Kërko

Papa në Engjëllin e Tënzot: feja është zjarr i ndezur, që na mban zgjuar e jo "ninullë"

“Feja nuk është ndonjë ‘ninullë’, që na përkund në djep për të na vënë në gjumë, por një zjarr i ndezur për të na mbajtur zgjuar dhe veprues edhe gjatë natës!” Kështu, Papa Françesku në Engjëllin e Tënzot, kremtuar në mesditë, në Sheshin e Shën Pjetrit

R.SH. - Vatikan

Fjalët e Jezu Krishtit në Ungjillin e sotëm, në qendër të komentit të Papës Françesku gjatë Engjëllit të Tënzot, kremtuar në mesditë, së bashku me besimtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan. Fraza, që bën përshtypje në kreun 12 sipas Lukës (Lk12,49), tingëllon e çuditshme për shumëkënd. Jezu Krishti, ndërsa ecën me dishepujt e vet pohon se ka ardhur për t’i vënë zjarrin tokës e madje, do të dëshironte që ai të ishte i ndezur tashmë.

Ungjilli është si zjarri

Duke shpjeguar kuptimin e këtyre fjalëve, sidomos për ditët e sotme, Ati i Shenjtë nënvizoi:

“Ungjilli është si zjarri, sepse është mesazh që, kur hyn me vrull në histori, e shkrumbon ekuilibrin e vjetër të jetës, na sfidon ta lëmë individualizmin, ta kapërcejmë egoizmin, të kalojmë nga skllavëria e mëkatit dhe e vdekjes në jetën e re të të Ringjallurit. Pra, Ungjilli nuk i lë gjërat ashtu siç janë, por nxit ndryshimin dhe na fton për kthesë. Ai nuk predikon një paqe të rreme romantike, por ndez shqetësimin që na vë për udhë, na shtyn t'ia hapim zemrën Zotit dhe vëllezërve. Është njësoj si zjarri: ndërsa na ngroh me dashurinë e Zotit, dëshiron ta djegë egoizmin tonë, të na i ndriçojë anët e errëta të jetës, të shkrumbojë idhujt e rremë që na robërojnë”.

Ta rindezim flakën e fesë, që ajo të mos bëhet realitet dytësor

Vetë Jezusi, vijoi Papa Françesku, ndizet nga zjarri i dashurisë për Zotin dhe e përhap atë në gjithë botën, duke na dashur deri në vdekjen në kryq. Ai është plot me Shpirtin Shenjt, që paraqitet pikërisht si flakë, por me dritën e forcën e tij na zbulon fytyrën e mëshirshme të Zotit e u jep shpresë të dëshpëruarve, hedh poshtë barrierat e mënjanimit, shëron plagët e korpit e të shpirtit. Ç’do të thotë pra sot, ajo frazë e Jezu Krishtit, pyeti sërish Ati i Shenjtë, duke përmendur edhe Henri-Marie de Lubac, kardinalin jezuit francez, teolog i dëgjuar i shekullit të sapokaluar.

“Na fton ta rindezim flakën e fesë, që ajo të mos bëhet realitet dytësor, apo mjet mirëqenieje individuale, duke na shkëputur nga sfidat e jetës dhe nga impenjimi në Kishë dhe në shoqëri. Vërtet – siç thoshte Át de Lubac - besimi në Zotin ‘na qetëson, por jo siç do të donim ne: pra, jo për të na siguruar ndonjë iluzion paralizues, ose kënaqësi të kotë, por për të na nxitur të veprojmë’ (Sulle vie di Dio, Milano 2008, 184). Feja, me pak fjalë, nuk është ndonjë ‘ninullë’, që na përkund në djep për të na vënë në gjumë, por një zjarr i ndezur për të na mbajtur zgjuar dhe veprues edhe gjatë natës!”

A jemi të ndezur nga zjarri i dashurisë së Zotit?

 Siç i pëlqen shpesh, Ati i Shenjtë e përfundoi komentin e tij në Engjëllin e sotëm të Tënzot, duke bërë një sërë pyetjesh, që i nxisin besimtarët të mendojnë nëse e lexojnë sa duhet Ungjillin e nëse feja që ndiejnë është zjarr dëshmie për të tjerët. E këto pyetje, nënvizoi Papa, duhet t’i bëjë çdo bashkësi kishtare.

“Vëllezër, motra, ta verifikojmë këtë që edhe ne të mund të themi si Jezusi: jemi ndezur nga zjarri i dashurisë së Zotit dhe duam ta ‘hedhim’ mbi botë, t'ua çojmë të gjithëve, që secili të zbulojë butësinë e Atit dhe të përjetojë gëzimin e Jezusit, i cili e bën më të madhe zemrën e më të bukur jetën”.

14 gusht 2022, 12:34

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >