Kërko

Talimi i Papës me anëtarët e Drejtorinë Qendrore Kundër Krimit Talimi i Papës me anëtarët e Drejtorinë Qendrore Kundër Krimit  

Papa: gratë viktima të dhunës shpesh vetëm; shteti të garantojë drejtësinë

Françesku priti sot Drejtorinë Qendrore Kundër Krimit, menjëherë pas Ditës Ndërkombëtare, shpallur nga OKB-ja dhe fillimit të edicionit 2022 të fushatës së Policisë së Shtetit, titulluar “Kjo nuk është dashuri”. Bëri thirrje për t’i “shpëtuar” gratë, domethënë, për t'u garantuar atyre sigurinë nga kërcënimet dhe për t'i shoqëruar në çdo fazë të jetës. Më pas, Papa këmbënguli në parandalimin dhe edukimin, për të hapur sytë përballë "grackave dhe kurtheve" të fshehura pas modeleve të rreme të suks

R. SH.- Vatikan

Zbatim i ligjit në një kohë të shkurtër, por jo përligjie. Parandalimi dhe mbrojtja, edukimi dhe shoqërimi në çdo fazë, siguria nga kërcënimet, të shpeshta edhe pas dënimeve. Papa tregon se cilat janë pikat kyçe për të çrrënjosur një nga të këqijat e kohës sonë: dhunën kundër grave. Fenomen i përhershëm, i përhapur, transversal, i rënduar nga pandemia dhe i ushqyer nga media.

Françesku u flet anëtarëve të Drejtorisë Qendrore kundër Krimit, duke i pritur në Vatikan një ditë pas Ditës Ndërkombëtare për Zhdukjen e Dhunës kundër Grave dhe nisjes së edicionit të vitit 2022 të "Kjo nuk është dashuri". E kjo është fushata e përhershme e Policisë së Shtetit, broshura tradicionale e së cilës këtë vit u pasurua pikërisht nga denoncimet e përsëritura të Papës kundër shpërdorimeve dhe keqtrajtimeve, nga të cilat vuajnë mijëra gra në mbarë botën.

Françesku: dhuna kundër grave, krim, që shkatërron harmoninë dhe bukurinë

Papa e përsëriti edhe sot padinë gjatë audiencës në Sallën Klementine,  duke trajtuar çështjen e vetmisë në të cilën gjenden kaq shumë vajza që dhunohen:

“Për fat të keq, gratë shumë shpesh jo vetëm që gjenden përballë situatave të caktuara të dhunës, por më pas, kur raportohet rasti, atyre nuk u mbrohet e drejta, ose kohët e drejtësisë janë shumë të gjata, të pafundme. Duhet të jemi vigjilentë dhe ta përmirësojmë këtë, pa rënë në drejtësializëm, jo!”.

Të shpëtohen gratë

Françesku i drejtohet drejtpërdrejt shtetit i cili - kujton - "duhet të sigurojë që çështja të shoqërohet në çdo fazë dhe që viktima të fitojë drejtësinë sa më shpejt të jetë e mundur". Në të njëjtën kohë, është themelore dhe urgjente që gratë “të shpëtohen", domethënë të jenë të sigurta nga kërcënimet aktuale dhe gjithashtu nga përsëritjet, të cilat fatkeqësisht janë të shpeshta edhe pas një dënimi të mundshëm.

Rrjetëzim

T’i kundërvihesh këtij realiteti të dhimbshëm, është “objektiv dinjiteti dhe qytetërimi” - nënvizoi Papa. - Në këtë kuptim, policia është “pikë institucionale referimi”, megjithatë, duke pasur parasysh shifrat dhe përhapjen, “nuk mjafton një trupë për ta fituar këtë betejë, sado e specializuar dhe efikase”, as “nuk mjaftojnë puna e forcave të rendit dhe veprimet e nevojshme për t’i dhënë fund kësaj gjendjeje”:

“Duhet të bashkohemi, të bashkëpunojmë, të krijojmë një rrjet: dhe jo vetëm rrjet mbrojtës, por mbi të gjitha, rrjet parandalues! Kjo është gjithmonë vendimtare kur përpiqemi të zhdukim një plagë shoqërore e cila është e lidhur edhe me qëndrimet kulturore, mendësitë dhe paragjykimet e rrënjosura thellë”.

Dita ndërkombëtare kundër dhunës ndaj grave: së bashku për ta mposhtur

Papa shprehu kënaqësinë për faktin se ka shumë gra në gjirin e forcave të rendit:

“Është burim i madh: gra që ndihmojnë gratë e tjera, që mund t'i kuptojnë më mirë, t'i dëgjojnë, t'i mbështesin. E përfytyroj sesa kërkuese duhet të jetë për ju, si gra, të mbani brenda vetes peshën e situatave që hasni dhe që ju përfshijnë në veprimtarinë kaq të nevojshme të ndihmës së grave për gratë”.

Me vlerë, të kesh “përgatitje të caktuar psikologjike" e edhe "shpirtërore" - kujtoi Françesku, "sepse vetëm në një nivel të thellë mund të gjendet dhe të ruhet qetësia dhe t'u transmetohet besimi atyre që janë viktima të dhunës brutale”. Shumë gra të krishtera, të nderuara si martire, janë shembuj të kësaj sjelljeje. Papa përmendi disa: nga Shën Luçia - tek Shën Maria Goretti e tek motra e Lume, Maria Laura Mainetti, murgesha e vrarë në Chiavenna nga tri vajza, gjatë një rituali satanik.

Edukimi dhe parandalimi

Papa dha dy udhëzime: parandalimin dhe edukimin, duke menduar mbi të gjitha për familjet. Prandaj, arsimi është fjalë kyçe, por për ta garantuar atë, nevojitet mbështetje për familjet që nuk mund të lihen vetëm:

 “Nëse efektet e krizës ekonomike dhe sociale bien rëndë mbi familjet, dhe ato nuk mbështeten në mënyrë të përshtatshme, nuk mund të habitemi që atje, në mjedisin e mbyllur të brendshëm, me kaq shumë probleme, të shikojmë si shpërthejnë tensionet”.

Modelet e ofruara nga mediat

Një aspekt tjetër vendimtar, për Papën, është ai i komunikimit:

“Nëse në masmedia propozohen vazhdimisht mesazhe që ushqejnë  kulturën hedoniste dhe konsumatore, ku modelet, si meshkuj ashtu edhe femra, u binden kritereve të suksesit, vetëpohimit, konkurrencës, fuqisë për të tërhequr tjetrin dhe për ta dominuar, atëherë ne nuk mundemi, në mënyrë hipokrite, t'i grisim rrobat përballë lajmeve të caktuara”.

Dëshmia e Bakhitës dhe shenjtorëve të tjerë

Përballë këtij lloj kushtëzimi kulturor, kemi nevojë për “veprimtari edukative, që e vendos në qendër njeriun, me dinjitetin e tij”. Edhe në këtë rast shembulli i disa shenjtorëve mund të jetë i dobishëm. Ndaj Papa kujtoi Shën Josephine Bakhitën, viktimë e "dhunës së rëndë" gjatë fëmijërisë dhe rinisë së saj, e cila "e shpengoi plotësisht veten duke mirëpritur Ungjillin e dashurisë së Zotit, për t’u bërë dëshmitare e fuqisë së tij çliruese dhe shëruese". Vepra kishtare për gratë viktima të trafikimit mban emrin e saj. Bakhita nuk është e vetmja: ka shumë “shenjtorë fqinjë” që me jetën e tyre “dëshmojnë se nuk duhet të dorëzohemi, se dashuria, afërsia, solidariteti i motrave dhe vëllezërve mund të na shpëtojnë nga skllavëria”. Dëshmia e tyre duhet t’u ofrohet vajzave dhe djemve të sotëm, këshillon Françesku.

Në shkolla, grupe sportive, oratori, shoqata – theksoi në përfundim Papa - ne tregojmë histori të vërteta çlirimi dhe shërimi, histori të grave që dolën nga tuneli i dhunës dhe mund t'i hapin sytë përballë grackave, kurtheve, rreziqeve që fshihen pas modeleve false të suksesit!

26 nëntor 2022, 13:31