Kërko

Papa: në pleqëri mësojmë ta dëshmojmë Krishtin edhe në ligështi e t’u hapim rrugën të rinjve

Në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, nën diellin përvëlues të qershorit, Papa trajtoi çështjen e dobësisë të moshës së shkuar, që të çon në varësi nga të tjerët, duke të ftuar t’i qëndrosh besnik fesë sate, edhe kur të lënë forcat dhe ndjen se jeta i afrohet fundit. Të moshuarit nuk duhet t’i kenë zili të rinjtë, që ua zënë vendin, madje duhet ta shikojnë këtë si pjesa më e mirë e jetës

R. SH. - Vatikan

Për katekizmin e pesëmbëdhjetë kushtuar pleqërisë në audiencën e përgjithshme, Françesku zgjodhi dialogun ndërmjet Jezusit e Pjetrit, në faqet e fundit të Ungjillit sipas Gjonit. U ndalua tek çasti, kur Jezusi e pyet Pjetrin tri herë rresht “A më do?”. Për t’i kujtuar, më pas, mënyrën sesi do t’i përfundonte ditët e jetës. Bisedë kjo, nga e cila Papa e mori shtytjen për  të bërë një mori pyetjesh e për t’i ftuar të gjithë të rrëmojnë ndërgjegjen.

Nisi nga pyetja kryesore për shpirtin njerëzor: “Si është marrëdhënia jonë me Krishtin? Për të hyrë më thellë, me pyetjen: “A është e hapur, e sinqertë, e drejtpërdrejtë, e vërtetë, njerëzore, si ajo e Jezusit me Pjetrin? Apo është e shkëputur e shtegtimi i besimit tonë mbetet gjithnjë tepër abstrakt,  tepër i ngarkuar me vlerësimin e vetvetes, tepër i pushtuar nga mendësia e botës?”.

Pas Krishtit, në moshën e ligështisë

E pas këtyre pyetjeve, që presin përgjigje edhe nga zemrat tona, Papa u rikthye përsëri tek dialogu i Krishtit me Pjetrin, si të donte t’i kujtonte se  “kur qe i ri, ishe i zoti i vetvetes, po kur të plakej, nuk do ta kishte më  në dorë vetveten, e as jetën e vet”.  E se “edhe dëshmia e tij  do të shoqërohej  nga ligështia, tipike për moshën e shtyrë, kur forcat shterrohen e njeriu e ka të vështirë t’u bëjë ballë tragjedive të vogla a të mëdha, që nuk t’i kursen kurrë jeta”. Kuptimi i kësaj këshille - shpjegoi Françesku - është se “do t’i duhej të mësohej me brishtësinë, me ligështinë, me pafuqinë, me vartësinë nga të tjerët:

“Thënë me dy fjalë, urtia e ndjekjes së Zotit duhet të gjejë rrugën e duhur për ta dëshmuar fenë (...) edhe në kushtet e kufizuara të dobësisë të moshës së shkuar”.

Dialogu Jezus-Pjeter, mësim i çmuar

Mësojmë shumë nga dialogu i Jezusit me Pjetrin:

“Kjo bisedë e Jezusit me Pjetrit, është mësim i çmuar për të gjithë dishepujt, për të gjithë besimtarët. E, doemos, edhe për të gjithë të moshuarit. Të gjithë duhet të mësojnë nga kjo brishtësi, për të shprehur qëndrueshmërinë e dëshmisë, në kushtet e një jete që u besohet kryesisht të tjerëve, që është në dorë të të tjerëve”.

Besnikëria ndaj dashurisë

Më pas pyetja e natyrshme:

“Kur e ndjejmë veten ligsht, a kemi  përshpirtërinë e duhur për t’i bërë ballë kësaj stine të jetës, që i besohet më shumë të tjerëve, sesa fuqisë së pavarësisë sonë?”.

Ky, reflektimi i Papës, pasuar sakaq nga një tjetër:

“Si mund t’i qëndrojmë besnikë ndjekjes së Krishtit - dashurisë së premtuar, drejtësisë së kërkuar kur ishim të aftë për nisma - në kohën e brishtësisë, të varësisë, të largimit nga protagonizmi i jetës sonë? Si?” - vazhdon Papa, duke ua lënë përgjigjen besimtarëve, që e dëgjojnë.

Tundimi për të ruajtur protagonizmin

Është një kohë sprove, kjo e pleqërisë, në të cilën nuk mungon as  tundimi “shumë njerëzor, pa dyshim, ndonëse edhe shumë tinëzar, për ta ruajtur protagonizmin” shton Françesku:

“Kur Pjetri, pasi pati diskutuar me Jezusin, duke parë Gjonin që i ndiqte, e pyet Mjeshtrin “E ai?”, si të donte të shtonte “ai çka do këtu?”, Papa sqaron se duket sikur po thotë: ‘A duhet vërtet të zërë vendin tim? Të hyjë në hapësirën time? A duhet të rrojë më shumë se unë, dhe të ma zërë vendin. E pse?”.

Përgjigjen na e jep Jezusi me fjalët e sinqerta, të buta, të bukura - komenton Françesku: “E çka po të duhet ty? Ti ndiqmë, e kjo mjafton”:

“Të moshuarit nuk duhet t’i kenë zili të rinjtë që shkelin në rrugën e tyre, që zënë vendin e tyre, që jetojnë më shumë se ata. Besnikëria e tyre ndaj dashurisë për të cilën qenë betuar, ndaj ndjekjes së fesë, në të cilën besuan edhe në orët pranë lamtumirës së jetës, janë titulli i admirimit të tyre për brezat që do të vijnë dhe i mirënjohjes nga ana e Zotit”.

Kështu pjesa më e mirë e jetës së të moshuarve do të jetë “ndjekja e Zotit në motet e plogështisë së detyruar, do të jetë kundrimi, dëgjimi e rrëmbimi nga fjala e Zotit”- që të larton në viset e dritës së pambaruar, të cilat i ëndërrove në lutje nga gjallëria e foshnjërisë - në plogështinë e pleqërisë:   gjatë gjithë jetës -  përfundoi Papa.

22 qershor 2022, 11:36

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >