Kërko

Françesku: aleanca e të moshuarve me fëmijët do ta shpëtojë njerëzimin

Në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sallën Pali VI, në Vatikan, Papa vazhdoi meditimin mbi pleqërinë: dëshmia që të moshuarit mund t'u japin fëmijëve dhe të rinjve "është më e besueshme", pasi sheh drejt horizontit të jetës së amshuar. Ndarja ndërmjet moshave i vë ato në konkurrencë me njera-tjetrën e kjo është e dëmshme

R.SH. – Vatikan

 “Aleanca e të moshuarve me fëmijët do ta shpëtojë familjen njerëzore” nëse do t’u japim të vegjëlve dëshminë e të moshuarve, që me urti presin cakun e fundmë të jetës. Fjalët e Papës Françesku në audiencën e sotme të përgjithshme, në Sallën Pali VI në Vatikan, duket sikur aktualizohen pak para fundit, kur një fëmijë i vogël flokëverdhë ngjiti shkallët dhe iu afrua Atit të Shenjtë, për të ndenjur pranë tij deri në përfundim. Papa e pyeti për emrin dhe më pas, komentoi mes duartrokitjeve: "Në audiencë po flisnim për dialogun ndërmjet të moshuarve dhe të rinjve, eh? Lu (ky, emri i fëmijës) është i guximshëm”. Pastaj, shtoi duke buzëqeshur: “E rri këtu urtë ë?”.

E dhimbshme, kur moshat e jetës konceptohen si botë të ndara

Edhe në këtë audiencë Françesku iu kthye temës së aleancës ndërmjet brezave, në katekizimin e 17-të kushtuar moshës së shtyrë, e cila na "siguron për destinacionin e jetës, që nuk vdes kurrë më”, duke theksuar se dëshmia e të moshuarve "për fëmijët është e besueshme" më shumë se ajo e të rinjve dhe e të rriturve, sepse pleqëria “e mban të patundur horizontin e fatit tonë”. Për këtë arsye, “është e dhimbshme dhe e dëmshme kur sheh se moshat e jetës konceptohen si botë të ndara, që konkurrojnë me njëra-tjetrën”.

Thirrja e veçantë e pleqërisë: paraqitja e fëmijëve si dhuratë

Papa komentoi një pjesë nga Libri i Danielit, në Besëlidhjen e Vjetër, ku profeti sheh në ëndërr Mesinë, që i paraqitet si i Pari dhe i Fundit, si i Gjalli, që më parë ishte i vdekur e pastaj u ringjall. Flokët e gjatë e të bardhë të Zotit, që duket si i moshuar, janë “simbol i lashtë i një kohe tejet të gjatë, i një të kaluare që s’mbahet mend, i një jete të pasosur”. Kur ua përshkruajmë Zotin fëmijëve si një gjysh me flokë të bardhë, vërejti Papa, përdorim një figurë biblike, të fisme e të dhembshur. Pastaj, përmendi Paraqitjen e Jezu Krishtit në Tempull, kur gjithnjë dy të moshuar, Simeoni e Ana, presin Birin e Hyjit, ndërsa Simeoni e merr në krahë.

“Gjesti i Simeonit – nënvizoi Ati i Shenjtë – është ikona më e bukur për thirrjen e veçantë të pleqërisë: paraqitja e fëmijëve, që vijnë në këtë botë, si dhuratë e vazhdueshme e Zotit, duke e ditur se njëri prej tyre është Biri i lindur në vetë intimitetin e Hyjit, para të gjithë shekujve”.

Dëshmia e të moshuarve është e besueshme për fëmijët

Ashtu si bënë Simeoni e Ana me Jezu Krishtin, ashtu edhe çdo i moshuar duhet t’u dëshmojë fëmijëve bekimin, që kanë marrë prej Zotit, me një jetë, që askush s’mund t’ua vjedhë e askush s’mund ta zhdukë. As vdekja. “Ne të moshuarit – vuri në dukje Papa – jemi të thirrur pikërisht për këtë, për t’ua kaluar stafetën fëmijëve, që ata ta çojnë përpara”.

“Dëshmia e të moshuarve është e besueshme për fëmijët: të rinjtë dhe të rriturit nuk janë në gjendje ta bëjnë atë aq të vërtetë, aq të butë, aq prekëse sa mund ta bëjnë të moshuarit. Kur i moshuari bekon jetën, që vjen ta takojë, duke lënë mënjanë çdo mllef për jetën që po i ikën, bëhet i parezistueshëm. Nuk hidhërohet se koha po i kalon dhe se ai po përgatitet ta lërë këtë botë: jo. Është plot me atë gëzimin e verës së mirë, që bëhet e mirë me kalimin e viteve”.

Moshat e jetës nuk janë botë të ndara

Dëshmia e të moshuarve, theksoi Françesku, “i bashkon epokat e jetës me përmasat e kohës: të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen”. Sepse pleqtë "nuk janë vetëm kujtimi, ata janë e tashmja dhe premtimi i së ardhmes".

“Është e dhimbshme - dhe e dëmshme – kur sheh se moshat e jetës konceptohen si botë të ndara, që konkurrojnë me njëra-tjetrën, duke u përpjekur të jetojnë njëra në kurriz të tjetrës”.

Aty ku fëmijët flasin me të moshuarit, ka të ardhme

E, nëse njerëzimi është tejet i lashtë, "nëse shikojmë kohën, që na tregon ora”, Biri i Zotit "është i Pari dhe i Fundmi i të gjitha kohërave". Prandaj, sipas Papës, askush "nuk bie jashtë nga gjenerata e tij e përjetshme, nga forca e tij e shkëlqyer, nga afërsia e tij plot dashuri".

“Aleanca e të moshuarve me fëmijët do ta shpëtojë familjen njerëzore. Aty ku fëmijët, ku të rinjtë flasin me të moshuarit, ka të ardhme; nëse nuk ka dialog ndërmjet të moshuarve dhe të rinjve, e ardhmja nuk shihet qartë. Ju lutem, a mund t'u japim fëmijëve, të cilët duhet të mësojnë të lindin, dëshminë e dhembshur të të moshuarve, që zotërojnë urtinë e pritjes së vdekjes?”

Të moshuar, të aftë t'ua kalojnë të rinjve stafetën

Papa Françesku e përfundoi katekizmin e audiencës së përgjithshme me pyetjen: “A do të jetë në gjendje ky njerëzim, i cili me gjithë përparimin e tij na duket një adoleshent i lindur dje, të rifitojë hirin e një pleqërie, që e mban të patundur horizontin e fatit tonë?” Vdekja është sigurisht një kalim i vështirë në jetë, pranoi Ati i Shenjtë, por i tillë është “edhe kalimi, që i jep fund kohës së pasigurisë dhe e hedh orën. Sepse bukuria e jetës, që nuk ka më afat, fillon pikërisht në atë çast”.

“Por fillon me urtinë e atij burri dhe të asaj gruaje të moshuar, të aftë t'ua kalojnë të rinjve stafetën. Të mendojmë për dialogun, për aleancën e të moshuarve me fëmijët, të të moshuarve me të rinjtë dhe të përpiqemi që kjo lidhje të mos ndërpritet. Urojmë që të moshuarit të kenë gëzimin për të folur, për t’u shprehur me të rinjtë dhe të rinjtë t’i kërkojnë të moshuarit për të marrë prej tyre urtinë e jetës”.

17 gusht 2022, 11:42

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >