Kërko

Papa: pleqëria është stinë e urtisë, në shoqërinë e lodhjes

Në audiencën e përgjithshme Françesku vazhdoi reflektimin kushtuar të moshuarve: një arsye e akullt dhe e papërgjegjshme po ia zhduk sot çdo kuptim e çdo energji njohjes të së vërtetës. Krijohet, kështu, rreziku që t’i jepet hapësirë ​​indiferencës dhe “magjisë së jetës” në një moshë që e jeton kërkimin e të vërtetave absolute të shkencës, paralelisht me bestytnitë dhe lajmet e rreme

R.SH. - Vatikan

Reflektoi përsëri për moshën e shkuar Françesku në katekizmin e sotëm të audiencës së përgjithshme. Sot shfletoi faqet biblike të Koheletit, që vënë në dyshim vetë kuptimin e jetës. “Gjithçka është kotësi”- shkruan profeti - gjithçka “mjegull”, “tym”, “boshllëk”. Pohime, fryt i njohjes së një jete, në të cilën gjithçka shkëputet nga pasioni për drejtësinë, garant i së cilës është gjykimi i Zotit”- shpjegoi Papa. Përballë saj, vetë Koheleti e kërkon e edhe e gjen më pas rrugdaljen: “Druaje Zotin dhe zbatoji urdhërimet e tij, sepse këtu është i gjithë njeriu!”.

Kotësia e diturisë, pa besim dhe pa moral

 Koheleti - sqaron Françesku - demaskon “iluzionin e gjithëdijes, prej nga lind vullneti i ligshtë”, “kotësia e dijes pa besim dhe pa moral, iluzioni i së vërtetës pa drejtësi” të cilën murgjërit e traditës së lashtë të krishterë e quanin “përtaci”: jo thjesht dembeli a depresion, por heqje dorë nga “njohja e botës, nga pasioni për drejtësi, nga dëshira për veprim”.

Sot mungon dija e jetës

Por “boshllëku i kuptimit dhe i forcës, krijuar nga kjo dije, e cila hedh poshtë çdo përgjegjësi etike dhe çdo dashuri për të mirën e vërtetë” - shpjegoi Papa - i hap portën agresivitetit të forcave të së keqes, domethënë “forcave të një arsyeje të çmendur, cinike nga teprimi i ideologjisë”:

“Shikojmë se, me gjithë përparimin dhe mirëqenien, u bëmë ‘shoqëri e lodhur”. Duhet të prodhonim mirëqenie të përgjithshme, e tolerojmë një treg me shëndet shkencërisht selektiv. Duhej të vendosnim një kufi të pakapërcyeshëm për paqen, e shikojmë gjithnjë e më shumë luftëra të pamëshirshme kundër njerëzve të pambrojtur. Shkenca përparon, natyrisht, dhe kjo është e mirë. Por dija e jetës është krejt tjetër gjë, dhe duket se ka ngecur në vend”.

Urtia e Koheletit dhe ndihmesa e të shkuarve nga mosha

Sipas Françeskut, jemi përballë një “arsyeje jo-afektive dhe të papërgjegjshme” që “ia heq kuptimin dhe energjinë edhe njohjes të së vërtetës”:

“Nuk është, prandaj, rastësi që koha jonë të jetë stinë e lajmeve të rreme, e bestytnive kolektive dhe të vërtetave pseudo-shkencore. Mosha e vjetër mund të mësojë nga urtia ironike e Koheletit artin për ta nxjerrë në dritë mashtrimin e fshehur në iluzionin e së vërtetës së mendjes pa dashuri për drejtësinë. Të moshuarit, të pasur me mençuri dhe humor, u bëjnë shumë mirë të rinjve! I shpëtojnë nga tundimi i njohjes së një bote të trishtuar, së cilës i mungon pikërisht urtia e jetës”.

 Të moshuarit mund ta ndezin shpresën për dashurinë dhe besimin

Përballë një realiteti në të cilin gjithçka konsiderohet si “kotësi e kotësisë”- vëren Françesku - “rruga e indiferencës mund të na duket i vetmi ilaç që mund të na ndihmojë të shpëtojmë nga zhgënjimi i dhimbshëm”. Kjo mund të ndodhë në çdo stinë të jetës - kujtoi Papa - aq më tepër në pleqëri. Megjithatë, është e nevojshme ta kalojmë një krizë të tillë, për të kuptuar se “kultura, që pretendon të masë gjithçka dhe të manipulojë gjithçka,  prodhon edhe demoralizim kolektiv të ndjenjave, të dashurisë, të së mirës”. I veshur me petka shkencore, por edhe shumë të pandjeshme e shumë amorale, kërkimi modern i së vërtetës tundohet të heqë dorë tërësisht nga pasioni për drejtësinë. Del, kështu, në dritë një “arsye e re cinike, që i përmbledh në një dijen dhe mungesën e përgjegjësisë”. Duke na  përjashtuar “nga morali, të duket në fillim si burim lirie, energjie - theksoi Papa - “por shpejt shndërrohet në paralizë të shpirtit”. Megjithatë, mosha e tretë mund të hapë një rrugë të re. Për Françeskun, çelësi i gjithçkaje është “rezistenca e pleqërisë”:

“Nëse të moshuarit, që tani kanë parë gjithçka, e mbajnë të paprekur pasionin e tyre për drejtësinë, atëherë ka shpresë për dashurinë e edhe për fenë”.

Papa: Të lutemi për paqen në Ukrainë dhe pajtimin e kombeve

Në përfundim të audiencës së përgjithshme, Papa i ftoi besimtarët t’ia besojnë Zojës Ndihma e të Krishterëve posaçërisht dëshirën për paqen në Ukrainë dhe në të gjithë botën.

“Dje kremtuam kujtimin e Zojës Ndihma e të Krishterëve. Në lutjet tona t’ia besojmë asaj posaçërisht dëshirën për paqen në Ukrainë dhe në të gjithë botën - kujtoi Papa në përfundim të audiencës së përgjithshme - Nëna e Zotit na mësoftë të jemi solidarë me ata, që po përballojnë tragjedinë e luftës dhe na nxjerrtë nga Zoti hirin e pajtimit të Kombeve”.Kështu u shpreh Françesku gjatë përshëndetjes drejtuar besimtarëve polakë, në përfundim të audiencës së përgjithshme.

25 maj 2022, 10:53

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >