Kërko

Papa: me të Ngjallurin, dëshmitarë të së vërtetës, që çliron nga frika

Zoti na fton të dalim nga frika jonë e të shkojmë t’ua kumtojmë të tjerëve se u ngjall. Françesku, në lutjen e Mbretëreshës Qiellore të së Hënës na dëshiron dëshmitarë të së vërtetës, që të bën të lirë!

R.SH. - Vatikan

Në Sheshin e Shën Pjetrit ka zbritur pranvera: nga plasat e gurëve të tremes e të shkallëve kanë shpërthyer lule mahnitëse, që  e mbushin gjithë sheshin me optimizmin e ditës së bukur. Është Pashka e vogël, sot. Pashkë, që flet për pranverë, për lule, për rini. E pikërisht rinia e mbarë Italisë, lulja e jetës, ka zbritur sot në Shesh, për t’i treguar botës së përflakur nga lufta, se ajo është aty për të mbrojtur pranverën, domethënë, paqen, jetën! Qindra  sy janë ngulur në dritaren, prej nga do t’u flasë Papa. E Françesku duket, i shoqëruar nga një stuhi duartrokitjesh.

“Ditët e Tetëshes së Pashkëve - u kujton -  janë si një ditë  e vetme, në të cilën zgjatet gëzimi i Ngjalljes. Kështu Liturgjia e sotme vijon të na flasë për të Ringjallurin, për dukjen e Tij para grave, që kishin shkuar me lot në sy tek varri. Jezusi i takon e i përshëndet. Pastaj u thotë dy fjalë. Na bën mirë t’i pranojmë edhe ne, si dhuratë  Pashkësh!

Dy fjalë, që na trimërojnë: mos kini frikë!

Në një kohë kur fjala frikë zë kryet e vendit ndërmjet mijëra fjalëve të përditshme - Zoti na bën thirrje:

“Mos u frikësoni! Zoti e di se frika është armiku ynë i përditshëm. E di edhe se frika jonë  lind nga një frikë tjetër, e madhe: frika e vdekjes, frika e zhdukjes, e humbjes së njerëzve të dashur, e sëmundjes, e ligështisë që të paralizon… Por për Pashkë Zoti e mundi vdekjen!”.

E mundi, ndaj na thotë bindshëm: Mos kini frikë! Zoti e thotë këtë aty, pranë varrit  prej nga doli fitimtar!

Ftesë për të dalë nga varret e frikës sonë

 Në këto kohë të vështira, të pushtuara sa nga sëmundja, aq edhe  nga lufta, një frikë e kemi të gjithë:

“Po Krishti na fton të dalim nga varret e frikës. Ai e di se frika struket në derën e zemrës sonë dhe se kemi nevojë që dikush të na përsërisë mos ki frikë, si në mëngjesin e Pashkëve, ashtu edhe në atë të çdo dite”.

E pastaj, thirrja atërore e Papës:

“Vëlla, motër, që beson në Krishtin, mos ki frikë! Unë provova vdekjen për ty, e  mora mbi vete të keqen tënde. Tani u ngjalla për të të thënë: Jam këtu, me ty, përgjithmonë. Mos ki frikë!".

Por si mund ta luftojmë konkretisht frikën? - pyeti në vijim të lutjes së Mbretëreshës Qiellore Papa - Na ndihmon gjëja e dytë, që u thotë Jezusi grave:

“Shkoni dhe lajmërojini vëllezërit e mi të nisen për në Galile; atje do të më shohin”.

Shkoni e shpallni!

 Shkoni e shpallni, na fton Jezusi - kujtoi Papa - Frika na mbyll gjithmonë në vetvete; po Jezusi na nxit të dalim dhe na dërgon tek të tjerët. Ky është ilaçi. Por unë - mund të thuash - nuk jam i aftë! As ato gra sigurisht nuk ishin më të përshtatshmet dhe më të përgatiturat për të shpallur të Ngjallurin, por kjo Zotit nuk i intereson aspak. I intereson që njerëzit të dalin dhe të kumtojnë gëzimin:

 “Sepse gëzimi i Pashkëve nuk duhet mbajtur për vete. Gëzimi i Krishtit shumëfishohet duke e ndarë së bashku. Nëse e ndajmë dhe e mbajmë gjithnjë me vete Ungjillin, zemrat tona zgjerohen e frika mposhtet!”.

Papa flet, e Sheshi ku bashkë me pranverën e luleve, ka zbritur edhe pranvera e jetës, domethënë, adoleshtetët nga të katër anët e Italisë - e edhe shtegtarë nga të katër anët e botës -  rilind, pas heshtjes së madhe.

Kundër-kumtimi

E Papa vijon: “Teksti i sotëm na kujton se kumti mund të hasë një pengesë: pabesinë. Ungjilli flet “për një kundërkumtim”, atë të ushtarëve që ruanin varrin e Jezusit. Ata paguhen “me një shumë të mirë parash” (v. 12) dhe marrin këto udhëzime: “Thuaj kështu: Dishepujt e tij erdhën natën dhe e vodhën ndërsa ne po flinim” (v. 13). Kjo është gënjeshtra, logjika e fshehjes, që i kundërvihet shpalljes së së vërtetës:

“Na kujton se gënjeshtrat - në fjalë dhe në jetë - e ndotin kumtimin, e kalbin nga brenda, e çojnë përsëri në varr. Ndërsa i Ngjalluri dëshiron që ne të dalim nga varret e gënjeshtrave dhe të qëndrimeve të dyfishta”.

Të dashur vëllezër e motra - vijoi Papa - me të drejtë shkandullohemi kur, përmes informacionit, zbulojmë gënjeshtra dhe mashtrime në jetën e njerëzve dhe në shoqëri. Por le t’u japim një emër edhe gënjeshtrave që i kemi brenda vetes! E t’i vëmë këto paqartësi, para dritës së Jezusit të ngjallur:

“Ai dëshiron t’i nxjerrë fshehtësitë në dritë, të na bëjë dëshmitarë transparentë dhe të ndritshëm të gëzimit të Ungjillit, të së vërtetës, që të na bëjë të lirë”.

Këtë nënvizoi Papa, për t’iu drejtuar, në përfundim Marisë, Nënës së të Ngjallurit, duke i kërkuar të na ndihmojë ta kapërcejmë frikën dhe të na dhurojë pasionin për të vërtetën.

18 prill 2022, 11:53

Ç’është lutja e Mbretëreshës Qiellore?

Lutja fillestare e Mbretëreshës Qiellore, ose thjesht “Mbretëresha Qiellore”, është një nga katër lutjet mariane (të tjerat janë Alma Redemptoris Mater, Ave Regina Coelorum dhe Salve Regina).

Ishte Papa Benedikti XIV ai që, në vitin 1742, porositi të thuhej, në vend të Engjëllit të Tënzot, duke qëndruar në këmbë, si shenjë e fitores mbi vdekjen , gjatë Kohës së Pashkëve, domethënë, që nga e Diela e Pashkëve, deri tek Dita e Rrëshajëve.

Thuhet, ashtu si Engjëlli, tri herë në ditë: në  agim, në mesditë e në muzg, për t’ia kushtuar ditën Zotit e Marisë.

Kjo lutje e lashtë, sipas një tradite të përshpirtshme, duhet ta ketë fillesën  aty nga shekulli VI ose shekulli X, ndërsa përhapja e saj dokumentohet që nga gjysma e parë e shekullit XIII, kur u përfshi në Shkurtoren françeskane. Përbëhet nga katër fraza të shkurtëra, që përfundojnë me Aleluja e është lutja, që besimtarët ia drejtojnë Marisë, Mbretëreshë e Qiellit, për t’u gëzuar bashkë me të për ngjalljen e Krishtit.

Papa Françesku, më 6 prill 2015, pikërisht gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore në ditën pas Pashkëve, foli për gjendjen shpirtërore, me të cilën duhet thënë kjo lutje:

“… i drejtohemi Marisë duke e ftuar të gëzojë, sepse Ai, që e mbajti në kraharor, u ngjall, siç pati premtuar, e ia besojmë veten ndërmjetësimit të saj. Në të vërtetë gëzimi ynë është pasqyrim i gëzimit të Marisë, sepse është ajo, që i ruajti e i ruan në zemër ngjarjet e jetës së Jezusit. Ta themi, prandaj, këtë lutje  me mallëngjimin e bijve, që janë të lum, sepse e Lume është edhe Nëna e tyre.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >