja dhe solidariteti për popujt e Jugafrikës lindore, të dëmtuara rëndë nga përmbytjet shkatërruese.

Krishti i ngjallur i shoqëroftë dhe i ndihmoftë popullsitë e Amerikës Latine, që në disa raste provuan keqësimin e kushteve të tyre shoqërore, në këto kohë të vështira pandemie, thelluar edhe nga rastet e krimit, dhunës, korrupsionit dhe trafikut të drogës.

Zotit të Ngjallur i drejtojmë lutjen ta shoqërojë rrugën e pajtimit që po ndjek Kisha Katolike kanadeze me popujt indigjenë. Fryma e Krishtit të Ngjallur i shëroftë plagët e së kaluarës dhe i ndihmoftë zemrat në kërkim të së vërtetës dhe vëllazërisë.

Të dashur vëllezër dhe motra, çdo luftë sjell me vete pasoja që përfshijnë gjithë njerëzimin: nga mortet, tek drama e refugjatëve e tek kriza ekonomike dhe ushqimore, shenjat e së cilës tashmë i kemi para sysh. Përballë shenjave të vazhdueshme të luftës, si dhe të humbjeve të shumta e të dhimbshme të jetës, Krishti, që fitoi mbi mëkatin, frikën dhe vdekjen, na nxitët të mos  dorëzohemi para së keqes e dhunës. Fitoftë mbi ne paqja e Krishtit! Paqja është e mundur, paqja është detyrë, paqja është përgjegjësi e parë e të gjithëve!

17 prill 2022, 13:47

Ç’është lutja e Mbretëreshës Qiellore?

Lutja fillestare e Mbretëreshës Qiellore, ose thjesht “Mbretëresha Qiellore”, është një nga katër lutjet mariane (të tjerat janë Alma Redemptoris Mater, Ave Regina Coelorum dhe Salve Regina).

Ishte Papa Benedikti XIV ai që, në vitin 1742, porositi të thuhej, në vend të Engjëllit të Tënzot, duke qëndruar në këmbë, si shenjë e fitores mbi vdekjen , gjatë Kohës së Pashkëve, domethënë, që nga e Diela e Pashkëve, deri tek Dita e Rrëshajëve.

Thuhet, ashtu si Engjëlli, tri herë në ditë: në  agim, në mesditë e në muzg, për t’ia kushtuar ditën Zotit e Marisë.

Kjo lutje e lashtë, sipas një tradite të përshpirtshme, duhet ta ketë fillesën  aty nga shekulli VI ose shekulli X, ndërsa përhapja e saj dokumentohet që nga gjysma e parë e shekullit XIII, kur u përfshi në Shkurtoren françeskane. Përbëhet nga katër fraza të shkurtëra, që përfundojnë me Aleluja e është lutja, që besimtarët ia drejtojnë Marisë, Mbretëreshë e Qiellit, për t’u gëzuar bashkë me të për ngjalljen e Krishtit.

Papa Françesku, më 6 prill 2015, pikërisht gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore në ditën pas Pashkëve, foli për gjendjen shpirtërore, me të cilën duhet thënë kjo lutje:

“… i drejtohemi Marisë duke e ftuar të gëzojë, sepse Ai, që e mbajti në kraharor, u ngjall, siç pati premtuar, e ia besojmë veten ndërmjetësimit të saj. Në të vërtetë gëzimi ynë është pasqyrim i gëzimit të Marisë, sepse është ajo, që i ruajti e i ruan në zemër ngjarjet e jetës së Jezusit. Ta themi, prandaj, këtë lutje  me mallëngjimin e bijve, që janë të lum, sepse e Lume është edhe Nëna e tyre.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >