Kërko

Papa: gjyshërit nuk janë pensionistë të pafuqishëm, po njerëz me talente për t’u vlerësuar

Në audiencën e përgjithshme Françesku foli për Juditën, heroinë biblike. E paraqiti si shembull të ndihmës, që u japin bujarisht të moshuarit familjeve e shoqërisë. Marrëdhëniet ndërmjet breznive duhen rimodeluar, nëse duam që shkëmbimet ndërmjet pleqve e të rinjve të jenë më të frytshme - theksoi

R.SH. - Vatikan

Jeta e Juditës, heroinë biblike, që e mbrojti Izraelin nga armiqtë e më vonë u tërhoq në qytetin e vet, duke u dalluar në pleqëri për mençurinë, mund t’u mësojë shumë pleqve të botës së sotme. Këtë theksoi Papa në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, duke vënë në dukje çka bëri heroina biblike kur gëzonte 105 vjetët e jetës. Për të kujtuar, në vijim, se “heroizëm nuk është vetëm ai, që ndikon mbi ngjarjet e mëdha, të ndjekura me reflektorë”, por edhe “mbi jetën e familjes e mbi bashkësinë e kërcënuar”.

Perspektivat e moshës së tretë

Në katekizmin e nëntë kushtuar të moshuarve e moshës së shkuar, Françesku u përqendrua posaçërisht në jetëgjatësinë e Juditës, për të vërejtur, më pas se “sot nuk është aspak e pazakontë të jetosh shumë e shumë vite pas stinës së fundit të jetës, domethënë, dimrit të daljes në pension”. E nëse ka nga ata, që e shohin perspektivën e daljes në pension si prehje të merituar dhe të shumëdëshiruar, larg veprimtarive kërkuese e tejet të lodhshme, “ndodh edhe që ditët e fundit të punës të bëhen burim shqetësimesh”.

E të lindin pyetje nga më të ndryshmet. Si të mbushet koha, së pari. Disa mund të kujdesen për nipërit e mbesat - pohoi Papa - por duke kujtuar më pas edhe se “sot lindin gjithnjë e më pak fëmijë dhe ndonjëherë nuk është i lehtë përkimi i moshës me distancat dhe udhëtimet. Të tjerë janë ende të fortë, të aftë për të vijuar punën, në arsim, për shembull. Po shoqëria ngurron, kur bëhet fjalë për t’u besuar gjyshërve  hapësira për arsimin. E i pranon vetëm atëhere, kur ka nevojë të ngutshme për ndihmë. A kur pleqtë ua kalojnë të rinjve. Prej këndej, Papa mendon se:

“Ka nevoja të reja, edhe në fushën e marrëdhënieve arsimore dhe familjare, të cilat kërkojnë reformimin e besëlidhjes tradicionale ndërmjet breznive”.

Bashkëprani më njerëzore dhe më e përzemërt ndërmjet breznive

Por ndërsa bashkëprania e brezave zgjatet - vijoi Françesku - a përpiqemi të gjithë për t’i bërë marrëdhëniet më njerëzore, më të përzemërta, më të drejta, në kushtet e reja të shoqërive moderne?

“Për gjyshërit, një pjesë e rëndësishme e thirrjes së tyre është t’i mbështesin bijtë në rritjen e fëmijëve. Kështu të vegjlit mësojnë forcën e dashurisë dhe respektin për brishtësinë: mësime të pazëvendësueshme, që me gjyshërit jepen e merren më lehtë. Ndërsa gjyshërit, nga ana e tyre, mësojnë se dashuria dhe brishtësia nuk janë vetëm shenja që të kujtojnë perëndimin e jetës: për të rinjtë, janë shenja, që e bëjnë të ardhmen më njerëzore”.

Shembulli i Juditës dhe talentet e karizmat e të moshuarve

Papa kujtoi shembullin e Juditës, e cila mbeti që heret e vejë e pa fëmijë, por që, si grua e moshuar, qe e aftë të jetojë një stinë të bardhë të përkryer, krejt të qetë, me vetëdijen se kishte përmbushur plotësisht misionin e besuar nga Zoti. U la trashëgim pasardhësve urtinë e butësinë, dhuratat më të mira për familjen dhe bashkësinë “trashëgimi mirësie, jo vetëm të mirash”. Dhe pikërisht në pleqëri “i dha lirinë skllaves së saj të dashur”, duke treguar se i kish ndjekur me sy të vëmendshëm e thellësisht njerëzorë, ata që i kish pasur pranë:

“Kur je i moshuar, humbet paksa të pamit, por shikimi i shpirtit bëhet më depërtues. Dikush fiton aftësinë për të shikuar gjëra, të cilat më parë i rrëshqisnin nga sytë. Kështu ndodh: Zoti nuk ua beson talentet e tij vetëm të rinjve dhe të fortëve: ka mjaft e për të gjithë, me masë për secilin. Jeta e bashkësive tona duhet të jetë në gjendje të kënaqet me talentet dhe karizmat e shumë të moshuarve, të cilët tashmë për zyrën e gjendjes civile janë pensionistë, po për shoqërinë, pasuri për t'u vlerësuar!”.

“Burimet e dhurimit” të moshës së shkuar

Me frymën e thellë krijuese e me gatishmërinë bujare - kujtoi Françesku - të moshuarit mund t’i bëjnë aftësitë e tyre “burime dhurimi”: duke dhënë mësime, duke këshilluar, duke ndërtuar, duke u kujdesur, duke folur e duke dëgjuar.  E mundësisht, mund t’u japin më shumë ndihmë edhe më të pafatëve, atyre që nuk kanë më forca për ta jetuar normalisht jetën, ose që braktisen e harrohen në vetminë e tyre.

11 maj 2022, 11:45

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >