Kërko

Papa: pleqëria është limit, por edhe dhuratë, nuk duhet hedhur poshtë

Françesku kritikon sërish kulturën, që i lë të moshuarit mënjanë, duke i konsideruar të padobishëm për jetën. Përkundrazi, njerëzit në moshë të shtyrë duhet të jenë në qendër të vëmendjes së bashkësisë: dialogu fëmijë-gjyshër është thelbësor për të shmangur rritjen e “një brezi pa të kaluar, pra, pa rrënjë”

R.SH. – Vatikan

Një tjetër katekezë kushtuar pleqërisë, ajo e audiencës së përgjithshme të sotme. Pikënisja për reflektimin e Papës Françesku ishte një pjesë nga Ungjilli sipas Markut. Tema: “Shërbimi plot gëzim i fesë, që mësohet nga mirënjohja”. Pjesa ungjillore përshkruan shërimin e vjehrrës së Simon Pjetrit, që dergjej në shtrat me temperaturë (Mc 1, 29-31). Papa Françesku komentoi se ethet në moshë të shtyrë mund të jenë të rrezikshme, prandaj, duhet pasur durim e duhet kuptuar ç’mund t’i kërkohet ende vetvetes:

“Sëmundja rëndon mbi të moshuarin në mënyrë të ndryshme dhe të re, në krahasim me kohën kur ishte i ri apo edhe i rritur. Është si një goditje e fortë, që ndikon mbi një kohë të vështirë në vetvete. Sëmundja e të moshuarit duket sikur e shpejton vdekjen e gjithsesi, duket sikur e pakëson kohën, që i mbetet për të jetuar, e cila që në atë çast konsiderohet e shkurtër. Na vjen dyshimi se nuk do ta marrim veten, se ‘këtë herë do të jetë e fundit që sëmuremi...’. Është e pamundur të ëndërrosh për shpresën në një të ardhme, që duket sikur nuk ekziston më”.

Bashkësia duhet të kujdeset për të moshuarit

Papa nënvizoi faktin që Jezu Krishti nuk shkon i vetëm për ta vizituar atë grua të moshuar e të sëmurë, por shkon tek ajo së bashku me dishepujt. E vijoi, duke kërkuar që si atëherë, edhe sot, të jetë “bashkësia e krishterë ajo, që duhet të kujdeset për të moshuarit”, veçanërisht tani që numri i tyre është rritur.

“Duhet ta ndiejmë përgjegjësinë për t’i vizituar të moshuarit, që shpesh rrinë vetëm dhe t’ua paraqesim Zotit me lutjet tona. Vetë Jezusi do të na mësojë si t’i duam. ‘Një shoqëri e mirëpret vërtet jetën kur pranon se është e çmuar edhe në pleqëri, në paaftësi, në sëmundje të rëndë, edhe kur po shuhet’ (Mesazhi drejtuar Akademisë Papnore për Jetën, 19 shkurt 2014). Jeta është gjithmonë e çmuar”.

Mirënjohja e gruas

Jezusi e shëron vjehrrën e Pjetrit, e cila e falënderon me mirënjohje. Papa e vuri në dukje këtë aspekt, duke kritikuar edhe një herë kulturën e hedhurinave, që i mënjanon të vjetrit, sikur të ishin një barrë e rëndë.

“Kjo është tradhti ndaj humanizmit, kjo është gjëja më e keqe, kjo do të thotë të zgjedhësh jetën sipas dobisë, sipas rinisë dhe jo jetën siç është, me urtinë e të vjetërve, me limitet e të moshuarve. Të vjetrit kanë kaq shumë për të na dhënë: kanë urtinë e jetës. Kaq shumë për të na mësuar: prandaj, duhet t’u mësojmë edhe fëmijëve që të kujdesen për ta, të shkojnë te gjyshërit. Dialogu ndërmjet të rinjve, fëmijëve dhe gjyshërve është themelor për shoqërinë, është themelor për Kishën, është themelor për shëndetin e jetës. Aty ku nuk ka dialog ndërmjet të rinjve dhe të moshuarve mungon diçka dhe rritet një brez pa të kaluar, pra, pa rrënjë”.

Të moshuarit janë të çmuar, nuk duhen mënjanuar

E moshuara e shëruar nga Jezusi ngrihet, na thotë ungjilltari, dhe vihet në shërbim të dishepujve. Edhe sot, nëse të moshuarit nuk mënjanohen, vërejti Papa, mund t’i shërbejnë bashkësisë ku bëjnë pjesë, qoftë edhe duke i mësuar mirënjohjen ndaj Zotit për dhuratat, që u jep të gjithëve, gjatë gjithë jetës. E këtë mund ta bëjnë në mënyrë të veçantë gratë, megjithëse nuk është “eskluzive” e tyre, theksoi Françesku.

“Shërbesa ungjillore e mirënjohjes për dhembshurinë e Zotit, në asnjë mënyrë nuk përmbahet në gramatikën e burrit zot dhe të gruas shërbëtore: jo, kjo nuk është e vërtetë. Megjithatë, përsa i përket mirënjohjes dhe dhembshurisë së fesë, gratë mund t’u mësojnë burrave gjëra, që ata e kanë më të vështirë t’i kuptojnë. Vjehrra e Pjetrit, përpara se të mbërrinin Apostujt, gjatë rrugës për të ndjekur Jezusin, u tregoi edhe atyre udhën”.

Papa Françesku e përfundoi katekizmin e audiencës së përgjithshme me një imazh të bukur: delikatesa e Jezusit ndaj gruas së kësaj pjese ungjillore tregon qartë “ndjeshmërinë e tij të veçantë ndaj të brishtëve dhe të sëmurëve, të cilën Biri i Zotit sigurisht e kishte mësuar nga Nëna e tij”.

15 qershor 2022, 11:01

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >