Kërko

Françesku: feja nuk është “punë pleqsh", duhet nderuar pa hipokrizi

Në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa kujtoi një figurë të njohur biblike, Eleazarin. Deshi të nënvizojë kështu, vlerën e lidhjes së fesë me jetën, që të moshuarit mund t’ua dëshmojnë të rinjve, pavarësisht nga atmosfera kulturore, që e vë në lojë a e shikon si metodë të vjetëruar

R.SH. - Vatikan

Në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur paradite në Sheshin e Shën Pjetrit  në Vatikan, Papa Françesku kujtoi një figurë të njohur biblike, Eleazarin. Deshi të nënvizojë kështu, vlerën e lidhjes së fesë me jetën, që të moshuarit mund t’ua dëshmojnë të rinjve, pavarësisht nga atmosfera kulturore, që e vë në lojë a e shikon si metodë të vjetëruar

Ishte një personazh biblik, i quajtur Eleazar, i përmendur në Librin e dytë të Makabenjve, protagonisti i reflektimit të propozuar sot nga Papa, që vazhdoi ciklin e katekizmit kushtuar të moshuarve. Dëshmia e Eleazarit  të kujton lidhjen e veçantë ndërmjet besnikërisë së pleqërisë dhe nderimit të fesë, një aspekt që Papa deshi ta nxjerrë në pah, duke vërejtur se nderimi i fesë ndodhet shpesh “nën presionin, madje edhe të dhunshëm, të kulturës së sundimtarëve, e cila kërkon ta poshtërojë, duke e trajtuar si një realitet anakronik. Ndërsa feja “meriton respekt e nderim” sepse “është bekim për të gjithë!”.

Papa Bergoglio përshkroi, më pas, disa skena nga persekutimi i besimtarëve, ndërmjet të cilëve, edhe Plaku, që u jep të rinjve një shembull të ndritur feje:

“Një farë Eleazari (…) u përgjigj menjëherë duke kërkuar ta vrisnin edhe atë. Mbasi - vijoi - nuk është aspak e denjë për moshën time të shtirem, me rrezikun që shumë të rinj, duke menduar se Eleazari në moshën nëntëdhjetë vjeçare rroku zakonet e huaja, për shkak të sjelljes sime, të humbasin shpirtin dhe kështu ta çnderoj e ta njollos pleqërinë time. (2 Mac 6,18.23-25)”.

Refuzimi i plakut Eleazar

Persekutimi i Antiokut Epifan vijon, hebrenjtë detyrohen të hanë mish të flijuar për idhujt. Kur i kërkohet kjo edhe Eleazarit, plak shumë i respektuar, vetë zyrtarët e mbretit e këshillojnë të bëjë sikur po e ha mishin, pa e ngrënë. Kështu edhe do të shpëtonte, edhe do të ruante në shpirt besimin. E këshillojnë, pra, të sillet si hipokrit. E Françesku vëren: “Hipokrizi fetare. Ka shumë, eh! Ka shumë hipokrizi fetare, hipokrizi klerikale, ka shumë”. Por Eleazari refuzon vendosmërisht. Sjellje, që Papa e komenton:

“Kjo do të thotë të çnderosh besimin në pleqëri, për të fituar një grusht ditësh, gjë e cila nuk mund të krahasohet me trashëgiminë, që duhet t’u lërë të rinjve, breznive të tëra, të ardhshme. Për t’u lavdëruar, Eleazari! Ky plak që e jetoi besnikërisht fenë gjatë një jete të tërë, dhe tani i kërkohet të shtiret sikur po e mohon, duke dënuar brezin e ri të mendojë se feja nuk është gjë tjetër, veçse trillim, sjellje e jashtme, që mund të braktiset lehtë, e duke menduar edhe se mund të ruhet po aq lehtë brenda vetes”.

Mosha e shkuar - vazhdoi Françesku - është vendimtare për t’u dhënë të rinjve dëshmi mbi vlerën e besimit dhe të lidhjes së tij të ngushtë me jetën. Nëse kjo dëshmi do të mungonte, brezat e rinj do ta shikonin besimin “si një tërësi sjelljesh që, në rast nevoje, mund të maskohen, mbasi asnjëra prej tyre nuk është tepër e rëndësishme për jetën”.

Krishterimi është realist, po funksionon me duart tuaja

Papa Françesku vërejti, pra, se gnosa e lashtë heterodokse, në shekujt e parë të krishterimit teorizonte pikërisht këtë: “besimi është shpirtëror, jo  praktik; është forcë mendjeje, jo formë jete". Dhe shpjegoi:

“Joshja e kësaj perspektive është e fortë, sepse interpreton, në mënyrën e vet, një të vërtetë të padiskutueshme: të vërtetën sipas së cilës besimi nuk mund të reduktohet kurrë në një sërë rregullash dietike apo praktikash shoqërore. Besimi është diçka tjetër. Problemi është se radikalizimi gnostik i kësaj të vërtete anulon realizmin e besimit të krishterë, sepse feja e krishterë është realistike, feja e krishterë nuk është thjesht të thuash Besojmën: është ta mendosh Besojmën e ta ndjesh Besojmën e ta bësh Besojmën. Të veprosh me duar!”.

Besimi nuk është jashtësi, pa shpirt

Françesku kujtoi, më pas, rrethanat shoqërore aktuale e kulturore, për të pohuar se edhe sot nuk mungon tundimi gnostik dhe se praktikimi i fesë shikohet shpesh me ironi e me shpërfillje. Theksoi më pas Papa:

“Praktikimi i fesë, për këta gnostikë, që ishin qysh në kohë të Krishtit, shikohet si sjellje e jashtme, krejt e kotë e edhe e dëmshme; si mbeturinë e vjetëruar, si bestytni e maskuar. Me pak fjalë, punë pleqsh. Ndikimi që ushtron kjo kritikë mbi breznitë e reja është tejet i fortë. Natyrisht, ne e dimë se feja mund të praktikohet edhe pa shpirt. Ndonëse nuk mund të jetë kurrë pa shpirt”.

Besimi nuk është “për të moshuarit”

I takon të moshuarve - vijon Papa - “t’ia kthejnë nderimin fesë, deri në fund të fundit”. Praktikimi i besimit nuk është shenjë dobësie, përkundrazi, është shenjë force. Nuk është “për të moshuarit” - vijon Papa - Jo. Është “për jetën. Është bekim për të gjithë!”.

E Papa Françesku përfundoi duke folur lirisht:

“Të dashur vëllezër e motra të moshuar, për të mos thënë pleq, jemi në të njëjtin grup, ju lutem, kujdes të rinjtë: ata na shikojnë. Mos e harroni këtë. (...). Të rinjtë na shikojnë dhe qëndresa jonë mund të hapë një rrugë  mahnitëse jete për ta. Ndërsa çdo shprehje e hipokrizisë do të bënte dëm të rëndë. Të lutemi për njëri-tjetrin”.

04 maj 2022, 12:25

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >