Kërko

Papa: takimi me Krishtin hap horizonte e na shëlbon

Para lutjes mariane tё Engjëllit Tёnzot, Papa komentoi takimin mes Jezusit e Zakeut, në qendër të Ungjillit të kësaj së diele, dhe theksoi se të krishterët nuk mund të kenë ndaj vetes dhe të tjerëve, nëse e kanë gabim, “një vështrim nga lart, i cili gjykon, përbuz dhe përjashton“, sepse vështrimi i Zotit është gjithmonë plot dashuri, nga poshtë, Ai nuk ndalet te gabimet e së kaluarës sonë, "por me mëshirë na kërkon për ta shpëtuar"

R.SH. - Vatikan

"Zakeu na mëson se, në jetë, nuk humbet kurrë gjithçka pёrgjithmonё. Ju lutem, të mos harrojmë se nuk humbasim kurrë gjithçka përgjithmonë. Sepse gjithmonë mund t'i lëmë vend dëshirës për të filluar nga e para, për tё marr përsëri udhën, për t'u konvertuar". Kёshtu pohoi, mes tjerash, Papa Françesku para lutjes mariane tё Engjёllit Tёnzot, kremtuar sot nё mesditё nё Sheshin e Shёn Pjetrit, nё Vatikan, nё praninё e 35 mijё besimtarëve tё ardhur nga vendet e ndryshme, gjatë së cilës Ati i Shenjtё komentoi episodin e ungjillit, tё kёsaj sё Diele tё 31-tё gjatё vitit kishtar ‘C’, qё na tregon pёr takimin e Jezusit me krye taksambledhësin në qytetin e Jerihonit, Zakeun "një nga ata hebrenj që mblidhte taksat në emër të sundimtarëve romakë, një tradhtar i atdheut, që përfitoi nga pozita e tij”.  

Dhe duke folur për shikimin "nga poshtë" tё Jezusit drejt Zakeut, i cili ishte ngjitur në një pemë për ta parë atë, Ati i Shenjtё kujtoi se "kjo është historia e shpëtimit: Zoti nuk na shikoi nga lart për të na poshtëruar dhe gjykuar, përkundrazi, ai përulet për të na i larë këmbët (siç bёri darkёn e mbrame me apostuj), duke na shikuar nga poshtë e duke na kthyer dinjitetin”.

Nё vijim fjala e Papёs Françesku, mbajtur sot nё mesditё, gjatё lutjes mariane tё Engjёllit Tёnzot, nё Sheshin e Shёn Pjetrit nё Vatikan

Të dashur vëllezër dhe motra, mirëdita!

Sot, në Liturgji, Ungjilli rrëfen takimin mes Jezusit dhe Zakeut, krye taksambledhësve në qytetin Jeriho (Lk 19,1-10). Në qendër të këtij tregimi është folja të kërkosh. Zakeu "kёrkonte e dëshironte të shihte kush ishte Jezusi" (rr. 3) dhe Jezusi, pasi e takoi, pohon: "Biri i njeriut erdhi ta kërkojё dhe shëlbojё atë që pati humbur" (rr. 10). Le të ndalemi te dy vështrimet që kërkojnë njëri-tjetrin: vështrimi i Zakeut që kërkon Jezusin dhe vështrimi i Jezusit që kërkon Zakeun.

Vështrimi i Zakeut. Ai është një taksambledhësi, domethënë një nga ata hebrenj që mblidhnin taksa në emër dhe pёr llogari të sundimtarëve romakë dhe qё përfitonin nga pozita e tyre. Për këtë arsye Zakeu ishte i pasur, i urryer nga të gjithë dhe i përmendur si mëkatar. Teksti thotë se "ai ishte i vogël në shtat" (rr. 3) dhe me këtë ndoshta aludon edhe në poshtërsinë e tij të brendshme, në jetën e tij mediokre, të pandershme, me shikimin e kthyer gjithmonë poshtë. E megjithatë, Zakeu dëshiron të shohë Jezusin: "Ai vrapoi përpara - thotë Ungjilli - dhe, për ta parë, u ngjit në një  fik, sepse andej duhej të kalonte" (rr. 4).

Zakeu, në vogëlsinë dhe poshtërsinë e tij, ndjen nevojën për të kërkuar një vështrim tjetër, atë të Krishtit. Ai ende nuk e njeh, por pret që dikush ta çlirojë nga gjendja e tij, ta nxjerrë nga këneta në të cilën ndodhet. Kjo është thelbësore: Zakeu na mëson se në jetë, kurrë nuk humbet gjithçka pёrgjithmonё. Pёrherё mund t'i lëmë vend dëshirës për të filluar nga e para, për rimarr udhёn,  për t'u konvertuar.

Në këtë kuptim vendimtar është aspekti i dytë: vështrimi i Jezusit. Ai u dërgua nga Ati për të kërkuar atё që ka humbur; dhe kur mbërrin në Jeriho, kalon pikërisht pranë pemës ku është Zakeu. Ungjilli tregon se "Jezusi shikoi përpjetë dhe i tha: 'Zake, zbrit shpejt, sepse sot do tё vij të rri në shtëpinë tënde" (rr. 5). Është një imazh shumë i bukur, sepse nëse Jezusi duhet të shikojë lart, do të thotë se ai po e shikon Zakeun nga poshtë.

Kjo është historia e shpëtimit: Zoti nuk na shikoi nga lart për të na poshtëruar dhe gjykuar; përkundrazi, u përkul për të na i larë këmbët, duke na parë nga poshtë dhe duke na kthyer dinjitetin. Kështu, kryqëzimi i vështrimeve ndërmjet Zakeut dhe Jezusit duket se përmbledh të gjithë historinë e shpëtimit: njerëzimi me mjerimin e tij kërkon shëlbimin, por mbi të gjitha Zoti me mëshirë kërkon krijesën e tij për ta shpëtuar.

Vëllezër e motra, ta kujtojmë këtë: vështrimi i Zotit nuk ndalet kurrë te e kaluara jonë plot gabime, por shikon me besim të pafund se çfarë mund të bëhemi. Dhe nëse nganjëherë ndjejmë se jemi njerëz me shtat të shkurtër, jo në lartësinë e sfidave tё jetës dhe aq më pak të Ungjillit, të zhytur në probleme dhe nё mëkate, Jezusi na shikon gjithmonë me dashuri: si me Zakeun ai vjen të na takojë, na thërret me emër dhe, nëse pranojmё, vjen në shtëpinë tonë. Pra, tё pyesim veten: si e shikojmë vetveten? A ndihemi të papërshtatshëm dhe dorëzohemi, e pikërisht atёherё, kur ndihemi të dëshpëruar, a kërkojmë tё takohemi me Jezusin? Dhe pastaj: çfarë vështrimi kemi ndaj atyre që kanë bërë gabime dhe mundohen të ngrihen nga pluhuri i gabimeve të tyre? A ёshtë një vështrim nga lart, që gjykon, përbuz dhe përjashton? Por ne të krishterët duhet të kemi shikimin e Krishtit, i cili nga poshtë, kërkon me dhembshuri atё qё ka humbur dhe e pёrqafon. Ky është, dhe ky duhet të jetë, vështrimi i Kishës, gjithmonë.

Ti lutemi Virgjrës Mari, përulësinë e së cilës Zoti e ka parë e madhështuar, dhe t'ia kërkojmë asaj dhuratën e një vështrimi të ri ndaj nesh dhe ndaj të tjerëve.

30 tetor 2022, 09:42

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >