Kërko

Papa: të moshuarit duhen nderuar, kështu u njihet dinjiteti

Angazhimi për t’iu përgjigjur dashurisë së të moshuarve tanë me butësi e respekt, është ende i pamjaftueshëm në shoqëri, vërejti sot Papa Françesku, duke ia kushtuar katekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme urdhërimit “Nderoje atin e nënën tënde!”. Françesku i fton familjet t’i ushqejnë fëmijët me dashuri për gjyshërit e të mos i lënë pas dore, edhe kur jetojnë në shtëpitë e të moshuarve a në shtëpi pushimi

R.SH. - Vatikan

Nderoje babanë e nënën tënde!”: nga ky urdhërim u nis Papa Françesku për reflektimin e audiencës së përgjithshme të kësaj së mërkureje, me  nëntitullin: dashuri, për jetën e jetuar. Vijoi, kështu, ciklin e katekizmit kushtuar moshës së shkuar, parë sot përmes përvojës së brishtësisë,  përhumbjes, dëshpërimit, zhgënjimit, dyshimit e shpesh, edhe braktisjes. Duhet të bëjmë gjithçka për t’i mbështetur të moshuarit - kujtoi Papa- duke theksuar se ende bëhet pak  për ta në shoqëritë tona.

Ligështia mund të vijë në të gjitha fazat e jetës

Ligështia - kujtoi - mund të vijë në të gjitha fazat e jetës, por kur vjen në moshë të shkuar, shkakton një lloj vartësie, për të mos thënë bezdi, ngaqë mendohet se jeta “tashmë është jetuar me fund”. Dashuria që gurron  drejt së ardhmes sonë - kujtoi Papa -  nuk vijon me të njëjtën forcë kur jeta mbetet pas. Gjë që prindërit e njohin mirë. Por ndërkaq mund t’ua shpërblejmë dashurinë e dhuruar atyre, që na paraprinë, duke i nderuar. Me një nderim  “të vulosur nga urdhërimi i Zotit".

Në vijim, Papa Françesku theksoi:

“Ndero babanë dhe nënën tënde” është një angazhim solemn, i dyti ndër dhjetë Urdhërimet. Nuk ka të bëjë vetëm me babanë dhe nënën tënde. Bëhet fjalë për brezat, që na paraprijnë, lamtumira e të cilëve mund të jetë e ngadaltë dhe e zgjatur, duke krijuar kohë dhe hapësirë ​​bashkëjetese afatgjatë me moshat e tjera të jetës. E kjo quhet plakja e jetës!”.

Nderim për të moshuarit!

Papa kërkon nderim për të moshuarit! E nderim do të thotë edhe butësi, do të thotë respekt, koncepte që sot - vijoi - përmblidhen në një fjalë: dinjitet. E në vijim pohoi se shpesh të sëmurët, ose ata që nuk janë më të zotët e vetes, shërbehen, por nuk nderohen! Përshkroi prandaj, në vijim, disa qëndrime ose situata në të cilat “besimi i tepruar”  i pleqve në të rinjtë, e shndërron delikatesën në “vrazhdësi dhe zhgënjim”. E kjo ndodh…

“…kur dobësia qortohet, madje edhe ndëshkohet, sikur të ishte faj. Kur hutimi dhe konfuzioni bëhen shkas për tallje dhe ashpërsi.  E kjo mund të ndodhë mbrenda katër mureve të shtëpisë, në strehë pleqsh, por edhe ndër zyra apo nëpër mjediset e ndryshme të qytetit. Inkurajimi i të rinjve, edhe tërthorazi, për t’i përbuzur pleqtë, për t’u përtallur me dobësitë dhe pasigurisë e tyre,  mund të ketë pasoja të tmerrshme”.

Mësimi i Noesë

Ndër këto pasoja, Papa kujtoi rastin e të rinjve, që arritën deri në atë pikë, sa t’i vënë flakën një njeriu të pastrehë, duke e shikuar si “pleh njerëzor”. Përbuzja e plakut - kujtoi Papa - i çnderon të gjithë - për të cituar më pas një fragment nga historia e Noehut, që na jep një mësim të çmuar lidhur me këtë:

“Plaku Noe, hero i përmbytjes universale, ende punëtor i madh, shtrihet i shpërvjelur petkash, pasi ka pirë ndonjë gotë më shumë. Të bijtë, për të mos e lënë të zgjohet në atë gjendje, e mbulojnë me delikatesë, me sytë ulur, me shumë respekt. Ky tekst është shumë i bukur dhe na thotë  gjithçka duhet thënë për nderimim që duhet pasur ndaj të moshuarve. Në çdo situatë!”.

Pleqtë në shoqëritë e sotme

Duke u kthyer nga lashtësia, në të sotmen, Papa Françesku vëren se, pavarësisht nga burimet materiale të vëna në dispozicion të të moshuarve, lufta "për rikthimin e asaj forme të veçantë të dashurisë, që quhet nderim” duket ende e brishtë. Prandaj nxit:

“Duhet të bëjmë gjithçka për ta mbështetur e për ta inkurajuar, duke u siguruar mbështetje më të mirë shoqërore dhe kulturore atyre, që janë të ndjeshëm ndaj kësaj forme vendimtare të ‘qytetërimit të dashurisë’. Nuk është fjala për kozmetikë a kirurgji plastike. Përkundrazi, është çështje nderi, e cila duhet ta shndërrojë edukimin e të rinjve për jetën dhe fazat e saj”.

Nderimi për jetën e jetuar - përfundoi Papa – “nuk është punë pleqsh”, por sjellje, në dobi të brezave të rinj,  që të trashëgojnë cilësitë më të mira të etërve, të gjyshave...Sepse edhe ata, në rastin më të mirë, do të plaken një ditë! Është “revolucion i vërtetë kulturor” - përfundoi Papa - për të cilin duhet kërkuar ndihma e Shpirtit Shenjt!

20 prill 2022, 11:31

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >