Kërko

Pope Francis during the Angelus prayer in St. Peter's Square Pope Francis during the Angelus prayer in St. Peter's Square

Papa: t’i përdorim pasuritë për të krijuar vëllazërim e miqësi shoqërore

“Mos i përdor pasuritë vetëm për vete”: ky, mësimi që na jep Jezusi përmes fragmentit të sotëm të Ungjillit, kometuar nga Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot duke ftuar për ta bërë të mirën me frymë krijuese, pa u dorëzuar kurrë përballë korrupsionit, që nuk mungon në botë. Më pas, përshëndetja të rinjve të Economy of Francesco: ecni gjithnjë përpara, do të shihemi së shpejti në Asizi!”.

R.SH. - Vatikan

E vështirë për t’u shpjeguar, por jo e pamundur, shembëlltyra, e shkëputur nga Ungjilli i liturgjisë së kësaj së diele të 25-të gjate vitit kishtar 'C' (Lk 16,1-13) që Papa e komentoi gjatë Lutjes së Engjëllit të Tënzot, kremtuar në mesditë në Sheshin e Shën Pjetrit. Edhe në botën e sotme ka histori korrupsioni si ajo që na tregon Ungjilli, e edhe sjellje të pandershme, politika të padrejta, egoizëm dhe shumë situata të tjera të errëta. Por ne të krishterëve nuk na lejohet të shkurajohemi ose, aq më keq, të qëndrojmë indiferentë!

Njeriu duhet të jetë sipas frymës së Ungjillit

 Pas shtegtimit të tij të lodhshëm, por tejet të frytshëm në Kazakistan, ngarkuar me ngjarje e mbresa, të cilat i shprehu gjërë e gjatë në bisedën me gazetarët në avion, gjatë shtegtimit të kthimit, Papa vijoi shfletimin e faqeve ungjillore, sipas Lukës, duke u ndaluar te Shëmbëlltyra që na paraqet Ungjilli i Lukës këtë të diel (krh. Lk 16, 1-13).

Fragment ungjillor i vështirë për t’u shpjeguar

 Na duket paksa i vështirë për t'u kuptuar - ishin fjalët e para të Papës, ndoshta sepse sot Jezusi, në faqen ungjillore, tregon një histori korrupsioni. Flet për një mbarështues të pandershëm, i cili vjedh. Por si  zbulohet nga i zoti, vepron me dinakëri për të dalë nga situata. E ne nuk mund të mos e pyesim veten: ç’është kjo dinakëri dhe ç’dëshiron të na thotë Jezusi? Jemi para njërit nga fragmente ungjillore më të vështira për t’u shpjeguar! Ta ndjekim prandaj, me vëmendje shpjegimin e sotëm të Papës.

Bijtë e botës janë më mendjemprehtë se bijtë e dritës

Nga historia, shikojmë se mbarështuesi i pandershëm mund të zbulohet, mbasi ka përfituar nga pasuritë e zotërisë së tij; tani duhet të japë llogari, madje, ka shumë mundësi edhe ta humbasë punën. Por ai nuk trembet, nuk dorëzohet para fatit të tij, nuk sillet si viktimë; përkundrazi vepron menjëherë me dinakëri e kërkon shkathtësisht zgjidhje.

Provokimi i parë i Jezusit

Jezusi merr shkas nga kjo histori për të nisur provokimin e parë: “Bijtë e kësaj bote - na kujton - janë më mendjemprehtë me moshatarët e tyre, sesa fëmijët e dritës”. E kjo do të thotë se ndodh që kush lëviz në errësirë, sipas disa kritereve të kësaj bote, di t’i kapërcejë edhe telashet, të jetë më i zgjuar se të tjerët!

Po ne? Si jemi ne?

 Po dishepujt e Jezusit? Domethënë, ne? A e kemi shkathtësinë e bijve të kësaj bote? - pyeti Papa, që i përdor rëndom pyetjet retorike, sidomos gjatë lutjes së Engjëllit - Apo ndonjëherë jemi në gjumë, a jemi naivë, nuk dimë të marrim nismën për të kërkuar rrugëdalje nga vështirësitë (krh. Evangelii gaudium, 24).

“Po mendoj për çaste krize personale, shoqërore, por edhe kishtare: herë-herë biem në çkurajim, ndjehemi viktima të vetevetes e të tjerëve! Në vend të kësaj - na kujton Jezusi - njeriu mund të jetë edhe mendjemprehtë, sipas  frymës së Ungjillit, të jetë i zgjuar dhe i vëmendshëm, i aftë për ta shoshitur realitetin, të jetë krijues, që të mund të kërkojë zgjidhje të mira, për ne dhe për të tjerët”.

Ç’kuptim ka dinakëria e administratorit?

Duke i dhënë përgjigje pyetjes “Ç’kuptim ka dinakëria e administratorit?”,  Jezusi na jep edhe një mësim tjetër: vendos t’u bëjë zbritje atyre që kanë borxhe. E kështu i bën miq, duke shpresuar se mund ta ndihmojnë, kur zotëria ta flakë jashtë. Dikur e grumbullonte pasurinë për vete, tani e përdor për të bërë miq, që mund ta ndihmojnë në të ardhmen. E këtu Jezusi na jep edhe një mësim mbi përdorimin e të mirave:

“Për të trashëguar jetën e amshuar, domethënë nuk është e nevojshme të grumbullohen të mirat e kësaj bote, por ajo që ka rëndësi është bamirësia që do të kemi jetuar në marrëdhëniet tona vëllazërore”.

Kuptimi i shembëlltyrës së vështirë për t’u kuptuar

Ja, pra - pohoi Papa në vijim të lutjes së Engjëllit të Tënzot - ftesa e Jezusit:

“Mos i përdorni të mirat e kësaj bote vetëm për veten tuaj dhe për egoizmin tuaj, por përdorini për të krijuar miqësi, për të krijuar marrëdhënie të mira, për të vepruar në bamirësi, për të nxitur vëllazërinë dhe për të pasur kujdes për më të ligshtit”.

Historitë aktuale të korrupsionit

Më pas Papa u rikthye nga bota ungjillore, në atë tokësore, në të sotmen, plot me histori korrupsioni, si ajo që na tregon Ungjilli:

“Ka sjellje të pandershme, politika të padrejta, egoizëm që dominojnë në zgjedhjet e individëve dhe të institucioneve dhe në shumë situata të tjera të errëta. Por ne të krishterëve nuk na lejohet të shkurajohemi ose, aq më keq, të qëndrojmë indiferentë. Përkundrazi, duhet të jemi krijues për të bërë mirë, me maturinë dhe mendjemprehtësinë e Ungjillit, duke përdorur të mirat e kësaj bote, e jo vetëm materiale, por të gjitha dhuratat që kemi marrë nga Zoti, për të mos pasuruar veten, por për të krijuar dashuri vëllazërore dhe miqësi shoqërore”.

Kjo porosia e Papës në Engjëllin e Tënzot, që përfundoi si zakonisht, me lutjen drejtuar Zojës:

“Ta lusim Shën Marinë të na ndihmojë të jemi si Ajo, të varfër në shpirt dhe të pasur në bamirësi reciproke”.

Ndërmjet përshëndetjeve, mirupafshim të rinjve të Economy of Francesco

Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Françesku shprehu shqetësimin për ndeshjet e fundit në Azerbajxhan e Armeni, si dhe për popullin e Ukrainës. Më pas, edhe ngushëllimet për viktimat e përmbytjeve në Marche, pa harruar  shtegtimin, pak ditë më parë, në Kazakistan, për të cilin do të flasë në audiencën e ardhshme të përgjithshme.

Ndërmjet përshëndetjeve, ajo drejtuar të rinjve të Economy of Francesco, sot në Shesh: “Ecni gjithnjë përpara - u tha Papa -  do të shihemi së shpejti në Asizi”. Së fundi, një mendim  i posaçëm për të varfërit dhe vullnetarët e “Shtëpisë së Zakeut”, në Mesagne: “Zoti ju bekoftë e Zoja ju ruajtë”.

18 shtator 2022, 12:33

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >