Kërko

Papa Françesku: pleqëria nuk duhet fshehur, është “magjister i brishtësisë”

Në katekizmin e sotëm të audiencës së përgjithshme, Papa theksoi se duhen reformuar qytetërimi dhe politika, që i lë mënjanë të moshuarit e të sëmurët. Nga të vjetrit - kujtoi - mësojmë dhuratën e “lëshimit të vetvetes në dorë të të tjerëve, duke u nisur nga dora e Zotit

R.SH. - Vatikan

Në katekizmin e audiencës së përgjithshme, mbajtur sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Papa theksoi se duhen reformuar qytetërimi dhe politika, që i lë mënjanë të moshuarit e të  sëmurët. Nga të vjetrit - kujtoi Ati i Shenjtë - mësojmë dhuratën e “lëshimit të vetvetes në  dorë të të tjerëve, duke u nisur nga dora e Zotit”.

Reformimi i qytetërimit modern, të cilit “nuk i pëlqejnë sëmundjet e as pleqëria” duhet të nisë nga “mësimi i brishtësisë”, mësim të cilin mund ta japin të moshuarit. Reformë, kjo, që tashmë është e domosdoshme sepse “mënjanimi i pleqëve i errëson të gjitha stinët e jetës”. Papa Françesku e nënvizoi këtë në katekizmin e dymbëdhjetë kushtuar moshës së shkuar, duke përsëritur se nga të vjetrit duhet të mësojmë dhuratën e “lëshimit të vetes në duart e të tjerëve, duke nisur nga dora e Zotit”. E edhe duke kujtuar se politika “që merret aq shumë me përcaktimin e kufijve të moshës dinjitoze”, është e pandjeshme kur bëhet fjalë për dinjitetin e bashkëjetesës të përzemërt me të moshuarit dhe të sëmurët.

Kundër braktisjes, mashtrimit dhe arrogancës ndaj të moshuarve

Për të folur për “tensionin e fortë që rëndon mbi moshën e shtyrë, të prekur nga dobësia, Papa e mori shtytjen nga “lutja e bukur” e Psalmit 71. Proces - ankohet psalmisti i moshuar - i cili shndërrohet në “braktisje, mashtrim, paragjykim dhe arrogancë, që shpesh rëndojnë mbi korpin e shpirtin e të moshuarit”:

“Formë poshtërsie, për të cilën po specializohemi në këtë shoqërinë tonë. Në kulturën e hedhurinës, të moshuarit lihen plotësisht mënjanë dhe e vuajnë fuqimisht këtë mënjanim. E nuk mungojnë as ata, që përfitojnë nga mosha e pleqve, për t’i mashtruar e për t’i frikësuar në një mijë mënyra”.

Qëndrim i lidhur me kulturën e hedhurinës

Është drama, e rrëfyer shpesh nga mediat, e të moshuarve që mashtrohen “për t’u rrëmbyer kursimet”, “lihen pa mbrojtje, pa ndihmë, pa kujdes”, ose “fyhen  e përbuzen me të gjitha mënyrat e edhe frikësohen, që kështu të arrijnë deri në atë pikë, sa të heqin dorë nga të drejtat e tyre”. Kësisoj mizorish ndodhin edhe në gjirin e  familjes - ankohet Papa Françesku:

“Të moshuarit braktisen në shtëpitë e pushimit, ku i presin më kot fëmijët e tyre, të cilët nuk shkojnë kurrë për t’i vizituar e, edhe nëse shkojnë, shkojnë ndonjë herë në vit… Të moshuarit vendosen mu në skutë të jetës! Dhe kjo ndodh: ndodh sot, ndodh në familje, ndodh gjithmonë. Duhet të reflektojmë për këtë”.

E gjithë shoqëria, mendon Papa, “duhet të nxitojë të kujdeset për të moshuarit e saj, gjithnjë e më të shumtë, e shpesh edhe më të braktisur:

“Kur dëgjojmë për të moshuar të cilëve u është hequr pavarësia, siguria, e madje edhe shtëpia, kuptojmë se dyvlershmëria ndaj të moshuarve në shoqërinë e sotme nuk është problem i emergjencave të rastit, por shprehje e kulturës së hedhurinës, që po e helmon botën, në të cilën jetojmë”.

Arrijmë deri aty, sa ta fshehin moshën, për të mos humbur dinjitetin!

Pasojat e gjithë kësaj - vijon Papa - janë fatale. Pleqtë humbasin dinjitetin dhe arrijnë deri në atë pikë, sa të dyshojnë nëse ia vlen ndopak ta vijojnë shtegtimin në një botë të tillë. Atëhere të gjithë tundohemi ta fshehim ligështinë tonë, sëmundjet… Moshën, pleqërinë, që na trokiti tek porta, nga që mendojmë se janë paradhoma e humbjes së dinjtetit tonë. Dinjitetit të të gjithëve. Sepse nga pleqëria nuk shpëton askush, natyrisht, në rastin më të mirë:

“Ta pyesim atëhere veten: a është njerëzore ta nxitësh këtë ndjesi? Si është e mundur që qytetërimi modern, kaq i përparuar e i suksesshëm, tmerrohet kaq shumë nga sëmundja dhe nga pleqëria? E si është e mundur që politika, e cila mundohet aq shumë për të na treguar kufijtë e mundshëm të një jete dinjitoze, është njëkohësisht e pandjeshme ndaj dinjitetit të bashkëjetesës së përzemërt  me pleqtë e të sëmurët?”.

Lutja drejtuar Zotit, që i bën të ndjeshëm edhe të pandjeshmit

Plaku i Psalmit, “që e shikon pleqërinë si disfatë”, megjithatë - nënvizon Papa - “rizbulon besimin te Zoti. Ka nevojë për ndihmë. E duke mos e gjetur ndër njerëz, i drejtohet Hyjit”:

“Lutja rizbulon besimin tek Zoti dhe i bën thirrje t’i prekë ndërgjegjet e pandjeshme, që nuk duan ta kuptojnë shëmbëlltyrën e jetës së vdekshme”.  

Turp për kë përfiton nga ligështia e të moshuarve

Në të vërtetë - komenton me hidhërim Papa Françesku - “turpi duhet të bjerë mbi ata që përfitojnë nga dobësia e sëmundjes dhe e pleqërisë”. Nga ana tjetër, të moshuarit “rizbulojnë lutjen dhe dëshmojnë për forcën e saj. Sepse, Jezusi, në Ungjijtë, “nuk e prapëson kurrë lutjen e atyre, që kanë nevojë për ndihmë:

“Të moshuarit, për shkak të dobësisë, mund t’u mësojnë atyre që jetojnë moshat e tjera të jetës se ne të gjithë duhet ta lëshojmë veten në dorë të Zotit, se duhet të kërkojmë çdo çast ndihmën e Tij. Në këtë kuptim, të gjithë duhet të mësojmë nga pleqëria: po, ka edhe një dhanti në jetën e të moshuarve: është lëshimi i vetes në duart e të tjerëve, duke nisur nga vetë Zoti”.

Braktisja e pleqve, i helmon të gjitha stinët e jetës

Ekziston pra - përfundon Papa -  edhe “magjisteri i brishtësisë”, i cili nuk duhet të fshihet:  

“Ky magjister hap një horizont vendimtar për reformimin e qytetërimit tonë. Reformë tashmë e domosdoshme për të mirën e bashkëjetesës së të gjithëve. Braktisja - konceptuale dhe praktike - e të moshuarve, e helmon të  gjithë jetën, jo vetëm kohën e pleqërisë”

Edhe ti do të jesh i moshuar: trajto, si dëshiron të trajtohesh

Secili prej nesh - vazhdoi duke folur lirisht Papa Françesku, “mund të mendojë për pleqtë e familjes sot, për marrëdhëniet me ta, kujtimin, nevojën që kanë për t’i vizituar, për t’i respektuar”:

“Të moshuarit që janë në familjen time, babën, nënën, gjyshin, gjyshen, tezen, miqtë… i kam fshirë nga jeta ime, apo i vizitoj për të marrë prej  tyre urtinë? Urtinë e jetës. Mos harroni: edhe ju do të jeni të moshuar ose të moshuara. Pleqëria vjen për të gjithë. Sillu, prandaj sot, siç do të doje të silleshin me ty në vakt të pleqërisë! Pleqtë janë kujtesa i njerëzimit, kujtesa e vendit. T’i ruajmë, pra, të moshuarit, që janë urtia jonë! E sidomos, të lutemi të na i ruajë Zoti! Për të mirën e të gjithëve!”.

01 qershor 2022, 12:34

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >