Kërko

Kardinali Pietro Parolin Kardinali Pietro Parolin

Parolin: krishterimi ndiqet në të gjitha aspektet, nuk zgjedhim si në treg

Krishterimi është mbrojtje e jetës dhe mikpritje, pranohet me të gjitha aspektet e tij, sepse nuk jemi në treg: këtë theksoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, në kuadrin e Takimit të Partive Popullore Evropiane (PPE) në Romë

R.SH. - Vatikan

“Në krishterim nuk zgjedhim çka na pëlqen më shumë, ose çka na përshtatet, në krishterim duhet të pranojmë gjithçka i përket krishterimit. Prandaj, është pjesë e krishterimit si mbrojtja e jetës në të gjitha fazat e saj, nga zënia deri në vdekjen e natyrshme, ashtu edhe dashuria për të afërmin, e cila, në rastin tonë, tregohet me vëmendjen për emigracionin”. Këtë pohoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, në kuadrin e Takimit të Partive Popullore Evropiane (PPE) në Romë, duke iu përgjigjur atyre, që i vinin në dukje se edhe shumë politikanë populistë e shohin veten si të krishterë.

 “Ka disa, që theksojnë një aspekt e disa, një tjetër, por, në nivelin parimor, është më se e qartë: krishterimi duhet marrë si një i tërë, nuk jemi në supermarket e zgjedhim këtë, po ajo atë”, nënvizoi kardinali, duke kujtuar se ekziston “gjithnjë rreziku i shfrytëzimit, ose i manipulimit  të krishterimit a i feve të tjera për qëllime politike”.

Kard. Parolin: Selia e Shenjtë kundër riarmatimit

Duke iu përgjigjur pyetjes mbi aleancën e re ushtarake ndërmjet SHBA-ve, Britanisë së Madhe dhe Australisë, që parashikon furnizimin me nëndetëse për t’u përdorur në rajonin Indo-Paqësor, kardinali Parolin theksoi se “Selia e Shenjtë është kundër riarmatimit” e bën të gjitha përpjekjet për t’i nxitur vendet “t’i eleminojnë armët bërthamore, sepse ato nuk janë udha për të ruajtur paqen dhe sigurinë në botë. Krijojnë edhe më tepër rreziqe për paqen dhe më shumë konflikt”. Pikërisht duke parë prirjet për riarmatim, “Selia e Shenjtë nuk mund të mos shqetësohet”.

BE-ja të bazohet mbi bashkimin e solidaritetin

Më pas, Sekretari i Shtetit të Vatikanit u ndal në qëndrimin e Selisë së Shenjtë ndaj Bashkimit Evropian. “Selia e Shenjtë – nënvizoi ai - do të donte një Evropë të bazuar mbi katër shtyllat e etërve themelues: centraliteti i njeriut, bashkësia, subsidiariteti dhe solidariteti. Këto janë gurët e themelit të krishterimit në Evropë”.

22 shtator 2021, 13:01