Kërko

Pamje pas bombardimeve Pamje pas bombardimeve 

Kriza ukrainase, Papa: të kalohet nga strategjitë e pushtetit, në projektin e paqes globale

Thirrje e fortë e Françeskut drejtuar krerëve të kombeve dhe organizatave ndërkombëtare që të mos thellohet konflikti dhe kundërshtimi. “Kriza e Ukrainës - kujtoi Papa në fund të lutjes së Engjëllit - nëse dikush e dëshiron, mund të bëhet ende sfidë e pushtetarëve të mençur, të aftë për të ndërtuar, me dialog, një botë më të mirë për brezat e rinj. Në Sheshin e Shën Pjetrit, shumë flamuj shqiptarë.

R.SH. - Vatikan

Pas lutjes mariane të Engjëllit të Tënzot,  Papa shprehu përsëri shqetësimin  për krizën ukrainase dhe i ftoi besimtarët të vazhdojnë lutjen për paqen në vend dhe në mbarë botën.

Kriza e Ukrainës mund të bëhet sfidë për shtetarët e mençur

“U bëj thirrje krerëve të kombeve dhe organizatave ndërkombëtare që të reagojnë ndaj tendencës për të theksuar konfliktin dhe kundërshtimin. Bota ka nevojë për paqe”.

Kjo, thirrja. Por Papa saktëson edhe një herë se nuk dëshirohet paqja e bazuar “mbi ekuilibrin e armatimeve, mbi frikën reciproke”, sepse kjo do të thotë “ta kthesh historinë shtatëdhjetë vjet mbrapa”. E më pas shton:

“Kriza ukrainase duhet të ishte, por - nëse dëshirohet - ajo mund të bëhet ende sfidë për pushtetarët e mençur, të aftë për të ndërtuar me dialog, një botë më të mirë për brezat e rinj. Me ndihmën e Zotit, kjo është gjithmonë e mundur!”.

Më pas, mendimi i Atit të Shenjtë për paqen globale:

“Shpresohet ‘kalimi nga strategjitë e fuqisë politike, ekonomike dhe ushtarake, në një projekt paqeje globale’: jo për një botë të ndarë ndërmjet fuqive konfliktuale - deklaron Françesku - po për një botë të bashkuar, me popuj dhe qytetërime, që e respektojnë njëri-tjetrin”.

Bombardohet aeroporti i Melitopolit, i pushtuar nga Rusia

Ndërkaq, duke lexuar kronikën, mësojmë se media ruse akuzoi Ukrainën për bombardimin e aeroportit Melitopol, aktualisht nën kontrollin e forcave të Moskës. Sipas Ria Novosti, forcat ukrainase e bombarduan dy herë gjatë natës qytetin përkohësisht të pushtuar. Duke i penguar civilët të hyjnë në strehimet e sulmit ajror, forcat ruse i mbyllën të gjitha - njoftojnë mediat ukrainase - ndaj shumë banorë dyshohet se po përpiqen të largohen nga qyteti. Ushtria ukrainase goditi qytetet ruse të Kursk dhe Belgorod, pranë kufirit, me raketa Tochka-U dhe drone Reis “me një sulm të qëllimshëm me raketa balistike Tochka-U me municion thërrmues dhe drone Tu-143 Reis në zonat e banuara, ku nuk ka ushtarakë”. Kështu deklaroi ministria ruse e mbrojtjes, siç raporton Ria Novosti, duke shtuar se “sulmi me raketa ishte planifikuar dhe kryer me qëllim kundër popullatës civile të qyteteve ruse”.

Nën kontrollin e plotë rus Lysychansk, në Luhansk

Lysychansk, bastioni i fundit i madh ukrainas në provincën strategjike lindore të Luhansk, ka rënë. Lajmin e jep agjencia Tass, duke cituar ministrin rus të mbrojtjes. Megjithatë, pati një kundërsulm të ri ukrainas në territoret e pushtuara nga Rusia. Në Chornobayivka, qytet pranë Khersonit, në Ukrainën juglindore, forcat e armatosura ukrainase hodhën në erë një depo municionesh ruse. Edhe në territorin bjellorus, sipas presidentit bjellorus Lukashenko - Ukraina u përpoq të godiste objektet ushtarake javën e kaluar, por të gjitha raketat e saj u kapën. Ndërkohë, sistemet ruse të mbrojtjes ajrore rrëzuan dy dronë ukrainas Strizh që po i afroheshin Kurskut, kryeqytetit të provincës ruse me të njëjtin emër. Kërkimi i armëve nga Ukraina vazhdon: Shtetet e Bashkuara po dërgojnë dy sisteme raketash tokë-ajër Nasams, katër radarë shtesë kundër-artilerie dhe rreth 150,000 predha artilerie 155 mm.

BE vlerëson kontrollet për t'i bërë masat ndëshkimore më efektive

Bashkimi Evropian po vlerëson mundësinë për t’i bërë më efektive masat ndëshkimore të miratuara, veçanërisht ato kundër Rusisë, përmes krijimit të një Autoriteti ‘ad hoc’ për të kontrolluar zbatimin e tyre, pasi kjo detyrë e fundit, nën përgjegjësinë e shteteve anëtare, nuk është kryer gjithnjë si duhet. Kjo u konfirmua nga Komisionerja e BE-së për Shërbimet Financiare, Mairead McGuinness në një intervistë me Financial Times. Por megjithatë, edhe në këtë situatë, sipas Peshkopit të Odesës, Šyrokoradjuk “shumë ukrainas po kthehen”.

03 korrik 2022, 13:43