Kërko

 Angelus Angelus

Papa: Zoti vuan kur jemi larg Tij e pret kthimin tonë

Në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, duke kujtuar shembëlltyrat e deles e të monedhës së humbur si edhe të djalit plangprishës, Papa nënvizoi se "Zoti nuk i llogarit humbjet as rreziqet, sepse ka zemër ati e nëne e vuan nga mungesa e bijve të dashur”.

R.SH. - Vatikan

Në lutjen e  sotme të Engjëllit të Tënzot, mbajtur si zakonisht nga Dritarja e Engjëllit, mbi Sheshin gjithnjë përplot me njerëz, Papa kujtoi tri shëmbëlltyrat e mëshirës (krh. Lk 15:4-32).  E menjëherë pas, edhe arsyen pse i tregon Jezusi. I tregon - kujtoi - për t’iu përgjigjur mërmërimave  të farizjeve dhe të skribëve, që thoshin: “Ky i pret mëkatarët dhe ha me ta”. Nëse për ta kjo ishte fetarisht shkandulluese, për Zotin nuk ishte:

“Jezusi, duke i mirëpritur mëkatarët dhe duke ngrënë me ta, na zbulon se Zoti është pikërisht kështu: nuk përjashton askënd, i dëshiron të gjithë në sofrën e tij, sepse ai i do të gjithë si duhen bijtë”.

Tri shembëlltyra, zemra e Ungjillit

Tri shëmbëlltyrat, pra - nënvizoi Papa - janë zemra e Ungjillit; e përmbledhin me pak fjalë, atë që është themelore:

“Zoti është Atë e ai vjen të na kërkojë sa herë që humbasim”.

Ndjehet fort në këto fjalë etja e njeriut për Zotin, posaçërisht kur e ngatërron rrugën e jetës së vet e ndjen fuqimisht nevojën të kthehet në rrugën e drejtë. Këtë atmosferë krijuan fjalët e Papës në këtë lutje të Engjëllit, kur edhe shqetësimi i tij kryesor është kërkimi dhe gjetja e deles së humbur. Ndaj zgjodhi sot shembëlltyra, në të cilat protagonistët, përfaqësues të Zotit, janë një bari që kërkon delen e humbur, një grua që gjen monedhën e humbur dhe babai i djalit plangprishës, që shikon, i lum, duke u kthyer në shtëpi, birin e humbur! Ndjehet fort në fjalët e Papës, ftesa për ta gjetur përsëri çka humbi e për të ndjerë gëzimin  e personazheve të shembëlltyrave.

Ankthi, për atë që mungon

Duke vijuar katekizmin e së dielës nga Dritarja e Engjëllit, Papa  u ndalua tek një aspekt i përbashkët i këtyre tre protagonistëve, që mund ta quajmë ankthi për mungesën. Të tre, në fund të fundit, po të bënin disa llogari, mund të ishin edhe të qetë: bariut i mungon një dele, por  ka nëntëdhjetë e nëntë të tjera; gruas një monedhë, por ka nëntë të tjera; e Ati e ka edhe një djalë tjetër, të bindur, për ta dashur. Por, shpjegon më pas Papa, ndodh e kundërta:

“Në vend të qetësisë, në zemrat e tyre ka ankth për atë që mungon: delen, monedhën, djalin e ikur. Kush do, shqetësohet për atë që mungon, ka mall për të, kërkon atë që humbi, pret kë iku. Sepse dëshiron që askush të mos humbasë”.

Zoti shqetësohet, kur largohemi prej Tij

Kështu është Zoti - vijoi të shpjegojë Papa - nuk është “i qetë” po t’i kthejmë shpinën; hidhërohet, dridhet në thellësi të zemrës e niset e vjen të na kërkojë, derisa të na sjellë përsëri ku ishim, duke na mbajtur në krahë:

“Zoti nuk i llogarit humbjet dhe rreziqet, sepse ka zemër babe e nëne, ndaj vuan nga mungesa e bijve të dashur. Po, Zoti vuan nga largësia jonë dhe, kur humbasim, pret padurim kthimin”.

Zoti na pret, gjithnjë, gjithkund

Në vijim Papa i ftoi besimtarët të kujtojnë gjithnjë se Zoti na pret gjithmonë krahëhapur, pavarësisht nga situata e jetës në të cilën humbëm. Siç thotë një psalm, ai nuk i mbyll kurrë sytë, rri gjithnjë zgjuar, na ruan gjithmonë (krh. 121,4-5).

Shqetësimi i mungesës

Pas këtij përshkrimi prekës të kujdesit të Zotit për çdo njeri, pa pyetur kush është, nga vjen e si, Papa na kërkoi të shikojmë vetveten, ta pyesim veten a i ngjasim Zotit në këtë mënyrë sjelljeje, a e ndjejmë edhe ne shqetësimin e mungesës?

 “A kemi mall për ata që mungojnë, për ata që u larguan nga jeta e krishterë? A e kemi edhe  ne këtë shqetësim të brendshëm, apo jemi të qetë dhe të patrazuar? Me fjalë të tjera, kush mungon në bashkësitë tona, a na mungon vërtet? Apo jemi mirë me njëri-tjetrin, të qetë dhe të lumtur në grupet tona, pa ndjerë pikë dhembshurie për ata që janë larg?”.

Nuk bëhet fjalë vetëm “për t’ia hapur zemrën të tjerëve”. Bariu në shëmbëlltyrë nuk thotë: “Kam nëntëdhjetë e nëntë dele, ç’më duhet të shkoj e të kërkoj të humburën? Nuk e thotë, por niset e shkon!”.

A e di sa vlen ti për Zotin?

Le të reflektojmë, pastaj, për marrëdhëniet tona: a lutem për ata që nuk besojnë, për ata që janë larg? A e tërheqim të largëtin përmes stilit të Zotit, që është afërsia, dhembshuria dhe butësia? Ati na kërkon të jemi të vëmendshëm ndaj bijve që i mungojnë më shumë. Le të mendojmë për disa njerëz që i njohim, të cilët janë pranë nesh dhe që mund të mos kenë dëgjuar kurrë dikë t’u thotë:

“A e di? Ti je i rëndësishëm për Zotin”.

Me këtë pyetje, që pret përgjigje nga të gjithë, besimtarë e jo, e përfundoi Papa lutjen e sotme të Engjëllit, duke ia drejtuar, si zakonisht, fjalët e fundit Marisë:  

“Le të na shqetësojnë këto pyetje dhe t'i lutemi Zojës, Nënës që nuk lodhet kurrë duke na kërkuar dhe duke u kujdesur për ne, bijtë e saj”

11 shtator 2022, 12:55

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >