Kërko

Pope Angelus prayer on Assumption Day Pope Angelus prayer on Assumption Day 

Papa: “Zoja i dhashtë botës paqen”. Lutje për popullin ukrainas

Pas lutjes mariane të Engjëlli të Tënzot, në solemnitetin e të Ngjiturit të Zojës në Qiell, Papa Françesku kërkoi ndërmjetësimin e "Mbretëreshës së Paqes" për t’i bërë armët të heshtin në botë, sidomos në Ukrainë. Ai falënderoi “ata që sigurojnë shërbime themelore për bashkësinë”, u uroi festën njerëzve me pushime, por edhe “atyre, që s’i përballojnë dot” ekonomikisht, pa harruar “të vetmuarit e të sëmurët”

R.SH. – Vatikan

Në këtë ditë kushtuar Virgjërës Mari, "të vazhdojmë ta kërkojmë ndërmjetësimin e Zojës që Zoti t'i japë botës paqen dhe të lutemi veçanërisht për popullin ukrainas". Papa Françesku, edhe në ditën e festës së të Ngjiturit të Zojës në Qiell, kujtoi Ukrainën, ku lufta ka arritur në ditën e 173-të. E bëri këtë pas lutjes mariane të Engjëllit të Tënzot, nga dritarja e Pallatit Apostolik, para shtegtarëve të shumtë në sheshin e Shën Pjetrit. Pasi i nxiti "ata që kanë mundësi" të vizitojnë "një shenjtërore mariane për të nderuar Nënën tonë Qiellore", Papa nënvizoi se "shumë romakë dhe shtegtarë shkojnë në bazilikën e Zojës së Madhe për t'u lutur para fugures së Salus Populi Romani". Aty, kujtoi ai, “është edhe shtatorja e Virgjërës Mbretëreshë e Paqes, vendosur nga Papa Benedikti XV”.

Gëzuar festën edhe atyre, që nuk janë me pushime, ose janë të sëmurë e të vetmuar

Françesku u uroi gjithë të pranishmëve festën e Zojës, si “atyre, që janë me pushime, ashtu edhe shumë njerëzve, që nuk mund ta përballojnë ekonomikisht një periudhë pushimi, si edhe të vetmuarve e të sëmurëve”. Pastaj, shtoi:

“Mendoj me mirënjohje këto ditë për ata, që sigurojnë shërbimet thelbësore për bashkësinë. Faleminderit për punën tuaj për ne!”

Duke përshëndetur romakët dhe shtegtarët nga vende të ndryshme të pranishëm në shesh me familje, grupe famullitare, shoqata, Papa përmendi veçanërisht “të rinjtë e dioqezës së Veronës të angazhuar në një kamp shkollor dhe ata të Akademisë Papnore të Zojës së Papërlyer”.

Ukrainë: gjendja në ditën e 173-të të luftës

Ndërkohë, në Ukrainë, centrali bërthamor i Zaporizhzhia është ende nën kontrollin rus. Kryebashkiaku i qytetit akuzon Moskën për "terrorizëm bërthamor". Në terren, sipas Kievit, forcat ruse janë "në vështirësi përtej lumit Dniepr". Por sipas gazetës “New York Times”, ushtria ukrainase ka arritur ta ngadalësojë përparimin rus në lindje dhe jug të vendit, por jo ta ndalojë atë. Për forcat e armatosura të Kievit, që nga fillimi i luftës, kanë humbur jetën 43.550 ushtarë rusë. Në rajonin e Donetskut, gjatë bombardimeve të nisura dje, ushtria e Moskës vrau tre civilë dhe plagosi 13 të tjerë.

15 gusht 2022, 13:14