Kërko

Papa: kujdes me mendjemadhësinë shpirtërore, adhuron veten e mënjanon Zotin

Fariseu mendjemadh dhe tagrambledhësi, i cili ndalet në distancë dhe kërkon falje, janë protagonistët e shëmbëlltyrës së Ungjillit të sotëm, komentuar nga Papa Françesku në Engjëllin e Tënzot. Të dy ngjiten në tempull, por vetëm lutja e njërit prej tyre arrin në veshët e Zotit. Të kemi kujdes me narcisizmin dhe ekzibicionizmin - vëren Françesku – sepse na çojnë, edhe ne të krishterëve, ne meshtarëve, ne ipeshkvijve, të themi gjithmonë “unë-unë”

R.SH. – Vatikan

 Ngjitja e zbritja: këto janë dy lëvizjet, në të cilat u përqendrua reflektimi i Papës Françesku në Engjëllin e Tënzot të kësaj së diele. Ungjilli sipas Lukës paraqet shëmbëlltyrën e fariseut dhe të tagrambledhësit, "njëri, njeri i fesë dhe tjetri, mëkatar i njohur". Të dy, pohoi Ati i Shenjtë, ngjiten në tempull, por vetëm tagrambledhësi "lartohet vërtet deri tek Zoti", sepse me përvujtëri thotë të vërtetën për vetveten.

Lartimi për t’u takuar me Zotin

Papa Françesku vërejti se veprimi i ngjitjes zë vend në shumë episode të Biblës. Kujtoi Abrahamin dhe Moisiun, që ngjiten në mal për të takuar Zotin, por edhe vetë Jezusin, i cili e jeton përvojën e shndërrimit pikërisht në mal. Ati i Shenjtë komentoi:

“Ngjitja shpreh nevojën e zemrës për t'u shkëputur nga rutina e jetës dhe për të takuar Zotin; të lartohemi nga niveli i ulët i vetvetes për t'u ngjitur drejt Zotit; të çlirohemi nga vetvetja, për të mbledhur çka jetojmë në atë nivel e për ta çuar në praninë e Zotit. Kjo do të thotë ngjitje e kur lutemi, ngjitemi lart”.

Sa më të përvuajtur jemi, aq më shumë na larton Zoti

Pastaj, vijoi Papa, kemi lëvizjen e dytë, zbritjen: për ta jetuar takimin me Zotin duhet të "zbresim brenda vetes” dhe t’i shohim me ndershmëri "dobësitë dhe varfërinë tonë".

“Vërtet, me përvujtëri, bëhemi të aftë t'ia çojmë Zotit, pa u shtirur, gjithçka jemi, kufizimet dhe plagët, mëkatet dhe mjerimin, që na rëndon zemrën, si edhe jemi në gjendje të kërkojmë mëshirën e tij për të na mjekuar, për të na shëruar e për të na lartuar. Ai do të na lartojë, jo ne! Sa më shumë që zbresim me përvujtëri, aq më shumë Zoti na bën të ngjitemi lart”.

Mendjemadhësia shpirtërore e vë vetveten në vend të Zotit

Françesku përshkroi qëndrimin e ndryshëm shpirtëror të dy protagonistëve të shëmbëlltyrës: tagrambledhësi "kërkon falje", fariseu "i bindur se është në rregull", e vendos veten në qendër, fillon të lavdërohet, ndërsa përbuz të tjerët. Kjo lloj mendjemadhësie shpirtërore, theksoi Papa, të çon në adhurimin e vetvetes dhe në mënjanimin e Zotit. Që këtej, ftesa e Françeskut:

“Duke menduar për ta, ta shohim edhe ne veten: të verifikojmë nëse për ne, ashtu si për fariseun, ekziston "pretendimi i brendshëm se jemi të drejtë", gjë që na bën t’i përçmojmë të tjerët. Kjo ndodh, për shembull, kur kërkojmë komplimente dhe bëjmë gjithmonë listën e meritave e të veprave tona të mira, kur shqetësohemi për dukjen në vend të qenies, kur lejojmë të kapemi në grackën e narcisizmit dhe ekzibicionizmit. Vëllezër dhe motra, të vigjëlojmë mbi narcisizmin dhe ekzibicionizmin, që bazohen në lavdinë e kotë, që na bëjnë edhe ne të krishterëve, ne meshtarëve, ne ipeshkvijve, të kemi gjithmonë një fjalë në buzë. Cilën fjalë? ‘Unë’”.

Tek Shën Maria, gjithçka dëshiron të realizojë Zoti

“Aty ku ka pak si tepër ‘unë’, ka pak Zot”, pohoi së fundi Papa, duke ftuar të shohim Virgjërën Mari, në të cilën Zoti dëshmon atë, që “i pëlqen të bëjë”: të rrëzojë të fuqishmit nga fronet dhe të lartojë të përvuajturit.

23 tetor 2022, 13:13

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >