Kërko

Mitingu i Riminit Mitingu i Riminit

Papa për Mitingun e Riminit: të krishterët të përhapin në botë pasionin për njeriun

Mesazhi i Françeskut për hapjen e edicionit të 43-të të Takimit të Lëvizjes kishtare “Bashkim e Çlirim” më 20 gusht, me titull “Pasioni për njeriun”, përmban thirrjen që të krishterët të punojnë për miqësinë shoqërore, duke mos dhënë mësime nga ballkoni, por duke dalë në rrugë për të ndarë mundin e përditshëm të njerëzve, mbështetur në shpresën, që nuk zhgënjen. Teksti nënshkruhet nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin

R.SH. – Vatikan

Në 100-vjetorin e lindjes së themeluesit të Lëvizjes kishtare "Comunione e liberazione" (“Bashkim e Çlirim”), Shërbëtorit të Zotit Luigi Giussani, “zelli i tij apostolik” rijeton në edicionin e sivjetëm të Mitingut të Riminit, që fillon nesër, më 20 gusht e përfundon më 25 gusht në qytetin bregdetar italian. Në vitin 1985, themeluesi i Lëvizjes, që e organizon këtë Takim çdo vit, pati thënë: “Krishterimi nuk lindi për të themeluar një fe, lindi si pasion për njeriun. …Nga dashuria për njeriun, nga nderimi për njeriun, nga dhembshuria për njeriun, nga vlerësimi absolut për njeriun”.

Fjala kyç: "Pasioni"

Prej këndej është marrë fjala kyçe, që përbën temën e sivjetme “Pasioni për njeriun”, të cilin Papa Françesku e vendos edhe në qendër të Mesazhit, që u dërgon pjesëmarrësve të Mitingut, përmes ipeshkvit të Riminit, imzot Guido Lambiase. Në tekstin e nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, thirrja që të krishterët e sotëm, në një botë që ndjek parrullën “të gjithë kundër të gjithëve”, të rizbulojnë një rrugë për të treguar vëmendje plot dashuri ndaj të tjerëve, për t’u dëshmuar atyre afërsinë, për të kërkuar të mirën, ​​si kusht për të qenë plotësisht vetvetja.

Në “brishtësinë e kohërave në të cilat jetojmë”, shkruhet në tekst, bën pjesë edhe “besimi se nuk ka mundësi për t’u ngritur sërish në këmbë, se askush nuk të jep një dorë, një përqafim që të shpëton, të fal, të ngre lart”. Ky është “aspekti më i dhimbshëm i përvojës së shumë njerëzve, që përjetuan vetminë gjatë pandemisë, ose që u detyruan të braktisin gjithçka për t’i shpëtuar dhunës së luftës”.

Si Samaritani i Mirë, si Krishti: ta duam secilin

Shëmbëlltyra e Samaritanit të Mirë, vijon mesazhi papnor, përkon qartë me temën e Takimit, sepse në të mishërohet “pasioni i pakushtëzuar për çdo vëlla dhe motër, që has gjatë rrugës” e kjo nuk është thjesht bujari, por “njohja e vetë Krishtit në çdo vëlla të braktisur ose të mënjanuar”. Të gjithë besimtarët janë të thirrur të kenë të njëjtin vështrim, të njëjtin pasion të Krishtit, i cili e deshi secilin pa përjashtim me “dashuri falas, pa masë dhe pa interes”. Por – pyet Papa – “a nuk duket kjo si qëllim i mirë e i përshpirtshëm, krejt ndryshe nga ç’ndodh sot?”

Udha e vëllazërimit është reale, është e mundshme

Në vend që ta shohim tjetrin si njeri për t’u respektuar, bota e sotme i vë të gjithë kundër të gjithëve, vëren Ati i Shenjtë. Mbizotërojnë interesat e pjesshme dhe egoizmi, ndërsa pandemia e lufta kanë ndikuar negativisht në projektin për një njerëzim më solidar, denoncon ai. Duke pasur parasysh se “udha drejt vëllazërimit nuk kalon nëpër re, por përshkon shumë shkretëtira shpirtërore të pranishme në shoqëritë tona” e se, pikërisht në shkretëtirë – siç thoshte Benedikti XVI – “zbulohet vlera e thelbësores për të jetuar”, Papa Françesku tregon udhën: “Impenjimi ynë –lexohet në Mesazh – nuk konsiston eskluzivisht në veprime, ose në programe promovimi e asistence”, as në “aktivizmin e tepruar, por, para së gjithash, në kujdesin për tjetrin, duke e konsideruar si një gjë të vetme me vetveten. Kjo vëmendje plot dashuri është fillimi i shqetësimit të vërtetë për të” e për të mirën e tij.  

Miqësia shoqërore, fryt i dhurimit të vetes për të tjerët

Miqësia shoqërore, që kërkon Papa në mesazhin e tij për Mitingun e Riminit, arrihet përmes dhurimit të vetvetes. Ky është vëllazërimi për të gjithë, “përqafim që shemb mure dhe shkon ta takojë tjetrin me vetëdijen sa vlen çdo njeri, në çdo situatë. Dashuri për tjetrin, sepse ai është krijesë e Zotit, bërë në shëmbëlltyrë e në ngjashmëri me Të, pra, i pajisur me dinjitet të paprekshëm, të cilin askush nuk mund ta përdorë si të dojë, ose edhe më keq, të abuzojë me të”.

Besimtarët ftohen ta ushqejnë këtë miqësi shoqërore, përmes dëshmisë së tyre.  Të shkurtohen distancat, kërkon Papa në Mesazh, duke i nxitur pjesëmarrësit e Mitingut të Riminit ta prekin korpin e vuajtur të Krishtit në atë të popullit. “Sa nevojë kanë burrat dhe gratë e kohës sonë për të takuar njerëz, që nuk japin mësim nga ballkoni, por dalin në rrugë për të ndarë mundin e përditshëm të jetës, të mbështetur nga një shpresë e besueshme!” Kjo është detyra historike e të krishterëve. Françesku u bën thirrje anëtarëve të Lëvizjes “Bashkim e Çlirim” “të vazhdojnë të bashkëpunojë me Kishën universale në rrugën e miqësisë ndërmjet popujve, duke përhapur në botë pasionin për njeriun”.

19 gusht 2022, 12:47