Kërko

2022.07.04 Delegazione della "Ligue Europeenne de Natation" 2022.07.04 Delegazione della "Ligue Europeenne de Natation"

Papa: angazhimi për një botë pa luftë vjen edhe nga sporti

Në takimin me Ligën Evropiane të Notit, Papa u drejtoi një mesazh sportistëve që do të marrin pjesë në Kampionatin e Romës pas rreth një muaji, duke i cilësuar ngjarjet kryesore sportive si çast të takimi të të rinjve nga vende të ndryshme dhe, si pasojë, si shenjë shprese per një botë më të mirë

R.SH. - Vatikan

“Në këtë çast na duhet më shumë se kurrë sporti, sporti i vërtetë, për të kompensuar konfliktin e tepruar, që rëndon mbi botën tonë e, fatkeqësisht, edhe mbi kontinentin europian”.

Shqetësohet përsëri Papa Françesku për ngjarjet aktuale, duke folur me  Ligën Evropiane të Notit, pritur sot në audiencë, në prag të edicionit të 36-të të Kampionatit Evropian të Notit, që do të zhvillohet në Romë nga 11 deri më 21 gusht.

Mesazh për Kampionatin Evropian të Notit

Pikërisht me rastin e kampionatit, Papa u drejton një mesazh të gjithë sportistëve, që do të marrin pjesë, duke theksuar se çdo ngjarje e madhe sportive “është çast i privilegjuar takimi për të rinjtë nga vende të ndryshme dhe, si pasojë, shenjë shprese për një botë më të mirë”. Françesku thekson se “kjo përkon me thirrjen e Romës, qytet universal,  qytet i hapur për botën, qytet nga i cili Kisha e përhap në të katër anët ungjillin e vëllazërisë”.

Dhimbja për Ukrainën dhe thirrja për t’i dhënë fund luftës

Por Papa këmbëngul posaçërisht në konfliktin në Evropën Lindore, duke ndarë me sportistët ndjenjat e veta e duke kërkuar edhe angazhimin e tyre për paqen:

“Mendoj se ju, si unë, jeni të trishtuar sepse hija e luftës në Ukrainë rëndon edhe mbi këtë festë sportive. Por do të doja që kjo të bëhej shtytje për ta manifestuar edhe më fort angazhimin tonë për një botë pa luftëra, pa urrejtje ndërmjet popujve, pa kërcënim bërthamor”.

Sporti, mjet i vëllazërimit

Në mesazhin e tij për Lojërat Mesdhetare, që po zhvillohen në Oran të Algjerisë, në të cilat merr pjesë edhe Athletica Vaticana, Françesku e shikon sportin si “mjet të frytshëm” të vëllazërisë, që nuk e ndalon dot luftën, por që mund të tregojë se ka mundësi që njerëzimi të jetë edhe ndryshe: respektues i vlerave, i ndershëm dhe i vëmendshëm, sepse sporti i mirëfilltë është edhe një nga format e edukimit.

Dëshira e Papës për sportistët, që do të marrin pjesë në Kampionatin Evropian të Romës, është ta përjetojnë garën sportive “si një çast feste” dhe “vëllazërimi”, “në një atmosferë të qetë”, në mënyrë që të gjithë të arrijnë rezultatet më të larta të mundshme.

Duke marrë shkas nga pjesëmarrja e një fëmije në audiencën me drejtuesit e Ligës Evropiane të Notit, Françesku theksoi se të vegjlit, me praninë e tyre, ia heqin “etiketën” takimit, mbasi “janë të lirë të bëjnë çfarë të duan”. E, në përfundim nxiti “t’i shikojmë gjithnjë fëmijët, sepse na tregojnë atë zonë, ku mund të merret frymë lirisht”.

04 korrik 2022, 14:38