Kërko

Papa: nuk do të jemi përjetësisht të rinj, por pleqëria na përgatit për përjetësinë

Misioni shpirtëror dhe kulturor i pleqërisë është ta zhdukë “iluzionin teknokratik të mbijetesës biologjike dhe robotike” dhe t’ia hapë zemrën “butësisë dhe ëmbëlsisë së prehërit krijues të Zotit”. Plaku ecën përpara, drejt të Përjetësisë dhe përgatitet për “lindjen nga lart”. Një “brezni në Shpirtin Shenjt” që “na lejon të hyjmë" në mbretërinë e Zotit”. Kjo, zemra e reflektimit të Papës Françesku, në katekizmin e audiencës së përgjithshme, mbajtur sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit

R.SH. - Vatikan

Në katekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme, kushtuar përsëri të moshuarve, Papa Françesku kujtoi se misioni i moshës së shkuar është ta zhdukë “iluzionin teknokratik të mbijetesës biologjike dhe robotike” dhe të shikojë përqafimin në prehër të Zotit, si “brez i ri në Shpirtin Shenjt”, “i lindur nga lart”.

Misioni shpirtëror dhe kulturor i pleqërisë është ta zhdukë “iluzionin teknokratik të mbijetesës biologjike dhe robotike” dhe t’ia hapë zemrën “butësisë dhe ëmbëlsisë së prehërit krijues të Zotit”. Plaku ecën përpara, drejt të Përjetësisë dhe përgatitet për “lindjen nga lart”. Një “brezni në Shpirtin Shenjt” që “na lejon të hyjmë" në mbretërinë e Zotit”. Kjo, zemra e reflektimit të Papës Françesku, në katekizmin e audiencës së përgjithshme, mbajtur sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit, e trembëdhjeta kushtuar temës së pleqërisë.

“Lindja nga lart”, falë Shpitit Shenjt, na bën të hyjmë në mbretërinë e Zotit

Papa analizon përgjigjen që Jezusi i jep pyetjes së Nikodemit, një prej krerëve të hebrenjve, duke u nisur nga Ungjilli i Gjonit: “Si mund të lindë njeriu, kur është i moshuar?".  E quan “zemra e zbulesës së Jezusit dhe e misionit të tij shëlbues”. Krishti i thotë Nikodemit se për të parë mbretërinë e Zotit, duhet lindur nga lart. Nuk është fjala për të nisur nga e para - shpjegon Papa Françesku - për të përsëritur ardhjen tonë në botë, duke shpresuar në një rimishërim, që do të rikrijojë mundësinë për një jetë më të mirë. Do të ishte  “përsëritje e pakuptimtë”, që do ta zbrazte jetën e jetuar nga çdo vlerë, duke e fshirë si të ishte eksperiment i dështuar,  vlerë e skaduar, zbrazëti për t’u flakur tutje. Jo, “kjo jetë, që e jetojmë është e çmuar para syve të Zotit” sepse ne jemi “krijesa të dashura prej Tij”:

“Lindja nga lart’, e cila na lejon të ‘hyjmë’ në mbretërinë e Hyjit, është brezni në Shpirtin Shenjt, është kalim përmes ujërash, drejt tokës së premtuar të një krijimi të pajtuar me dashurinë e Zotit. Është rilindje nga lart, me hirin e Zotit. Nuk është rilindje fizike. Nuk do të thotë të lindesh përsëri”.

Si të moshuar, ne i japim lamtumirën mitit të rinisë së përjetshme

 Nikodemi nuk e kupton këtë. Ai flet për një lindje të pamundur, sepse “qenia njerëzore plaket pashmangshmërisht, ëndrra për një rini të përjetshme zhduket përfundimisht, konsumimi është fundi i çdo lindjeje” . Pyetja e Nikodemit “është shumë e vlefshme për ne” - nënvizoi Papa. - “Mund ta përmbysim, në dritën e fjalës së Jezusit, përmes zbulimit të një misioni tipik për pleqërinë”.

E kjo…

 “Sepse të jesh i vjetër jo vetëm që nuk është pengesë për t’u lindur nga lart, siç na e kujton Jezusi, por kohë e duhur për ta ndriçuar këtë rilindje, duke i dhënë fund  keqkuptimit të një shprese të humbur”.

Kultura jonë - shpjegoi Papa Françesku - ka prirjen shqetësuese për ta konsideruar lindjen e një fëmije si çështje të thjeshtë të prodhimit dhe riprodhimit biologjik të qenies njerëzore, pastaj - e dëshpëruar - kultivon mitin e rinisë së përjetshme të korpit të pakalbshëm, si përgjigje për anktin që ia pushton zemrën e vdekshme! Më pas, një pyetje e mprehtë:

“Pse pleqëria përbuzet - e në shumë mënyra? Sepse sjell prova të pakundërshtueshme që e shembin këtë mit,  i cili do të dëshironte të na kthente rishtas në barkun e nënës, për të mbetur gjithnjë të paplakur e të paplapkshëm”.

Të kërkosh mirëqenie është e drejtë, ndërsa ta zhdukësh pleqërinë, është mendim i gabuar

Teknika, duke ndjekur këtë mit, “në pritje për ta mundur vdekjen” përpiqet të “mbajë gjallë trupin me ilaçe dhe kozmetikë, të cilat e ngadalësojnë, e fshehin, e trembin përkohësisht pleqërinë”. Sigurisht, - nënvizon Papa - “një gjë është mirëqenia, tjetër të ushqyerit e mitit”. Dhe këtu, duke e lënë mënjanë tekstin e shkruar - kujtoi “truket e shumta e ndërhyrjet e panumërta në përpjekjen për t'u dukur i ri”:

“Më kujtohen fjalët e një aktoreje të mençur italiane, Magnanit. Kur i thanë se duhej t’i hiqte rrudhat, ajo gjegji: ‘Jo, mos i prekni! M’u deshën vite për t’i pasur: mos i prekni, pra. Mirë janë, aty, ku janë!”. Rrudhat janë simbol i përvojës, simbol i jetës, simbol i pjekurisë, simbol i shtegtimit mbi dhe! Mos i prek, për t'u bërë i ri, i ri në fytyrë: çka të intereson, është i tërë personaliteti, është zemra, që mbetet gjithnjë në rininë e verës së mirë, që sa më shumë vjetërohet, aq më e mirë bëhet”

Koha e jetës së vdekshme nuk është fundi i jetës

Jeta në korp të vdekshëm, vazhdon Papa Françesku, “është një e pakryer” e bukur: si disa vepra arti. Është “nisje”, “jo fund”. Ne vijmë në botë kështu, si njerëz të vërtetë, përgjithmonë, por kjo jetë “është hapësirë ​​dhe kohë shumë e vogël për ta ruajtur të paprekur dhe për ta çuar deri në fund pjesën më të çmuar të jetës sonë në kohën e botës”. Feja, e cila na lejon ta mirëpresim “shpalljen ungjillore të mbretërisë së Zotit për të cilën jemi lindur, ndikon fuqimisht:

“Ajo na lejon ta shohim mbretërinë e Zotit. Na bën të aftë të shohim shenjat e shumta të afrimit të shpresës sonë për përjetësinë”

Në pleqëri zbulojmë “dëshirën për cakun e fundit”. Nëse mund të shohim shenjat e dashurisë ungjillore - sqaroi Papa - mund të hyjmë edhe në mbretëri, me kalimin e Shpirtit përmes ujit që rilind. E është pikërisht pleqëria kushti për ta parë nga afër “mrekullinë e kësaj lindjeje nga lart”, që “nuk  të ngjall nostalgji për lindjen në kohë, por dashuri për cakun përfundimtar”.

Nga ky këndvështrim, pleqëria ka një bukuri të pashembullt: ne ecim drejt të Përjetshmit. Askush nuk mund të rikthehet në barkun e nënës, madje as në zëvendësin e tij teknologjik dhe konsumistik. Do të ishte e trishtueshme, edhe sikur të ishte e mundur. Plaku ecën përpara, drejt fatit të fundit, drejt qiellit të Zotit! Ecën me urtinë e tij të jetuar ndër vite.   Mosha e vjetër - përfundoi Papa - bëhet kështu kohë e veçantë për ta çliruar të ardhmen nga iluzioni teknokratik i mbijetesës biologjike dhe robotike, por mbi të gjitha “pret butësinë e Zotit dhe të prehërit të tij krijues”:

 “Vërejeni gjyshin apo gjyshen si i shikojnë nipërit, si i përkëdhelin nipërit: kjo butësi, e lirë nga të gjitha sprovat njerëzore, që i ka kapërcyer këto sprova, është e aftë të dhurojë dashurinë, afërsinë e njërit për tjetrin, të hap portën për të kuptuar dashurinë e Zotit. Mos të harrojmë se Shpirti i Zotit është afërsi, dhembshuri, butësi. Kështu është Zoti! Di të ledhatojë!”.

Pleqtë, lajmëtarë të së ardhmes dhe të urtisë së jetës

Shpirti Shenjt na dhashtë – ishte urimi i fundit- “frymëzimin për ta rinisur këtë mision shpirtëror – e kulturor – të pleqërisë, që na pajton me lindjen nga lart”. Para se të nënvizonte, duke lënë gjithnjë mënjanë fjalimin e shkruar...

“Kur mendojmë për pleqërinë kështu, atëherë themi: si është e mundur që kultura e hedhurinës vendos t’i flakë të motnuemit, si të padobishëm? Të vjetrit janë lajmëtarët e së ardhmes, të vjetrit janë lajmëtarët e butësisë, të vjetrit janë lajmëtarët e mençurisë së një jete të jetuar. Le të shkojmë përpara, duke shikuar të vjetrit!”.

08 qershor 2022, 12:12

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >