Kërko

Françesku: ta jetojmë fenë me ngulm dhe të ndërtojmë të mirën

Papa, duke shfletuar faqen e sotme nga Ungjilli i Shën Lukës në lutjen e Engjëllit të Tënzot, nënvizoi: “Ngulmi është pasqyrim i dashurisë së Zotit në botë”. Nuk janë veprat e duarve tona, as sukseset tona “gjëra që vlejnë me të vërtetë, por çka ndëtohet mbi Fjalën e Zotit, mbi dashurinë e mbi të mirën. E rrugëdalja nga pasiguritë e jetës tokësore, pohoi Papa, është këmbëngulja!”.

R.SH. - Vatikan

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, duke shfletuar Ungjillin e sotëm të Shën Lukës, Papa i çoi besimtarët e shumtë që e ndiqnin si zakonisht nga Sheshi i Shën Pjetrit dhe nga mjetet e komunikimit, në Jeruzalem, në vendin më të shenjtë: në tempull! Atje - kujtoi - rreth Jezusit, disa njerëz flasin për madhështinë e asaj ndërtese vigane, “stolisur me gurë të bukur" (Lk 21.5). Ndërkaq dëgjohet zëri i Zoti, që pohon:

“Nga kjo që shihni nuk do të mbetet gur mbi gur pa u shkatërruar”.

Në histori shembet gjithçka  

Pastaj - vijoi të shpjegojë Papa, duke kujtuar ngjarjet në shekujt e historisë - zëri ngrihet lart e më lart e nis e flet për  njerëzimin duke shpjeguar se si në histori shembet pothuajse gjithçka:

“Do të ketë - thotë Zoti - revolucione dhe luftëra, tërmete dhe zi buke, murtajë dhe përndjekje (krh. v. 9-17). Si të donte të thoshte: nuk duhet të kemi shumë besim në realitetet tokësore, të cilat kalojnë”.

Janë fjalë të urta, të cilat megjithatë mund të na hidhërojnë e mund të na nxisin ta pyesim sakaq veten: “Shumë gjëra tashmë po shkojnë keq, pse atëhere Zoti flet fjalë kaq rrënqethëse? E bën pyetje, që sot peshojnë rëndë mbi shpirtin e mbarë njerëzimit?  

Në të vërtetë - shpjegoi në vijim Papa - qëllimi i tij është tjetër: është të na japë një mësim të çmuar, të na tregojë rrugën për të dalë nga gjithë kjo pasiguri.

Cila është rrugëdalja nga ankthet e kohës?

Shprehet me një fjalë, që ndoshta na habit - kujtoi - i ndjekur me vëmendje të madhe nga turma që gjithashtu sot i bën vetes të njëjtën pyetje:

“Krishti e zbulon në fjalinë e fundit të Ungjillit të sotëm, kur thotë: ‘Me këmbënguljen tënde, do të shpëtosh jetën tënde” (v. 19).

Këmbëngulja. Çfarë është ajo?

Këmbëngulja. Çfarë është ajo? - pyet  akoma Papa - për të shpjeguar, më pas, se fjala tregon të qenit “shumë i rreptë”; por i rreptë në çfarë kuptimi? Me veten, duke e konsideruar jo në nivelin e duhur? Jo! Me të tjerët, duke u bërë i ashpër e i papërkulur? Jo!

Jezusi kërkon të jemi ‘të ashpër’, besnikë, këmbëngulës në atë që Ai e ka për zemër, atë që vlen me të vërtetë. Sepse, ajo që ka vërtet rëndësi, shumë herë nuk përkon me atë që na intereson: shpesh, si ata njerëzit në tempull, ne u japim rëndësi veprave të duarve tona, sukseseve tona, traditave tona fetare dhe civile, simboleve tona të shenjta dhe shoqërore. Këto janë gjëra të rëndësishme, por kalojnë:

“Në vend të tyre, Jezusi na kërkon të përqendrohemi në atë që mbetet,  duke e shmangur joshjen për t’ia kushtuar jetën ndërtimit të diçkaje, që më pas do të shkatërrohet, si tempulli, e duke harruar të ndërtojmë atë që nuk shembet, të ndërtojmë mbi Fjalën e Tij, mbi dashurinë, mbi të mirën”.

Dy fjalë për kuptimin e këmbënguljes

“Pra, kjo quhet këmbëngulje: të ndërtosh çdo ditë të mirën. E të këmbëngulësh do të thotë të qëndrosh gjithnjë në të mirën, veçanërisht kur realiteti përreth të shtyn të bësh diçka tjetër”.

Shembuj jete

Në vijim Papa, për ta sqaruar sa më mirë këtë temë kaq delikate të lutjes së sotme të Engjëllit të Tënzot, dha edhe disa shembuj, që nuk na kujtojnë kohët e largta të Tempullit të hebrenjve, por kohët tona, të ngarkuara edhe këto me shembje e vdekje. E shfletoi, si zakonisht Ungjillin e sotëm, duke e aktualizuar e duke i kujtuar secilit prej nesh se në të mund të gjejë vetveten, sot:

“E di se lutja është e rëndësishme, por edhe unë, si gjithë të tjerët, kam gjithmonë shumë për të bërë, prandaj ‘driblojnë’ rregullat e ia nis edhe unë t’i dribloj në drejtësi dhe ligjshmëri. Por ka akoma: bëj një shërbim në Kishë për bashkësinë, për të varfrit, por shoh se shumë njerëz në kohën e tyre të lirë mendojnë vetëm të argëtohen. Atëhere më pëlqen edhe mua të heq dorë dhe të bëj si ata”.

Ngulmo: ngulmimi është i mirë!

Të ngulmosh - kujtoi Papa në vijim të lutjes së Engjëllit të Tënzot - do të thotë të qëndrosh në të mirën. E në vijim i ftoi të gjithë ata, që po e dëgjonin, t’i bëjnë vetes pyetjen: “Si është këmbëngulja ime? A jam i patundur apo e jetoj fenë, drejtësinë dhe bamirësinë sipas çasteve: nëse më levertisë, jam korrekt, i gatshëm, i dobishëm, ndërsa, nëse jam i pakënaqur, nëse askush nuk më falënderon, heq dorë sakaq? Thënë  me dy fjalë, lutja dhe shërbimi im a varen nga rrethanat, apo nga zemra e palëkundur në Zotin? “Nëse ngulmojmë - na kujton Jezusi -  nuk ka gjë që mund të na frikësojë, as ngjarjet e trishtueshme dhe të shëmtuara të jetës, madje as e keqja që shikojmë rreth nesh, sepse bazohemi në të mirën – theksoi Papa, duke cituar më pas një nga fjalët e urta të Dostojevskit:

“Dostojevski pati shkruar: ‘Mos ki frikë nga mëkatet e njerëzve, duaje njeriun edhe me mëkatin e tij, sepse ky pasqyrim i dashurisë hyjnore është kulmi i dashurisë mbi tokë” (Vëllezërit Karamazov, II, 6.3g).

Këmbëngulja është pasqyrim i dashurisë së Zotit në botë, sepse dashuria e Zotit është besnike, nuk ndryshon kurrë!

Pas këtyre fjalëve optimiste, si zakonisht lutja drejtuar Marisë:

“Zoja jonë, shërbëtorja e Zotit ngulmuese në lutje (krh. Veprat e Apostujve 1:12), e forcoftë këmbënguljen tonë”.

 

13 nëntor 2022, 14:44

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >